Hungaria mposhti Austrinë në ndeshjen e saj të parë për finalet e Europianit "Francë 2016", duke kryesuar përkohësisht Grupin F, pasi sfida tjetër e këtij grupi do të luhet në mbrëmje (21:00) mes Portugalisë dhe Islandës.
Pjesa e parë mes Austrisë dhe Hungarisë u mbyll në shifrat 0-0. Goli i parë në këtë ndeshje u shënua nga Adam Szalai në minutën e 63´.
Austriakët patën disa raste për barazimin e rezultatit, por dalja me karton të kuq e Dragoviç në minutën e 66', i penalizoi ata për pjesën e mbetur të lojës.
Zoltan Steiber shënoi golin e dytë në minutën e 87' duke siguruar tri pikët për ekipin e tij.
Në këtë sfidë hungarezët përveç fitores iu gëzuan edhe rekordit të ri të vendosur nga portieri i tyre, Kirali, si futbollisti më i vjetër në fushë. 40-vjeçari theu rekordin e mbajtur nga Lotar Mateus që prej vitit 2000.