Guttenberg Largimi i ministrit kopjac

Guttenberg: Largimi i ministrit kopjac
Në shumë vende të tjera perëndimore, ndoshta Guttenberg do ta kishte kaluar shumë lehtë e do t’i kishte mbijetuar kësaj stuhie pa problem. Por, në Gjermani jo. Nuk i mjaftoi aspak popullariteti, as imazhi i një 30-vjeçari dinamik, aristokrat, por modern, as reklama mediatike e një martese perfekte me mbesën e Bismarkut.

Në Gjermani, politikanët që dhunojnë ligjin, në fund e paguajnë rëndë dhe nuk rebelohen përballë asaj që drejtësia u rezervon. I turbulluar nga “Copygate”, skandali i plagjiaturës sistematike me të cilën shkroi tezën e tij të doktoraturës, një nga politikanët më popullorë të vendit, ministri i ri i Mbrojtjes, baroni Karl-Theodor zu Guttenberg dha dorëheqjen nga detyra e ministrit dhe deputetit, veprim që solli edhe humbjen e imunitetit. Për më tepër, u tregua menjëherë i gatshëm për të pranuar veprime edhe penale kundrejt tij.

Kjo çështje hap një krizë të rëndë për imazhin dhe sistemin e pushtetit të Angela Merkelit. “Jam e befasuar dhe pranoj me keqardhje dorëheqjen e tij”, - tha kancelarja. Mini-kriza e hapur me rastin Guttenberg e detyroi kancelaren të hiqte dorë në momentin e fundit nga angazhimet me panairin e elektronikës në Hannoverku, ku duhej të promovonte sukseset e ekonomisë gjermane. Dy ditë më parë, ministri i Mbrojtjes i veshur me kostum të errët dhe i nxirë në fytyrë u paraqit para gazetarëve. “Është vendimi më i vështirë i jetës sime.

Kam qenë gjithmonë i gatshëm për të luftuar, por tani jam në kufijtë e forcës time”, - deklaroi ai. Ministri më i dashur i kabinetit ‘Merkel’ kritikoi qëndrimin armiqësor të medias, por u tregua i gatshëm të pranojë me respekt çdo pasojë. Që kur skandali i plagjiaturës së tezës shpërtheu, ministri më popullor në Gjermani i rezistoi presioneve vetëm pak javë. Gjithçka nisi me denoncimin e disa ekspertëve akademikë në të përditshmen liberale “Sueddeutsche Zeitung”. Me një ekzaminim të hollësishëm, ishte bërë një krahasim mes tezës së Guttenbergut dhe dokumenteve të mëparshme, duke arritur në përfundimin se e gjithë puna e doktoraturës përbëhej nga paragrafë të tërë, studime shkencore dhe fraza të kopjuara krejtësisht, pa cituar kurrë burimin origjinal se nga ato ishin marrë, në fund të faqes. Gjithsesi, në shumë vende të tjera perëndimore, thonë shumë politologë, ndoshta Guttenberg do ta kishte kaluar shumë lehtë apo do t’i kishte mbijetuar kësaj stuhie pa problem. Por, në Gjermani jo.

Nuk i mjaftoi aspak popullariteti, as imazhi i një 30-vjeçari dinamik, aristokrat, por modern, as reklama mediatike e një martese perfekte me mbesën e Bismarkut. Në fillim Guttenberg ishte përpjekur të mbrohej e të minimizonte dëmin. Pastaj hoqi dorë nga titulli i doktoraturës, por pas sulmeve të medias dhe opozitës erdhën edhe kritikat nga vetë mazhoranca. “Më vjen turp për këtë rast”, - pati deklaruar ministrja e Arsimit, demokristiania Annette Schavan. Së fundmi, rektorë, docentë dhe akademikë, në një letër të hapur drejtuar Merkelit denonconin dhunimin e të drejtës së autorit dhe dinjitetit shkencor. Në fund të fundit, ishte kancelarja që bëri figurë të keqe nga e gjitha kjo, për administrimin hezitues të këtij skandali. Për më tepër, Guttenberg e mori përsipër t’i japë fund gjithë kësaj, në një kohë kur kancelarja, pas disfatës elektorale në Hamburg dy të diela më parë, do të përballet me zgjedhje të tjera të vështira në shumë shtete. Prandaj ka shumë mundësi që “gruaja më e fuqishme në botë” do të përballet me marsin më të “zi” në jetën e saj.

Veprimi dinjitoz që në Shqipëri është thuajse i panjohur

Për shumë njerëz, ministri gjerman i Mbrojtjes bëri me të vërtetë një gjest heroik. Në fund të fundit, nuk kishte bërë ndonjë krim të tmerrshëm, kishte kopjuar vetëm disa fraza nga interneti dhe prapë vendosi të jepte dorëheqjen për të mos ndotur moralin e  pastër të shoqërisë gjermane. Sjelljet që në Gjermani, Angli apo Francë mund t’i çojnë njerëzit të heqin dorë nga postet e tyre drejtuese, në vende si Shqipëria nuk njihen fare.

Nga ana tjetër, dorëheqja nuk mat vetëm strukturën morale të individit, që mund të dorëhiqet edhe për shkak të dëshirës së tij, për superioritet ose “sepse nuk mund të duronte dot më”, siç bëri Guttenberg, që sigurisht në vende të tjera do t’i kishte akuzuar kundërshtarët e tij se po përpiqeshin t’i prishnin moralin personal, atë të shoqërisë dhe forcës politike që mbronte.

Dorëheqja mat edhe dinjitetin etik të hapësirës ku vepron dhe prestigjin dhe forcën politike të atyre që e arrijnë. Për më tepër, të japësh dorëheqjen përpara se të detyrojnë është një veprim shumë inteligjent dhe elegant. Në shumë vende, përfshi këtu edhe ne, nëse zbulohet se një profesor ka kopjuar, dalin mijëra artikuj në shtyp në mbrojtje të tij nga kolegët dhe jo vetëm, dhe kjo dinakëri harrohet dhe justifikohet shumë shpejt me thënien: “kështu bënte edhe Stendali”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama