Guvernatori Genti Sejko, i cili prezantoi këtë të mërkurë në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave raportin e Bankës së Shqipërisë për vitin 2014, tha se objektivi i institucionit që drejton është, ndër të tjerë, ruajtja e stabilitetit të çmimeve.
“Vëmendja e Bankës së Shqipërisë është përqendruar në mbajtjen në kontroll të inflacionit dhe ruajtjen e stabilitetit financiar. Rezultatet kanë qenë pozitive. Objektiv i Bankës së Shqipërisë është ruajtja e stabilitetit të çmimeve”, theksoi Sejko.
Duke folur për politikën monetare, Guvernatori i BSH-së tha se “politika monetare ëshët zbatuar nën presione të ulëta pfresioniste”, ndërsa theksoi nevojën që “politika monetare duhet të jetë lehtësuese edhe në vitet e ardhshme”.
Sejko paraqiti drejtimet kryesore të punës gjatë vitit të kaluar, përfshirë politikën monetare, stabilitetin financiar, si dhe një përmbledhje të gjendjes ekonomiko-financiare të vendit.
Gjatë prezantimit të raportit, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë parashtroi edhe sfidat me të cilat po përballet ekonomia shqiptare.
Raporti vjetor përmban disa kapituj që trajtojnë përkatësisht: zhvillimet në ekonominë botërore dhe impaktet e saj mbi ekonominë vendase, aktivitetin ekonomik, zhvillimet monetare, mbikëqyrjen bankare, veprimtaritë e tjera të Bankës së Shqipërisë në përmbushje të rolit të saj, si dhe pasqyrat financiare.
Raporti vjetor i dorëzohet Presidentit të Republikës dhe Parlamentit nga Guvernatori, në emër të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.