Guxim Alimani Si u debua nga atdheu Mbreti Leke

Guxim Alimani: Si u debua nga atdheu Mbreti Leke
Guxim Alimani është dëshmitar dhe protagonist i ngjarjes së 19-20 nëntorit 1993, të cilat ai i përmbledh me “dëbimi nga atdheu i mbretit Lekë”. Në një rrëfim të shkruar për “Shekullin”, z. Alimani thotë se “si dëshmitar i atyre 18 orëve të qëndrimit në Atdhe të Mbretit kam për detyrë të sqaroj në detaje dijen dhe përjetimin tim”.

Alimani pohon se “shumë pak njerëz mund ta kenë ditur ekzaktësisht ardhjen e mbretit më 19 nëntor 1993 në Shqipëri”. Përgatitjen për ardhjen e Lekës dhe mbërritjen e tij në Rinas Alimani e përshkruan mes të tjerash me këto fjalë:

“…Guri Durollari kishte filluar në konspiracion përgatitjet për këtë ardhje. Ai kishte prenotuar të gjithë ushtarët luksozë të parkut të delegacioneve, si dhe suitat në hotel “Dajti” duke gënjyer kureshtarët se do të vinte Nëna Mbretëreshë Geraldinë. Po ashtu, nën këtë pretekst, Durollari kishte lajmëruar dhe sponsorizuar mbërritjen në Tiranë të përkrahësve të njohur të Mbretit nga mbarë vendi. Nisja për në Rinas në mesditën e 19 nëntorit u bë e organizuar diku afër stadiumit “Dinamo”. Unë duke besuar deri dikund Gurin arrita të firmos në Ministrinë e Brendshme rreth 70 leje V.Q.A., d.m.th., për t’u futur në territorin ku uleshin avionët. Karvani i makinave ishte dekoruar me flamuj kombëtarë dhe simbole dalluese të monarkisë. Për koincidencë, pikërisht atë ditë dhe në të njëjtin orar, në aeroport do të mbërrinte kryeministri Meksi nga një pritje zyrtare në Bullgari. Avioni çarter që solli Mbretin Lekë arriti i pari. Durollari, sapo ndaloi aeroplani dhe hodhi shkallën, u ngjit lart dhe pas 2 minutash zbriti në mënyrë enigmatike me dy pasaporta në dorë. Më bëri me shenjë ta shoqëroja dhe së bashku u drejtuam në sportelin e policisë kufitare aeroportuale. Miqtë e mi, Çezar Tare dhe Lulëzim Shala, që drejtonin atë kohë policinë e Rinasit më panë me habi tek panë pasaportën e Mbretit Lekë. Ajo ishte një pasaportë ndërkombëtare diplomatike e lëshuar në emër të Mbretërisë Shqiptare. Nuk jam as sot i sqaruar nëse kishte konotacion ndërkombëtar kjo tip pasaporte, por di që ithtarët dhe njerëzit shumë afër Mbretit në emigracion dispononin nga një të tillë (…) Gjithsesi vlen të përmendet se pasaportat e Mbretit Lekë dhe ministrit Abedin Mulosmanaj u vulosën për hyrje legale në territorin e Republikës se Shqipërisë…”

Më pas, Alimani rrëfen se si karvani me Leka Zogun dhe mbështetësit e tij u nis për Tiranë. “Mbreti Lekë de fakto për herë të parë shkelte dhe tokën arbënore, pasi dihet që në largimin e Familjes Mbretërore më 7 prill 1939, ai ishte vetëm një i porsalindur disa orësh. Kështu që do të duhej një penë “alla Kadare” dhe jo imja të mund të bënte një deskripsion afër reales së emocionit të Mbretit dhe besnikëve të tij që e patëm tyre atë ditë të zymtë nëntori 1993. Atë mbrëmje të 19 nëntorit 1993, hotel “Dajti” ku u akomodua Mbreti Lekë u kthye në shtëpinë e monarkistëve Shqiptarë. Mbreti u vendos në suitën nr. 214 të hotelit, më e mira që gjendej. Durollari e kishte prenotuar herët dhomën duke i thënë njëfarë ofiqari të hotelit me emrin Spartak Topollai se e donte për z. Abedin Mulosmanin. Arritja e Mbretit Lekë në hotel, siç do ta merrja vesh pak kohë më vonë, kishte shkaktuar tronditje në qarqet qeveritare dhe më tutje…”

Lidhur me atë që ndodhi më pas në hotel “Dajti”, Guxim Alimani ka një rrëfim edhe më të detajuar në një monografi kushtuar ish-ministrit të oborrit mbretëror, Abedin Mulosmanaj. Më poshtë, rrëfimi i z. Alimani për natën e vështirë në hotel “Dajti” dhe jo vetëm:

“…Për atë datë, unë kam shkruar pa mbarim, si dhe do të shkruaj sërish, pasi mendoj se akoma ka enigma që e mbështjellin atë natë të zezë për qeverinë e post diktaturës së atëhershme. Në librin tim “Fenillotage” – “18 orë pranë mbretit”, menjëherë pas asaj ngjarjeje me realizëm dhe dhimbje njëkohësisht kam përshkruar çdo detaj, prandaj nuk dua t’iu rikthehem të gjithave… Gjithsesi nuk mund të lë pa treguar rolin dhe cilësitë e veçanta të Ministrit Mulosmanaj, të cilat me gjithë fuqinë e tyre u shpalosën në dy ditët e zisë kombëtare të obligimit të largimit të largimit të Mbretit Lekë nga Shqipëria. Ky largim i dytë askush nuk mund të ma argumentojë se ka vetëm një tjetër precedent të mëparshëm, atë të 7 prillit, kur fashistët italianë e detyruan Madhërinë e saj Geraldinë të linte Shqipërinë me Princin Trashëgimtar – sot N.M.T Leka 1 vetëm pak orë të sapolindur. Siç e kam bërë shpesh herë përshkrimin e asaj nate makabre, kur gjysma e atdhetare e Shqiptarëve nuk fjeti aspak, Abedin Mulosmanaj kishte një rol të dorës së parë.

Duke u rrethuar në pabesi me suitën në dhomën Nr: 214 të hotel “Dajtit” nga forcat policore, shik-se dhe gardiste, Mbreti Lekë, Ministri Mulosmanaj u ndodhën në një situatë kritike, ku çdo vendim i nxituar pillte vëllavrasje apo edhe diçka më tepër. Shërbimet e huaja prezente e aktive në Tiranë, duket se do të mundnin ta shfrytëzonin në favorin e tyre këtë situatë, ku GJAH i majmë për ta, pritej të bëhej Mbreti i Shqiptarëve. Dhe faji dhe faqja e zezë do të binin tek shqiptarët, së bashku me pasojat e llahtarshme. Ky skenar falë gjakftohtësisë së gjykimit, si dhe trimërisë së pashoqe të mbretit dhe besnikut të tij, Abedin Mulosmanaj, do të përfundonte pa u kryer për t’i shpërthyer në duar z. Berisha në pranverën e vitit 1997. Sapo gjenerali Agim Shehu, drejtues i këtij Operacioni, do të fillonte ekspeditën, fjalët dhe veprat e Abedin Mulosmanajt qenë të prera dhe të guximshme: “Mbreti i Shqiptarëve, dokumentet e tij, Suita dhe gjithçka mban me vete janë të shenjta dhe nëse dikush guxon t’i prekë do të ketë pasojat më të rënda”.

Burri i fortë, thotë populli, e gjen vetë partnerin e burrërisë. Kështu ndodhi dhe atë mëngjes pas mesnatës së 19 nëntorit. Pasi kishin lënë Suitën e Mbretit për të pushuar ndonjë çast, kur shoferi i PLL-së, Ilir Xhudollari, trokiti në portën time duke më komunikuar thirrjen urgjente të Ministrit Mulosmani. Menjëherë iu gjenda pranë dhe nuk duhej shumë për të hetuar tek ai situatën e dyzuar që e dominonte. Agim Shehut i kishte ardhur në ndihmë një tjetër stërvinë, i quajtur Rexhep Karapici, i cili asokohe i printe SHIK-ut të Tiranës e që më vonë u shndërrua në një kundërshtar edhe të vetë Presidentit Berisha.

Abedini nuk pranonte të zgjonte Mbretin para orarit të zakonshëm, jo se situata nuk diktonte, por se burri i bjeshkëve nuk pranonte sfida spurdhjake, qofshin edhe të veshura me pushtet. Shkëmbyem me Ministrin disa fjalë, të cilat vetëm në një botë tjetër do t’i rikonsumojmë dhe në atë mëngjes të datës 20 rreth orës 3:20 zgjova menjëherë prej gjumit mikun tim Azem Hajdari.

Nuk dua të përmend dialogun, por mund të them se Azemi qe mik dhe simpatizant i Abedinit, të cilin e çmonte shumë. Ndoshta jo vetëm vendlindja, por më shumë cilësitë e rralla e të veçanta e kishin bashkuar me Abedinin. Sapo mbërrita në dhomë paralelisht ra edhe zilja e telefonit të Azem Hajdarit duke ftuar gjeneralin kasnec Agim Shehu në anën tjetër të receptorit: – Alo, jam Azem Hajdari, mos tento të prekësh Mbretin dhe Abedin Mulosmanin se më ke qysh tash krah tyre! Ata siç kanë ardhë do të lëshojnë Shqipërinë, por turpin do ta mbajmë ne.

Dhe vërtetë, Mbreti u largua për t’i lënë pozitës së atëhershme një njollë të zezë pis sa vetë nata që vijoi për të jo pa shumë pasoja…”

Kush është Guxim Alimani

Ka kryer studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në vitin 1996 në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, dega Frëngjisht. Në vitin 1991 ishte redaktor në Radio Tirana, emisioni për bashkatdhetarët. Nga viti 1993, deri në vitin 1999, Alimani ishte kryeredaktor i gazetës “Atdheu”, organ i Partisë Lëvizja e Legalitetit. Po në këta shtatë vjet ka drejtuar Dhomën e Tregtisë belgo-shqiptare. Prej vitit 2001, është atashuar pranë një grupi monitorues të Krizave dhe Proceseve Integruese, iniciuar nga Bashkimi Evropian, ku kryen detyrën e adjutantit. Është botuesi i disa librave me monografi kryesisht të Mbretit Zog, familjes mbretërore. Vazhdon të merret njëkohësisht edhe me publicistikë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama