Gudar Beqiraj Rexhep Qosja nuk u perjashtua s’u perzgjodh si referues

Gudar Beqiraj: Rexhep Qosja nuk u perjashtua, s’u perzgjodh si referues
Kryetari i Akademisë së Shkencave sqaron se grupi i punës, i ngritur për akademinë solemne të nëntorit nuk e ka parë të arsyeshme që akademiku Rexhep Qosja të ishte si referues në akademinë e nëntorit. Beqiraj mohon që kjo zgjedhje të jetë politike.

“Një grup i përzgjedhur nga Akademia e Shkencave, shumica historianë, u mblodhën dhe vendosën që në fund të nëntorit të mbahet një konferencë jubilare me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë. Pas kësaj lindi nevoja e diskutimit për platformën dhe për gjeografinë e pjesëmarrjes. Emrat që përcaktoi ky grup janë Shqipëria, Kosova, Amerika, Italia, e Maqedonia. Një konferencë me pjesëmarrje jo të madhe, prandaj u quajt edhe jubilare.

Në listën e referuesve, nuk është përmendur fare emri i akademikut Rexhep Qosja siç nuk është përmendur as emri i akademikut Mark Krasniqi po nga Kosova, emri i Besim Bokshit, Ajet Idrizit, Rexhep Ismajlit etj. Ka edhe shumë akademikë të tjerë që për mua janë të gjithë të barasvlershëm. Nuk ka asnjë lidhje me atë që thuhet në media se është nxjerrë emri i tij dhe është kundërshtuar. Në diskutimet se kush duhet të jetë i pranishëm për të referuar, me sa duket ky komision nuk e pa të arsyeshme që të ishte edhe zoti Qosja.

Mund të ketë gabuar siç gabojnë gjithë njerëzit, por mund të mos ketë gabuar, sepse edhe emrat që unë përmenda më sipër janë mjaft të rëndësishëm në Akademinë e Kosovës”. Ky ka qenë reagimi i parë i kryetarit të Akademisë së Shkencave, z. Gudar Beqiraj, mbi polemikën e përjashtimit të Rexhep Qoses nga akademia solemne e 26 nëntorit. Sipas Beqirajt, komisioni i ngritur ka ftuar ata akademikë që kanë menduar se kanë dhënë më shumë kontribute në këtë fushë. Sipas tij, këtu flitet për akademikë që do të referojnë dhe jo ata që do të jenë të ftuar. I pyetur nëse do t’i bëhej një ftesë akademik Rexhep Qoses për këtë akademi solemne, Beqiraj u shpreh: “Kush e ka thënë që është përgatitur edhe lista e të ftuarve. Ne kemi kontaktuar me personat që kemi ftuar të kenë referatë për të marrë konfirmimin e tyre. Një prej tyre është edhe Ismail Kadare, i cili ka rënë dakord që të jetë i pranishëm. Kur të bëhet procedura e të ftuarve, mund të jetë jo vetëm Rexhep Qosja, por edhe të tjerë”. Kryetari i Akademisë së Shkencave ka mohuar plotësisht faktin që zoti Qosja të mos jetë ftuar për faktin se ka qenë kritik ndaj qeverisë dhe Kryeministrit Berisha. Akademikë të Kosovës si Rexhep Ismajli, Besim Bokshi apo edhe Mehmet Kraja, të pranishëm në Tiranë për promovimin e librit “Shqipja dhe gjuhët e Ballkanit”, një botim me referatet e mbajtura  në konferencën shkencore të 10-11 nëntorit 2011 në Prishtinë, nuk kanë pranuar ta komentojnë këtë rast. Duke folur për kriteret mbi të cilat është hartuar lista e referuesve për këtë akademi solemne, z. Beqiraj ka thënë se do të jenë të pranishëm jo vetëm akademikë, por edhe njerëz që mund të kenë dhënë kontribut në arsimin e lartë. Sipas tij, jo me patjetër duhet të jenë të gjithë akademikë. Për ta mbyllur reagimin e tij, z. Beqiraj ka kujtuar se për këtë rast nuk ka pasur as ndonjë kundërshti nga Akademia e Shkencave të Kosovës. “Ne kemi një akademi simotër të Kosovës me të cilën bashkëpunojmë. Nëse edhe nga kjo akademi do të kemi ndonjë vërejtje në lidhje me listën e pjesëmarrësve, patjetër që do të reagojmë”, ka përfunduar Beqiraj.

Reagim

Pas publikimit të opinionit me titull “U zbyth edhe Akademia…në një klimë zbythjesh të përgjithshme”, shkruar nga Mustafa Nano në numrin e djeshëm të gazetës “Shqip”, ka reaguar nënkryetari i Akademisë së Shkencave, z. Muzafer Korkuti. “Lexova me vëmendje artikullin e z. M. Nano botuar në gazetën ‘Shqip’, dt.28 qershor 2012, f.9. Jam i detyruar të pohoj se gjithçka i referohet personit tim në atë artikull është pjellë e fantazisë së artikullshkruesit dhe nuk ka lidhje me të vërtetën. Vlerësimet nuk bëhen nga citime të pasakta e të shtrembëruara me qëllim, por nga tërësia e saktësia e intervistave e shkrimeve të mia të të gjitha kohëve, për probleme të historisë kombëtare dhe për probleme aktuale të 100-vjetorit të Pavarësisë”, shkruan Korkuti.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama