Grupi folklorik Bilbili koncerte qe mbushen sheshet ne Poloni

Grupi folklorik 'Bilbili', koncerte qe mbushen sheshet ne Poloni
Grupi Folklorik “Bilbili” zhvilloi një tur disa ditor koncertesh në Poloni, në kuadrin e Festivalit të 21-të Ndërkombëtar të Folklorit “Kupalnocka”, që zhvillohet në qytetin Ciechanoë, rreth 100 km në veriperëndim të Varshavës.
    
Gjatë ditëve të qëndrimit në këtë aktivitet të njohur ndërkombëtar në fushën e folklorit, ku merrnin pjesë grupe nga Turqia, Sllovakia, Gjeorgjia, Polonia e Shqipëria, ansambli shqiptar shfaqi 10 koncerte, ku spikati për nivelin e lartë të interpretimit dhe të prezantimit të vlerave të folklorit shqiptar.
    
Artistët vlonjatë u bënë protagonistë të Festivalit, i cili zhvillohet në katër qytete të ndryshme të rajonit të Ciechanoë, duke u dhënë bukuri e gjallëri skenave të tij, çka u vlerësua maksimalisht edhe nga organizatorët dhe specialistë të folklorit nga vende të ndryshme.
    
Qytetarët e shumtë polakë, në qytetet që mbushnin plot sheshet ku zhvillohej festivali ,në Ciechanoë, Glinojeck, Plonski, Serock, duartrokitën për interpretimin e shkëlqyer, grupin e valleve të vajzave dhe djem të talentuar shqiptarë, që sollën në këto skena dinamizmin, bukurinë fizike dhe atë interpretative, harmoninë e lëvizjeve, ngjyrat e valleve me motive nga jugu e nga veriu.
     
Grupi i polifonisë tërhoqi vëmendjen e artëdashësve për harmoninë e zërave, për thellësinë e pakrahasueshme dhe kombinimin e jashtëzakonshëm të tyre, për vlerat që isopolifonia mbart dhe përcjell tek spektatorët.
    
Instrumentisti i njohur për spektatorin shqiptar dhe për dhjetra skena ku zhvillohen festivale ndërkombëtare të folklorit, mjeshtri i fyellit Vendim Kapaj, fitoi duartrokitje të gjata, ndërkohë që grupi i instrumentistëve popullorë u bë pjesë dinamike e shfaqjeve.
     
Organizatorët e Festivalit të 21-të “Kupalnocka” e vlerësuan Grupin Folklorik “Bilbili” më të mirin e këtij aktiviteti, pavarësisht se ai nuk pati natyrë konkurruese. Ndërkohë, specialistë të folklorit nga Polonia dhe vende të ndryshme shkuan edhe më tej në vlerësimin e tyre, duke e cilësuar një grup perfekt në interpretim dhe ngjyra.     
       
I njëjtë në vlerësimet e tij ishte edhe drejtuesi i grupit të Gjeorgjisë, për të cilin performanca e grupit shqiptar ishte e jashtëzakonshme, apo prezantuesi i këtij aktiviteti, për të cilin interpretimi i grupit të polifonisë, ishte një gjë e rrallë.
     
Ngjyrat e folklorit shqiptar, të sintetizuara tek intepretimi i pjesëtarëve të Grupit “Bilbili”, mbushën me bukurinë e tyre jo vetëm skenat e Festivalit “Kupalnocka” të Ciechanoë, por ato ngrohën edhe zemrat e njerëzve në nevojë në qendra të ndryshme të trajtimit të grupeve të caktuara të popullsisë. Valltarët, këngëtarët dhe instrumentistët e grupit, me bujari dhe dashuri dhanë koncerte humanitare në disa qendra ku trajtoheshin fëmijë me probleme të zgjatura shëndetësore në kryeqytetin Varshëvë, për invalidët e Luftës së Dytë Botërore, për të moshuar me probleme të tjera, duke i dhënë dimension humanitar pjesëmarrjes në Festivalin “Kupalnocka” dhe turit në qytete të ndryshme të Polonisë.

Drejtori i Grupit Folklorik “Bilbili”, Sejmen Gjokoli, tha -në se, “dimensionet e Festivalit të XXI te Ciechanow, në Poloni, dëshmuan se ishin shume planshe, si ne fushen e vlerave te folklorit ashtu dhe ate humanitare e sociale e, nga ana tjeter, spikaten për nivelin e lartë interpretativ të grupit, për ato vajza dhe djem të talentuar  dhe të pasionuar pas vlerave të folklorit, për këngëtarët e grupit të iso- polifonisë, për instrumentistët. Fakti që u vlerësuam më të mirët e festivalit, është një argument tjetër edhe për vlerat që mbart folklori shqiptar, të cilat u përcollën me aq dashuri nga të gjithë; valltarë, këngëtarë e instrumentistë”.

Grupi Folklorik “Bilbili” ka një gjeografi të gjerë pjesëmarrjeje në skena të disa festivaleve të folklorit evropian në 20 vitet e fundit , si në Lituani, në Hollandë, në Turqi, në Itali, Moldavi, Kosove, Maqedoni  etj, ku edhe ka marrë vlerësimet maksimale

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama