Hadrianopoli zbulohen pjese te panjohura te qytetit antik

Hadrianopoli, zbulohen pjesë të panjohura të qytetit antik
Drejtuesi italian i punimeve të kësaj ekspedite, profesor Roberto Perna, tha se projekti është vazhdimi i punimeve të nisura tre vjet më parë dhe bën pjesë në marrëveshjen ndërqeveritare të Misionit të Tretë Arkeologjik Zyrtar Italian në Shqipëri, sponsorizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Italisë. Ai është një iniciativë e përbashkët e arkeologëve shqiptarë e italianë të Institutit Arkeologjik të Tiranës, Universitetit të Maceratës dhe konkretisht të Departamentit të Shkencave Arkeologjike dhe Historike të Antikitetit. Drejtoresha e Institutit të Arkeologjisë, prof. Shpresa Gjongecaj, tha se gjatë gërmimeve kanë dalë në dritë struktura të panjohura më parë: muresh, dysheme godinash, kanalizime dhe shumë elementë të shembur, që për herë të parë kanë bërë të njihen më tej këto banesa me interes për studimin e fazave të ndryshme të jetës së këtij qyteti të themeluar në periudhën e Perandorit të madh romak, Hadrianit (shek.II pas Krishtit) dhe që vazhdon të paktën deri në shekullin VI pas Krishtit dhe ndoshta edhe më vonë. Gjatë gërmimeve janë gjetur edhe objekte dhe gjurmë të periudhës helenistike, që padyshim duhet studiuar dhe interpretuar nga ekspertët e arkeologjisë. Gërmimet arkeologjike janë shoqëruar edhe nga studime dhe gjurmime gjeofizike nga specialistët e Universitetit të Kamerinos, të cilët me anë të mjeteve moderne remote sensing (gjeoradar dhe gjeosizmikes) kanë mundur të studiojnë qysh një vit më parë gjithë zonën e mbrojtur të këtij siti që përfshin edhe nekropolin, duke u dhënë arkeologëve të dhëna shumë të vlefshme rreth zhvillimit urbanistik të qytetit dhe duke sqaruar mjaft probleme por edhe pikëpyetje të cilat shtroheshin para fillimit të gërmimeve arkeologjike.

"Për studimin dhe verifikimin e zonave të pastudiuara të qytetit antik të Hadrianopolit është programuar prej misionit arkeologjik që në mesin e muajit gusht të vijë në Sofratikë edhe një grup tjetër specialistësh dhe profesorësh italianë të Universitetit të Kamerinos. Hadrianopoli është një rast ku gërmimet arkeologjike nuk përdoren vetëm për kërkime shkencore, nënvizon profesor Perna, por ato përdoren edhe për t‘i ofruar zonës një element të ri për zhvillimin ekonomik dhe turistik. Po ashtu edhe drejtuesi shqiptar i ekspeditës, as. prof. Dhimitër Kondi, theksoi synimin për të krijuar një zonë të gjerë arkeologjike që lidh teatrin, i cili është zbuluar vite më parë me një pjesë të qytetit, duke krijuar mundësi që të vizitohet lehtësisht nga turistët. Për këtë qëllim, sipas tij, po punohet paralelisht edhe me projektin e ngritjes së Parkut Arkeologjik të Hadrianopolit. Realizimi i parkut arkeologjik do t‘i japë zonës së Dropullit një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe turistik.

Nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama