U ndanë dje në mbrëmje çmimet e "Tirana Film Festival", i cili u mbajt në kryeqytet për dhjetë ditë rresht në ambientet e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Filmi më i mirë i "Tirana Film Festival" është vlerësuar ai i regjisorit spanjoll, Havier Robellos, "Woman without a piano" (Gruaja pa piano). I njëjti film është vlerësuar edhe për çmimin aktorja më e mirë të cilin e ka rrëmbyer Carmen Machi. Edhe filmi "Akademia e Platos" i regjisorit grek Filippos Tsitos u vlerësua me çmimin filmi më i mirë i festivalit. "Lindje, Perëndim, Lindje", filmi i Gjergj Xhuvanit rrëmben dy prej çmimeve kryesore të TIFF. Aktorët Helidon Fino, Lulëzim Zeqja, Gent Hazizi, Ervin Bejleri, Oni Pustina janë vlerësuar me çmimin aktorët më të mirë ndërsa regjisori Xhuvani me regjinë më të mirë. Me çmimin e karrierës janë vlerësuar dy regjisorë të mëdhenj, njëri shqiptar e tjetri grek. Janë i ndjeri Viktor Gjika dhe regjisori i madh grek, Theo Angelopoulos, të vlerësuarit me çmimin e karrierës në TIFF. Ndërkaq, çmimi i mirënjohjes i ka shkuar një tjetër regjisori të madh, atij serb, Goran Paskaljeviç. Çmimi i publikut i ka shkuar Sofie Bars dhe Ilir Kasos. Ndërkaq, juria ka vlerësuar me çmimin filmi më i mirë i shkurtër shqiptar "Shenjat" i regjisores Odeta Cunaj, ndërsa me çmimin inkurajues po për këtë kategori është vlerësuar Blerta Zeqiri, ndërsa me çmimin special, Irida Zhonga. Ndërkaq, për filmin eksperimental më të mirë është vlerësuar filmi "November" nga Boris Greiner, ndërsa çmimi inkurajues eksperimental i ka shkuar filmit "Eulogy" nga Ben Claremont. Çmimi filmi më i mirë i animuar i ka shkuar "Two Princesses", nga Maria Stepanova, ndërsa me çmimin inkurajues është vlerësuar filmi "De si pres" nga Remi Durin. Me çmimin e medias është vlerësuar filmi "Qyteti i djajve" nga Vladimir Paskaljeviç. Për dokumentarin më të mirë janë vlerësuar me dy çmime të parë dy dokumentarë "Two love story" nga Shota Bukoshi dhe "Goloshovo" nga Ilian Metev, çmim inkurajues "Two highways" nga Nick Teplov dhe Alexander Markov. Best Fiction është fituar nga Carmela Sances për "Gipsi and Gipsi". Edhe Digiart, stacioni i vënë në dispozicion prej kompanisë "DigitAlb" vlerësoi pjesëmarrësit me çmimet përkatëse. Filmi më i mirë i animuar u vlerësua "Ankthi", filmi më i mirë eksperimental "Manifesto for a free fall", dokumentari më i mirë "Tarantot", filmi më i mirë i shkurtër "The way", dhe "Evis". Me gjithë këto çmime, "Tirana Film Festival" mbylli dje tiparin mes pjesëmarrësve, miqve e të ftuarve specialë. I vendosur në ambientet e Teatrit Kombëtar, ky festival përcolli për publikun 14 filma me metrazh të gjatë, si dhe rreth 100 filma me metrazh të shkurtër. "Tirana Film Festival" u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, me financimin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë organizuar nga "DigitAlb", "Imperial Cinemas", "Albania Art Institute" dhe "Ska-Ndal Film Production".
Nga : Gazeta Shqip