Hajrie Rondo Ju rrefej jeten time ne skene dhe ne jete

Hajrie Rondo: 'Ju rrefej jeten time ne skene dhe ne jete'
Flet legjenda e skenës shqiptare, autore 20 filmave dhe mbi njëqind roleve në teatër: “Jeta ime është një maratonë artistike shumë e gjatë”.

Në komedinë “Salla e Banjës” që do të shfaqet sot në skenën e Teatrit Kombëtar”,  në ora shtatë të mbrëmjes, ju keni rolin kryesor të kësaj komedie të vënë në  skenë nga regjisorja e talentuar, Inis Gjoni?

Roli që  interpretoj është shumë i bukur.  Pikërisht, ky rol më solli nga Fieri në Tiranë. Ngaqë më pëlqeu mora përsipër interpretimin duke i thënë po ofertës së regjisores së mirënjohur Inis Gjoni.  Më pëlqen vepra dhe  kasta e aktorëve. Në këtë vepër kam si partnere vajzën time, Klea Konomi (Rondo).

Klea ka interpretuar dhe role të tjera apo ky është roli i parë në skenë?

Ka interpretuar te “Tartufi”, në teatrin “Bylis” në Fier. Kemi qenë nënë dhe bijë si personazh dhe si partnere. Ka marrë shumë oferta këto ditë.

Jeni e kënaqur që mori rrugën e mamasë?

Vajza ime u fut në art pa imponimin  tim. Por, jam e kënaqur.

Si të duket kasta e aktorëve të rinj te komedia “Salla e  banjës”?

Shumë, shumë e mirë.  Janë vajza të talentuara dhe ambicioze. Më  vjen keq që do ndahem nga kjo shfaqje dhe nga këto vajza të mrekullueshme.

Do ta vazhdoni bashkëpunimin me regjisoren brilante, Inis Gjoni?

Patjetër që do ta vazhdoj.

Keni interpretuar në shumë  filma dhe kinokomedi? Nga rolet e shumta kë veçoni?

Unë i dua të gjitha rolet. Rolet janë si fëmijët që nuk ndahen. Roli që më ka bërë më shumë të njohur dhe që e konsideroj si emblemën e karrierës sime është personazhi “Tana” te filmi “Përrallë” nga e kaluara” . Kur jam në rrugë apo në ambiente të tjera nuk më flasin me emrin tim, por me emrin Tana.

Po në teatër sa role keni interpretuar?

Afro 120 role.

Po në kinematografi?

Në 40 filma. Veçoj rolet te filmi “Nëntori i Dytë”, “Kur vdes në këmbë, “Petro Nini  Luarasi” dhe  “Një vit i gjatë”,  ku kam rolin kryesor,  rolin e një drejtoreshe  dhe në filmin “Midis njerëzve”. Isha 31 vjeç, kur  interpretova këtë rol në  vitin 1982.

Cili është roli juaj i parë?

Pa përmendur rolet në jetën studentore, rolin tim të parë  në Teatrin Kombëtar e kam patur te drama “Heronjtë e Linasit”, të  Sulejman Pitarkës,  që u vu në skenë në vitin 1972. Në qendër ishin dy heronjtë që u sakrifikuan në puset e naftës. Kisha  rolin e gruas së heroit që u sakrifikua. Në atë kohë teatri sapo ishte krijuar dhe unë  isha shumë e re, 21 vjeçe, por  më duhej të interpretoja,  rolet e nënave të forta, të grave myzeqare dhe  të grave malësore, pra të çdo treve. E konsideroj me vlerë këtë gjë, sepse më bëri që unë t’i hyj thellë botës së madhe shpirtërore të nënave, paralelisht. Gjatë aktivitetit tim më është dashur të bëj punë shumë intensive, për të punuar  paralelisht në teatër dhe në  kinematografi. Jeta ime është një maratonë artistike shumë e gjatë.

Si ka qenë  fëmijëria juaj?

Ka qenë shumë bukur. Gjithmonë, fëmijëria është e bukur. Ka qenë një fëmijëri pak shërbyese, pasi atëherë ishim  të varfër, por jeta bëhej shumë e bukur.  Kam lindur në qytetin e Delvinës, një qytet me tradita arsimdashëse kulturore dhe arsimore. Nga Delvina kanë dalë shumë personalitete të kulturës që përfaqësojnë kombin tonë në të gjitha rrafshet. Kam lidhje shpirtërore  të pazëvendësueshme me qytetin tim. Shkoj edhe tani në këtë moshë, mësoj shpesh, sepse kam fisin tim atje, kam gjakun tim, nënën time. Prandaj ndihem mirë dhe më duket  sikur jetoj atje ditët e rilindjes sime.

Tani që jetoni në Tiranë për çfarë të merr malli për vendbanimin tuaj, Fierin?

Fieri konsiderohet si qyteti i dytë, ku kam pjesën time të madhe.  Sot jam 60  vjeç, por 40 vjet i kam kaluar në Fier. Nëse në Delvinë kam pirë ujin  e burimit dhe kam marrë erën e malit, në Fier kam sjellë lëmin. Në Fier vajta 21 vjeçe; Fieri më rriti, më bëri aktore, më afirmoi, në Fier bëra karrierën, linda fëmijët, u rritën këtu. Kështu që Fieri është një gjëja më e madhe shpirtërore për mua.

Sa fëmijë keni?

Kam dy fëmijë. Vajzën, Klean, që është 37 vjeçe, është bërë dhe mami, kemi një mbesë të vogël si princeshë 5 vjeçe. Kam dhe djalin 33 vjeç, Klintonin.

Cili është profesioni i tyre?

Djali është menaxher në një lokal. Është i martuar, presim një mbesë tjetër në maj. Do bëhem për të dytën herë gjyshe.

Emrin Hajrie, cili jua vuri?

Babai.

Përse  zgjodhi këtë emër?

Më vuri emrin e gjyshes së tij. Ajo ishte një grua me shumë autoritet në lagje. Kur shkonte në vizita nëpër shtëpi e prisnin të tërë. Ishte një grua me shumë personalitet, me tumane siç themi ne, grua me karakter shumë të fortë. “Është një rastësi e bukur, edhe i ke ngjarë, edhe i ke marrë dhe emrin”, – thoshte babai im.

Keni patur ndonjë moment të vështirë në jetë?

Jeta është shumë  e bukur, por, nuk është e shtruar me lule. Jam natyrë që i kam kapërcyer me përgjegjshmërinë time morale dhe shpirtërore.

Në rrugën e artit ju futi familja?

Prindërit e mi nuk janë marrë me art, por ishin artistë të padeklaruar. Në fisin tonë bëhej shumë humor. Genin e artit e kam nga babai im.  Nuk kishte mbaruar shkollën për artin, por ishte një artist, që imitonte dhe  këndonte bukur.

Në adoleshencë, cilët aktorë shqiptarë kishit idhull?

Në shkollë, dilja në dërrasën e zezë midis pushimeve të mësimit, në atë 5 minutëshin, merrja shkumësin dhe shkruaja emrat e aktorëve që njihja  si, Margarita Xhepa, Kadri Roshi, Aleksandër Prosi, Roza Anagnosti dhe të tjerë. Mburresha para shokëve të klasës, se këto një ditë do t’i kem partnerë skene.

Kur kjo ëndërr u bë realitet si t’u dukën këta idhuj të skenës dhe të ekranit?

M’u dukën shumë njerëzorë.  Kur s’kisha mundur t’i takoja më dukeshin të paarritshëm dhe idhuj. Kam bashkëpunuar  me Margarita Xhepën,  Kadri Roshin, Guljem Radonë, Robert Ndrenikën, me të madhin Sandër Prosi dhe me shumë aktorët  tjerë të njohur.

Bashkëpunimi me regjisoren Inis Gjoni si ju duket në aspektin profesional dhe njerëzor?

Inisin nuk e  njihja nga afër. E njihja si vajzë të bukur të ekranit dhe të televizionit.  Por më ka befasuar me korrektesën e  saj.  Është  një  vajzë me humor. Gjatë provave mendoja se, kur kjo vajzë do na bërtasë, por  tek ajo pashë një vajzë me shumë kulturë që e do shumë profesionin.  Jam ndier shumë mirë dhe komode me të.

Ky ishte bashkëpunimi i parë me të?

Po. Por  shpresoj të kem dhe bashkëpunime të tjera me këtë regjisore të shkëlqyer.

Nënë e bijë aktore

Hajrie Rondo,  tashmë është një aktore me shumë përvojë dhe shumë e njohur nga publiku. Ka interpretuar shumë role të bukura, por publiku më shumë e njeh te roli i “Tanës” te filmi “Përrallë nga e kaluara”.  Në rrugën e saj si aktore është futur dhe vajza, Klea Konomi (Rondo), e cila ka interpretuar disa role në skenën e Teatrit “Bylis” në Fier dhe tani në komedinë “Salla e Banjës” me regjisoren  e mirënjohur, Inis Gjoni. Ka mbaruar për aktrim dhe siç tregon mami aktore, ajo e do aktrimin dhe si  hera e parë ka marrë shumë kërkesa për të aktruar.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama