Gruaja me nje tjeter as ketu nuk shihet me sy te mire

Papi desh edhe tre muaj që të merrte dokumentet amerikanë, i favorizuarë nga gruaja e tij Roza, e cila qe bërë me kohë qytetare amerikane, kur këtë, amerikankën, ay na e zuri në krevat me mikun e tij, Xhanin.
T’ëmën e s’ëmës, kur nuk u gjend rehat për të gjorin njeri! Sa thua se u mbyll një plagë, vuuu, hapet një tjetër e nis të rrjedhë!… Të tëra mund t’i kish menduarë Papka i gjorë! Pabesinë e italanit, kurrë! Xhani ish mik i shtëpisë, bre: hante e pinte me çiftin e ri. Papi zinte be për kokë të Xhanit dhe nuk e hiqte pe goje kurrë: “Xhani tha kështu! Xhani e shpegovi kështu! Xhani thotë, kjo është për gjyq! Xhani na dërgovi te noteri. Xhani thotë që në zgjedhjet që vinë, do kemi president Bushnë”.
Gjer tashi, Xhani ish penxherka që pe nga Papi vështronte Amerikën! Tashi penxherka, u ndot, u dhje: Papi gjeti Xhanin me Rozën, të dy gollomesh, në krevat të tij!
Ngrinë që të tre. Asnjëri pe të treve nuku e desh veten!
Xhani kërceu mënjanë dhe buzëqeshi në pritkë, tamam sikur i kish mbushur Papit ndonjë formular, nga ata të letrave të emigracionit dhe tashi priste mendimin e tij. Roza, dyke kërkuarë një çarçaf andej matanë krevatit, ngriti prapanicën e bardhë, zuri me dy gishtrinj mbulesën dhe e hodhi sipër vetes, sikur i vinte zor vetëm nga i shoqi.
E kishin mbetur ashtu, të ngrirë, sikur të ishin në një film, që nuku rrotullohej më. Vetëm Roza prishi heshtkën:
- Hë Papi, u ktheve?
Dhe e tha si atëhere, kur do ta vazhdonte me “do të hash tashi, apo pasi të lahesh?”
Papi rrëmbeu stapin e gjatë pe metali, që mbante një abazhur në majë. E theu abazhurin dhe ngriti stapin. Më vonë më thosh, që nuku kish ditur cilin të godiste më parë. Por nuku kish mbetur shumë për të zgjedhur, se Roza kish vrapuarë e qe mbyllur në banjë dhe i kish vënë derës kyçin prapa.
Burri kish mbetur me stapin e gjatë pe metali në dorë dhe me jaranin e gruas, që dridhej ashtu siç qe, siç e pat bërë nëna.
- A e di se çfarë të bëj, mor maskara? - e kish pyetur Papi.
- E kuptoj, - kish pranuarë miku i gjerahershmë i shtëpisë, dyke vënë duartë mbi atë vëndin ku bashkohen të dy shalët, si për të treguarë pa dashka, se ku e kish hak hurin e abazhurit. – E kam shkelur. Nuku do ta shkel më. Premtoj.
Papka ndjeu që tani po i hipte gjaku në kokë.
- Ti, mor qen, nuk do ta shkelësh më, jo sepse premton, por sepse nuku do dalësh i gjallë pe këtej!
Roza, kushurira e gruas time, qante e lutej që nga nevojtorja.
- Papi, o i dashuri im, tregoje shpirtin tënd të madh, siç e ke treguarë gjithnjë! T’u bëfsha unë!
Frika e Xhanit sikur ia shtonte guximin Papit. E la atë dudukun e madh të abazhurit dhe u sul në kuzhinë, të zgjidhte një thikë. Italani e ndoqi ashtu lakuriq-lakuriq, se frika për jetën qe më e madhe se turpi. Shkonte prapa Papkës që kontrollonte sirtarët e tashi dukeshin sikur po e zgjidhnin të dy bashkë atë thikën, që do vinte nderin në vend. Të dy hynë në kuzhinë, të dy u futnë në dhomën e ngrënies. Njëri i veshur për punë e tjetri lakuriq! Xhani mundohej ta sillte Papin me këmbë përdhe.
- Papo, çfarë kërkon të bësh? I marrë!
- Do të të vras ty. Edhe atë bushtrën atje, në hale! E kupton? Më ke prekur nderin! Më ke vënë brirë! Kupton? Brirë! Ç’m’i zgurdullon sytë ashtu?! Nuk e kupton fjalën “brirë”?!
Dhe me një thikë të madhe në dorë, Papi i qe afruarë nevojtores.
- Hë moj ti, bushtër e qenit, si u thonë anglisht brirëve?
Roza nuk e dinte.
- Më sill ca fjalorin, - i tha ajo dyke qarë.
- Unë i q.. tëmën! E vras pa ia përkthyerë brirët në anglisht, këtij maskarait!
Dashke ti, të të sjell fjalorin në nevojtore!
Xhani e kish mbledhur veten, se në fillim qe trembur pa masë vërtet. E kuptonte që kish bërë faj të madh, por Papkën e kish mik të arsyeshmë. Me të mund të merrej vesh. Ashtu gollomesh, u ul në cep të krevatit, hodhi këmbën leshatore, mbi këmbën tjetër leshatore dhe u përpoq të arsyetonte.
- Dëgjo, Papo, dëgjo, - i kish thënë. Të jemi njerëz të civilizuarë. Jemi në Amerikë, këtu! Është tjetër botë, kjo! Ka të tjera rregulla.
Ai qeni duhej vrarë me të parën, po ç’t’i them Papkës unë! Papkë gomarit! E zure në krevat? Vraje qenin, mos e lerë të të flasë e të të përmendë Amerikën! Papkës po i zure në gojë rregullat e Amerikës, i dridhet buza e hap sy e veshë si guak. Edhe në Amerikë, gruaja lakuriq me një të huaj lakuriq në krevat, nuku durohet! Të isha unë, Xhani nuku lëshonte më hije mbi këtë dhè! Kurse ay, mbupi, dëgjoi Amerikën, iu ul atij lakuriqit ngjitur e zunë të merrshin vesh. Ulur në krevat: njëri lakuriq, tjetri me hanxhar në dorë!
- Pa dale një herë, përse kërkon të më vrasësh?
- Të vras se jam shqiptar. Të zura me time shoqe. Më ke shkelur nderin. Dhe që andej i ulurinte të shoqes: - Si i thonë nderit, me? Folë, rrospi e *****!
- Po nuku kuptoj, përse të më vrasësh?! – mblidhte supet i pabesi.
- Të thashë që jam shqiptar! Ne, shqiptarve, kur shohim pabesi të tilla, na err gjaku sytë, e humbim llogjikën dhe e vrasim pushtin, që kemi zënë me gruan, - ia shpegonte Papka dyke rahur tehun e thikës me pëllëmbën tjetër.
- Atje në Shqipëri, po … - pranonte Xhani.
- Dhe në Amerikë! Nuku shoh asnjë ndryshim. Në gjaknxehtësi e sipër, të vras! Nderi është po ai! Kudo!
Po italani ishte më i zoti dhe e përdridhte Papkën.
- Sa për ta ditur mirë, - i thosh Xhani, - ti nuku mund të vrasësh asnjërin nga ne. Unë edhe Rozi, e kemi që të dy qytetarinë amerikanë. Ti nuku je bërë qytetar akoma. Do edhe tre muaj. Ty nuku të kanë marrë as shënjat e gishtave!
Papi u nxeh edhe një herë dhe uluriti:
- Ore nuk ka nevojë për shënja gishtash, se unë shkoj e dorëzohem vetë megjithë këtë thikën në polici e u them: e bëra. I zura… Jam shqiptar. E vrava. Ja thika! Shqiptari për nderin, nuku të fal! Nuku ka pse të më zbulojnë me anë të gishtave ata, kur unë jam i tëri para tyre, i zbuluarë, sa një derr!
Xhani kish filluarë të vishte qetësisht kanatieren.
- Nuku them për ato shënja! – thosh i pabesi. Them, se shënjat e gishtave janë një nga procedurat për t’u bërë qytetar amerikan. Dhe ti je në prag…
Këtu ia kish zënë kokën me derë Papit! Aty e kish pikën e dobët, Papi!
- Po mirë, ja nuk jam akoma amerikan! Pse, pa u bërë amerikan, nuku më lejohet mua, të vras një njeri që ma ka bërë borxh?!
Dhe e pyeste Xhanin, siç e pat pyetur pe vitesh të shkuara, për punë ligjesh e formularësh.
- Mund të vrasësh, sigurisht, por vra një shqiptar tjetër, jo mua! Ose vra një, që nuk është amerikan!
- Jo more! Demek, amerikanët janë me yll në ballë!
- Jemi në Amerikë këtu! Të lutem, m’i zgjat pak brekët, se më paskan rënë aty, poshtë krevatit.
Papi, hajvani, i qe bindur. Kushuri e kam, po është hajvan, i ziu! Këtej i jepte brekët, këtej i ulurinte: “Jo kjo nuk është e drejtë. Jo juve, amerikanët, jeni të poshtër! Jo më mirë shqiptar me nder të vënë në vend, se sa qytetar amerikan i bërë pa nder! Ju kam dhjerë mu në shënja të gishtave!” Po ama të tëra vetëm me të uluritur. Ajo thika tani e pengonte dhe e kish flakur në guzhinë. Krisma e kish llahtarisur gruan.
- Auuu! - ia kish bërë ajo që nga nevojtorja.
- E çfarë zgjidhje mbeti tani për mua? - filloi të këshillohej, siç qe këshilluarë tërë jetën me Xhanin, Papi.
- Gjyq.
- Ja, këto gjyqet i kam frikë unë! - qe ankuarë dyke qarë Papi. Dhe e ndiqte Xhanin, që po kërkonte këpucët, tamam si pak më parë, kur të dy vështronin për një thikë. Unë nuku di të mbush as padinë!
- Padinë ta mbush unë, - i pat premtuarë me dorë në zemër, Xhani. Gjithmonë, këto punë, unë t’i kam bërë. Përse befas, na qahesh tashi?!
- E po… padia tashi, është kundër teje vetë!
- Kjo nuk do të thotë gjë. Të jap fjalën e nderit, që do të ta mbush pa hile. Dhe me siguri do të fitosh. Ti na zure me presh në duar! Provat janë të pakundërshtueshme. Nuku kemi nga ta lëvizim bythën, as unë as Rozi! E kupton se ç’avantazh ke kundër nesh, apo jo?!
Papit, si dede që është, kjo i qe dukur fitore. I kish rregulluarë Xhanit rripin prapa pardesysë, se i varej keq dhe e kish përcjellë jashtë.
- Çiao, Rozi! - kish përshëndetur të zonjën e shtëpisë, italani.
- Çiao, Xhani! Baj, baj! - i qe përgjigjur ajo, që brënda halesë.
Kur qe kthyerë, Papi i qe zbrazur të shoqes.
- Dil që andej tashi, moj zuskë e qenit! Se ti në thikë do përfundosh, pa një pa dy!
Dhe e kish llahtarisur gruanë, dyke thyerë xhamin e kristaltë të banjos. Një inat desh ta nxirrte, gjatovili!
- O Peço, or byrazer! - ma shpegonte mua, shkakun që qe treguarë aq i butë. E them hapur unë: pe ligjeve trembem, si pe të madhit Zot! Sidomos ligjet që nuk i njoh, më kallin datën. Pa.. ëhë! Ia kisha bërë Xhanit atë, italankën! Ama, t’i kam zënë, or byrazer, në krevat, saaaapo ishin xhveshur! Më desh Zoti, Peço, arrita me kohë!... Nuku qe bërë asnjë dëm!

 

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama