Komiteti i “Nobelit” deklaroi se ata kishin “revolucionarizuar” shkencën. Kur një spermatozoid fertilizon një vezë, aty gjendet vetëm një lloj qelize. Ajo shumëfishohet dhe qelizat e prodhuara prej saj specializohen për të krijuar të gjithë indet e trupit, përfshirë nervat, kockat dhe lëkurën. Më herët besohej se ky proces kishte vetëm një drejtim dhe se sapo qeliza specializohej, ajo nuk mund të ndryshonte fatin e vet.
Më 1962, John Gurdon tregoi se informacioni gjenetik brenda një qelize të marrë nga zorrët e një bretkose, përmbante të gjithë informacionin e nevojshëm për të krijuar një bretkosë të re. Ai e mori informacionin gjenetik dhe e vendosi atë brenda një veze bretkose. Kloni që u krijua qe një bretkosë tjetër normale. Teknika solli krijimin e të famshmes dele Dolly, mamali i parë i klonuar.
Dyzet vjet më vonë, Shinya Yamanaka përdori një përqasje tjetër. Në vend që të transferonte informacionin gjenetik në një vezë, ai e vuri atë të fillonte nga e para. Ai shtoi katër gjene te qelizat e lëkurës dhe i transformoi në qeliza burimore, të cilat mund të ktheheshin në qeliza të specializuara.
“Zbulimet e Gurdon dhe Yamanaka kanë treguar se qelizat e specializuara mund të kthehen në fazën e tyre të zhvillimit fillestar në kushte të caktuara. Këto zbulime kanë siguruar mjete të reja për shkencëtarët nëpër të gjithë botën dhe kanë sjellë progres mbresëlënës në shumë fusha të mjekësisë”, deklaroi komiteti.
Shpresohet se teknika do të revolucionarizojë mjekësinë, duke përdorur qeliza nga lëkura e njeriut për të krijuar qeliza burimore. Ideja është se kjo mund të përdoret për të riparuar zemrën pas një ataku kardiak apo për të kthyer mbrapsht progresin e sëmundjes së Alzheimerit. Sipas Gurdon, kjo teknikë do të lejojë krijimin e qelizave rezervë të zemrës apo trurit duke përdorur qeliza nga lëkura apo gjaku.