Grupi polifonik i Bregut të Himarës hapi edicionin e shtatë të festivalit “Takimet e Coralisules”, në Korsikë. Këto takime u çelën dje në Ille Rousse, me interpretimin e grupit shqiptar. Zërat e ardhur nga Himara u pritën me kureshtje nga publiku korsikan. Presidenti i “Takimeve të Coralisules”, z. Alexis Giuli e ka cilësuar një sukses të këtij aktiviteti pjesëmarrjen e grupit polifonik, të cilët do të interpretojnë gjatë tri ditëve të festivalit. Pjesëmarrja e tyre është realizuar në sajë të bashkëpunimit mes shoqatës franko-shqiptare “Argjiro” me “Takimet e Coralisules”.
Grupi i Bregut të Himarës është një grup polifonik që pason traditën e grupeve të tjera më të vjetra të Himarës, Pilurit, Dhërmiut. Ky grup ka debutuar për herë të parë në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, në vitin 2004. Nën drejtimin e Kristo Çipës, grupi i Bregut të Himarës ka fituar çmime në festivale të ndryshme si: “Bylis polifoni 2008”, “Iso Polifoni”, Vlorë 2008, Berat 2008, Rapshtë 2009. Grupi është nderuar gjithashtu me titullin e “Mirënjohjes së Labërisë”. Në përbërje të grupit janë Kristo Çipa, Eleni Joshi, Eleni Mërkuri, Dhimitraq Bala, Harilla Dhimo, Jani,Qendro Zeneli, Foto Leka, Janaq Tata.
“Takimet e Coralisules” janë një kontribut shtatëvjeçar i korales Cantemu Inseme për të krijuar ura lidhjeje kulture në hapësirën mesdhetare. Repertori i zgjedhur korrespondon me faktin për t’i bërë jehonë muzikës korsikane në të gjitha dimensionet: asaj tradicionale, folklorike dhe moderne. Gjithsej 100 koncerte janë organizuar në Korsikë që prej vitit 2002.