Hahnn-i Shqiperia si iu duk

Hahnn-i, Shqiperia si iu duk
Departamenti i Gjuhës Gjermane organizon konferencën “Nga Gjermanistika në Albanologji” kushtuar Johann Georg von Hahn-it (1811-1869), themelues i albanologjisë me rastin e 200-vjetorit të lindjes. Brikena Kadzadej, drejtuese e Departamentit, konfirmoi pjesëmarrje ndërkombëtare të studiuesve në takimin shkencor të 2 dhjetorit, në Bibliotekën Kombëtare. Gjuhësia, historia, antropologjia, etnografia, letërsia janë disa fusha që rrokin studimet e Hahnit mbi Shqipërinë dhe aspekte të veçanta prej tyre trajtojnë të ftuarit.

Ka tema që merren me mendimin politik të Hahnit: Dr. Kurt Gostentschnigg nga Universiteti i Gracit me Albanologjia austro-hungareze midis shkencës dhe politikës apo historiani Michael Schmidt-Neke me Mendimi politik i Johann Georg von Hahnn-it. Sepse Hann-i nuk vinte nga katedra. Përfaqësoi si konsull Prusinë, më pas Austro-Hungarinë në Greqinë Lindore ku u njoh me shqiptarë të Greqisë, mësoi gjuhën e tyre dhe i takoi gjatë tre udhëtimeve nëpër Shqipëri në mesin e shekullin të 19-të.

Gjurmimet gjeografike në Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut dhe kontributi i tij në vlerësimin rajonal të potencialeve natyrore dhe humane të vendit, trajtohet në konferencë nga profesorët Skënder Sala e Dhimitër Doka.

Rezultat i ekspeditës ishte “Albanesische Studien” (Studime shqiptare) në tri vëllime, botuar në Jena më 1854. Kjo vepër e bën Hahnn-in pionier të albanologjisë, sepse bota shqiptare është marrë në tërësinë e saj gjeografike, etnike, gjuhësore, arkeologjike. Ajo pati ndikim ndër pasardhësit e albanologëve të gjermanistikës Meyeri, Pederseni, Weigandi, Jokli, Nopsca, Lambertzi.

Prof. Emil Lafe, ideator i konferencës thotë se kontributi i Hahnn-it nuk është i njohur sa do të duhej. “Studime shqiptare” mbetet një projekt i papërfunduar m e përkthimin shqip. “Ka qenë e përkthyer për përdorim të brendshëm në Institutin e Shkencave e më pas në Institutin e Historisë, por të tre vëllimet e “Studime shqiptare” është e domosdoshme të vijnë si botim kritik shkencor.”

Në konferencën e së premtes, trajtesat mbi çështje të prejardhjes së kombit shqiptar dhe autoktonisë së shqiptarëve, i referohen teorisë pellazgjike të Hahn-it, shpjegimeve të tij mbi prejardhjen ilire të shqiptarëve.

Temat nga antropologjia kulturore, letërsia dhe etnologjia, janë pjesa e tretë e konferencës. Pozita sociale e gruas shqiptare dhe vrojtimet mbi mendësinë shqiptare janë lëndë e veprave të Hahn-it në zhanrin e letërsisë së udhëtimit.

Shënimet pas udhëtimit në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni në vitin 1863, i mblodhi në librin “Nëpër viset e Drinit e të Vardarit”, Vjenë 1867, 1869.

“Nëpër viset e Drinit” (dy botime në shqip) përmban të dhëna si kanë jetuar shqiptarët, raportet e tyre me fenë, ligjin, shtetin osman, niveli i zhvillimit ekonomik e social në gjysmën e dytë të shek. XIX.

Nga ky libër kemi shkëputur për ilustrim fragmentin mbi një fenomen të statusit të femrës që Hann- i raporton nga Mirdita. Është një aspekt që zë vend në konferencën e ardhshme. Edhe fotoja ilustruese lidhet me këtë diskutim. Është marrë nga koleksioni digjital i albanologut Robert Elsie. Fotoja e gruas me kostum shkodran është realizuar nga Jozef Sekeli, fotografi që shoqëroi Hann-in në ekspeditën e 1863-it, ne  rezultoi në një koleksion prej pesëdhjetë fotografish – nga më të hershmet në rajon. “Për fat të keq, botimi i fotografive doli tepër i shtrenjtë për Akademinë vjeneze dhe ato nuk u përfshinë në raportin e Hanit, botuar në vitet 1876 dhe 1869”, shkruan Elsie. “Rezultati i kësaj ishte që koleksioni i Sekelit, ndër fotografitë më të hershme të Ballkanit, u la në harresë. Koleksioni u rizbulua në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë prej Mark Kohen në vitin 2000.”

Me rastin e jubileut, Biblioteka Kombëtare ekspozon më 2 dhjetor vepra të Johann  Georg von Hann-it që ruhen në fondet e saj.

Aktiviteti fillon në orën 09.00. Mbështetet nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja i UT, Ambasada Austriake në Tiranë dhe Biblioteka Kombëtare.

Mara e Perlatit, virgjëresha mashkullore

Johann Georg von Hann

Lexuesi, po ashtu si autori do të çuditet veçanërisht për sa i takon një institucioni të mirëfilltë shqiptar që ishte karakteristikë për kryepeshkopatën e Durrësit. Në Shqipëri nuk ekzistojnë manastire katolike për gratë, por në të njëjtën kohë edhe në radhët e virgjëreshave shqiptare ekziston dëshira për të bërë një jetë të virgjër. Në këtë mënyrë, për t’ia përshtatur këtë dëshirë karakterit luftarak të këtij populli, ato e ndërronin seksin e tyre me seksin mashkullor, duke veshur rroba burrash, duke prerë gërshetat, duke marrë një emër mashkullor e duke mbajtur karakteristike që përbëheshin nga pushka, pisqolla e jatagani. Ky ndërrim bëhet nën mbrojtjen e kishës. Për këtë arsye, në të gjitha famullitë, pas kryerjes së kultit fetar, komunitetit të mbledhur aty i bëhet e ditur në mënyrë solemne që filan virgjëreshë ka vendosur t’i kushtohet një jete të virgjër, ka marrë një emër mashkullor dhe për pasojë, në të ardhmen, ajo duhet konsideruar si burrë. Ky ndërrim seksi nuk shoqërohet me ndonjë premtim të posaçëm solemn.

Një ndërrim i tillë i seksit nga ana e një vajze përbën në të njëjtën kohë mjetin e vetëm, për prishjen e një fejese dhe për t’i mbrojtur të afërmit e saj nga hakmarrja e familjes së dhëndrit të çnderuar.

Aktualisht jetojnë katër virgjëresha të tilla mashkullore. Më e dëgjuara prej tyre është Mara e Perlatit, pra një bashkëvendëse e kapedanit besnik të Skënderbeut, Pjetrit të Perlatit. Ajo rrjedh nga familja Presa Doj dhe ka mbetur jetime që në moshë të njomë. Daja i saj e fejoi atë që në fëmini me një turk nga Lura. Kur i mbushi shtatëmbëdhjetë vjeç dhe turku dërgoi njerëz për ta marrë, ajo doli para këshillit të pleqve të krahinës së saj dhe deklaroi se turku do ta detyronte të merrte fenë e tij e, për këtë arsye, që të shpëtonte shpirtin e saj, ajo kishte dëshirë të bëhej burrë. Mandej kërkoi nga daja i saj, armët e të atit, të cilat ajo i mban edhe sot e kësaj dite me emrin e Pjetrit të Perlatit.

Dila e Delbinishtit dhe Mrika e Bishkasit nuk janë fejuar akoma, kur ndërruan seksin e tyre; e para quhet tashti Pjetër, ndërsa e dyta Gjon.

Margjela nga Tena në rrethin e Kthellës ishte dashuruar me një djalë të ri, i cili në fëmininë e tij kishte qenë fejuar me një tjetër. Kur ky i fundit u detyrua t’i hapte rrugë këmbënguljes së njerëzve të tij dhe të martohej me vajzën, me të cilin e kishin fejuar, Margjela, për të mos krijuar raporte gjakmarrjeje me farefisin e saj, ndërroi seksin dhe që nga ajo kohë mban emrin Gjin.

Unë dyshoj që në kuadrin e kishës katolike të ekzistojë, ose të ketë ekzistuar ndonjëherë, në ndonjë vend tjetër, një zakon i tillë. Për fat të keq, unë nuk arrita të informohem për lashtësinë e këtij zakoni, por lejohem të shpreh mendimin tim se ai nuk duhet të jetë i kohëve të sotme.

Veç kësaj është pothuajse për t’u çuditur që ky zakon nuk imitohet në një masë më të madhe edhe nga të tjerët, duke qenë se edhe në këtë vend gruaja mund të thotë me plot gojën “fati i gruas është për t’u vajtuar”. Po ashtu si Greqia e lashtë antike, edhe Mati i sotëm “shkon i armatosur dhe i blen gratë e tij”. Në këto vende çmimi mesatar për një virgjëreshë 3.000 piastra, ndërsa një vejushë e re kushton sa gjysma e këtij çmimi. Megjithatë, kryepeshkopi i sotëm, pas një lufte të gjatë, ka arritur ta zhdukë këtë zakon barbar te katolikët. Dhëndri katolik është i detyruar të paguajë vetëm kostumin e nuses, për të cilin është caktuar një herë e mirë që shpenzimet të kapin shumën prej 850 piastrash…Për karakterin e pastër, domethënë jo të degjeneruar të raporteve seksuale, përveç fakteve të lartpërmendura, dëshmon gjithashtu edhe fakti që vajzat e krishtera ashtu si dhe ato muhamedane, deri në kohën e martesës qëndrojnë pranë deleve të tyre, ku gëzojnë një siguri në kuptimin absolut të fjalës. Sipas thënieve të njëzëshme, për çartjen e kurorës zbatohet dënimi me vdekje dhe, si rregull, ky duhet të vihet në jetë nga farefisi i fajtorit. Megjithatë, me gjithë pyetjet e shumta të bëra nga unë në vende nga më të ndryshmet, unë nuk qeshë në gjendje të identifikoj qoftë edhe një rast të vetëm konkret të një dënimi të tillë…

Ndonëse ndihesha më pak i lodhur nga sa kisha pritur, duke patur parasysh marshimet që kisha bërë gjatë dy ditëve të kaluara, mendova se i detyrohesha kryepeshkopit për të qëndruar një ditë pranë tij dhe për të kuptuar sa mirë u shpërbleva, mjafton të lexosh përshkrimet e mësipërme.

Fragment i marrë nga libri “Nëpër viset e Drinit”. Titulli është redaksional

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama