Reagon Basha: Pushteti po i detyron qytetarët të ndërmarrin veprime të dëshpëruara
Një grua 38-vjeçare ka humbur jetën mbrëmjen e së hënës pas rënies në kontakt me energjinë elektrike në tentativën e saj për të rilidhur linjën e energjisë, të cilën ia kishin shkëputur punonjësit e OSHEE-së gjatë aksionit të saj kundër vjedhjes së energjisë në këtë zonë. Ngjarja e rëndë ndodhi në Spitallë të qytetit të Durrësit, ku Resmie Alla, 38 vjeç, ka tentuar të rikthejë energjinë elektrike në banesën e saj pasi ia kishin ndërprerë. Por errësira dhe mungesa e profesionalizmit, kushteve teknike e kanë çuar drejt vdekjes, duke lënë në hidhërim të plotë familjen e saj.
Paraprakisht bëhet e ditur se OSSHE i kishte prerë furnizimin me energji elektrike familjes Alla, ndaj viktima ka tentuar të rilidhë linjën në fshehtësi natën për të mundësuar ndriçimin e shtëpisë. Në lidhje me këtë ngjarje të rëndë ka reaguar dje edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili, nëpërmjet një postimi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, akuzoi Kryeministrin Edi Rama si autor të këtyre veprimeve të dëshpëruara. “Mbrëmë, një nënë gjeti vdekjen për t’u ofruar dritë dhe ngrohtësi fëmijëve të saj. Pushteti po i detyron njerëzit të ndërmarrin veprime të dëshpëruara për të kryer detyrat prindërore. Në prag dimri, qeveria ka lënë qindra mijë qytetarë në errësirë dhe të ftohtë. Po penalizohen fëmijë, të moshuar dhe të sëmurë se nuk kanë të paguajnë energjinë elektrike. Ky është një krim shtetëror. Oligarkët thonë se janë socialistë, por në vend të shtetit social kanë instaluar një regjim të pashpirt.
Kudo në botë ka një regjistër kombëtar për njerëzit që nuk kanë mundësi pagese dhe ofrohet urgjentisht mbështetja e shtetit. Po këtu ç’është kjo marrëzi? Boll më. Durimi ka një kufi. Shkaktarët e kolapsit ekonomik nuk duhen lejuar ta thellojnë të keqen. E keqja duhet ndalur!”- shkruan kryedemokrati Basha në reagimin e tij. Sa i përket ngjarjes në fjalë, mësohet se ajo ka ndodhur rreth orës 23:20 të së hënës në lagjen 15, në Spitallë. Sipas policisë dyshohet se gruaja ka tentuar të lidhë energjinë elektrike por ka gjetur vdekjen. 38-vjeçarja është dërguar menjëherë në spital, por nuk ka mundur të mbijetojë. Policia, e cila mbërriti menjëherë në vendngjarje, ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave. Më pas Policia dha dhe variantin e saj për ngjarjen ku sqaroi se “nga veprimet e para hetimore, rezultoi se nuk ka pasur drita në banesë dhe me anë të një kallami ka kapur telat në një shtyllë duke e zënë korrenti”, thuhet në njoftimin e policisë.