Hajrie Rondo Tana me ndjek dhe sot ne rruget e Bllokut

Hajrie Rondo: Tana, 'me ndjek' dhe sot ne rruget e Bllokut
Aktorja e njohur Hajrie Rondo sot është një nga emrat më të vlerësuar të kinemasë dhe teatrit shqiptar. Me dhjetëra role në film dhe teatër i kanë dhënë aktores momente shumë emocionuese, por dhe një punë dhe sakrificë të madhe për të arritur më të mirën nga ana artistike. Në intervistën dhënë për gazetën, aktorja tregon se plot 40 vjet në teatër, ajo ka ndarë në skenë dhimbjet, gëzimet, hidhërimet, trishtimet, arritjet, vlerësimet, rolet e pafundme. Shumë e vlerësuar aktorja është dhe në kinematografi. Së fundi ajo po xhiron personazhin e teto Files në filmin “Agon” me regji dhe skenar të Robert Budinës. Aktorja tregon se ndihet mirë me rolin, ku këtë herë ajo është një grua pensioniste. Me dekada në teatër dhe kinematografi, për Hajrie Rondon filmi “Përrallë nga e kaluara” mbetet emblema e kinematografisë shqiptare.

E cilëson si majën e interpretimeve të saja. Vlerësim i bërë nga shumë specialistë të kinemasë shqiptare që shprehen se ka vënë një kurorë me atë rol. Fakti që figurën e Tanës e kishte ëndërruar që studente, por dhe me origjinë ishte nga jugu i solli përshtatjen me skenarin dhe me realizimin e kësaj figure. Nga ky film veçon skenat e xhelozisë dhe qëndisjen e raporteve të Tanës me burrin, djalin dhe nusen. Shprehet se Tana ka qenë një eksperiencë e shkëlqyer dhe ka marrë kaq shumë deklarata dhe komplimente për atë interpretim, sa ndjehet e tejngopur. Për aftësitë e larta profesionale dhe talentin e saj të spikatur, ajo është vlerësuar nga kritikë dhe figura të shumta të artit skenik shqiptar

- Jeni në kastin e aktorëve të filmit “Agon” me regji dhe skenar të Robert Budinës. Si erdhi ky bashkëpunim?

Nuk ka qenë një rastësi, pasi unë kam bashkëpunuar me ta dhe në filmin “Ballkan Pazar”. Ishte një telefonatë nga Tirana, ku ai më erdhi dhe në Himarë pasi atje unë rri, më prishi mendjen. Sigurisht që unë dhashë miratimin për të qenë në këtë film. Të dy vëllezërit Edmond dhe Robert Budina janë të dy artistë të mirëfilltë. Janë njerëz artistikë dhe kjo falë përpjekjeve të tyre të jashtëzakonshme për tu prezantuar mirë me punët e tyre, me atë që kanë marrë përsipër të realizojnë dhe e bëjnë shumë mirë punën e tyre. Në filmin “Ballkan Pazar” Edmondi ishte dhe skenarist, regjisor, dhe interpretonte në rolin e priftit dhe besoj se ai film komunikoi mirë dhe mjaft ngrohtë me publikun. Ishte një film, i cili bazohej në një histori të vërtetë, nga një ngjarje pak tronditëse. Në këtë film unë kisha një rol modest atë të nënës, por për mua ishte një përvojë e mirë dhe një eksperiencë e rëndësishme për mua.

-Po në filmin “Agon”, cili do të jetë personazhi juaj?

Në filmin “Agon” roli im zë më tepër vend. Kam rolin e një gruaje që është pensioniste rreth të 60-tave. Unë interpretoj teto Filen, dhe kam partner në rolin e bashkëshortit Nikolla Llambron aktor nga Gjirokastra, i cili ka vite që jeton në Greqi, një aktor shumë serioz. Unë e lexova skenarin dhe më pëlqeu roli i pensionistes. Teto Filja këtë herë është një pensioniste në rolin e gruas së devotshme, që i shërben burrit të saj, sepse ai ka një miopi dhe i duhet të shkojë në Greqi që ta operojë syrin, dhe do të qëndrojnë tek nipi i burrit. Kjo i bën përshtypje nuses greke të nipit, e cila nuk mund ta kuptojë që ne kemi këto zakone.

-Këtë vit keni qenë shumë e aktivizuar në skenën teatrore, por dhe në kinematografi, çfarë mund të na thoni rreth kësaj?

Kjo ka ardhur falë dashurisë sime që kam për profesionin, pasi po nuk pate dashurinë, po nuk pate idealizëm, asgjë nuk arrihet. Profesioni jonë po e le të la, unë edhe pse kam dalë në pension ngrihem nga Himara dhe vij në Fier dhe në Tiranë, pasi unë jam në rrafshin tim dhe dua ta prek skenën. Kjo është jeta jonë, unë nuk mund të bëj dot pa këtë profesion. Pensioni është një akt zyrtar ligjor, por ne duhet të punojmë akoma. Zoti të na japë shëndet dhe energji, sepse nuk mund të ndahemi nga profesioni. Unë do të vijoj me këtë profesion sa të kem frymë.

-Në rolet tuaja gjatë këtyre dy dekadave, cili ka qenë roli që ju ka dhuruar më shumë momente emocionuese?

Mendoj se ka qenë roli i Semit tek filmi i Sajmir Kumbaros “Ne dhe Lenini”. Ishte personazhi i shefes së kuadrit, para viteve ’90 ne e kemi pasur modelin e gruas pak të fortë. Semi ka mbetur tek dogmat e sistemit totalitar, bën të fortën. Unë u mundova që të isha nën lëkurën e këtij personazhi.

-E ndërkohë po para këtyre viteve, vijon të mbetet Tana për ju roli më i realizuar artistikisht?

Rolin e Tanës e kam interpretuar në moshën 36 vjeçe dhe do ta konsideroj si më të arririn. Unë jam fatlume që e kam lozur atë rol, ai mbetet dhe maja e kinemasë si film, si maja e komedisë shqiptare. “Përrallë nga e kaluara” është një film, i cili do ti rezistojë kohërave ashtu si dhe filma të tjerë të bërë me shumë punë dhe dashuri. Mua më pëlqen ai rol, sepse u realizua ëndrra ime sepse unë e njihja si komedi. Unë e personazhin e Tanës e kisha brengë për ta interpretuar dhe sikur zoti e dinte këtë gjë ma solli mua. Unë jam vetvetja dhe e njoh gruan e jugut, si dhe më kanë ndihmuar shumë elementët e mjeshtërisë së aktorit që kam. Unë e njoh psikologjinë e tyre, njoh plastikën e personazhit, i njoh në çdo detaj. Tana ka qenë një rol i pikuar për mua, dhe elementët regjisorialë janë elementë që flasin. Në atë kohë ne rrinim në një hotel të Gjirokastrës dhe aty ishte një grua zagorite, dhe unë pata rastin ta pyes për mënyrën e të folurit, unë aty eksplorova. Tana është një simbol i gruas së jugut me ato pozitivistet e saj, por dhe me veset e vogla që ia ka diktuar dhe koha. Ajo sillet me nusen në atë mënyrë si ka bërë dhe vjehrra e saj me të dikur. Ajo e bën këtë sjellje tek nusja, dhe skenat e xhelozisë janë shumë të bukura. Mua edhe sot më thërrasin me emrin e Tanës në ambiente të ndryshme. Më kujtohet se po ecja në rrugët e Tiranës dhe pas meje ishin dy gra dhe po dëgjoja bisedën e tyre. Njëra i thotë tjetrës: “Moj nuk po e gjeja dot, dhe kërko e kërko dhe në fund thashë e gjetaaaaaaaaa Vangjel (qesh)”. Një ditë po kaloja tek Blloku me vajzën dhe dy të rinj më thanë: Me atë rol je magji.

-Si e kujtoni rolin juaj të parë?

Pa përmendur rolet në jetën studentore, rolin tim të parë në Teatrin Kombëtar e kam pasur te drama “Heronjtë e Linasit”, të Sulejman Pitarkës, që u vu në skenë në vitin 1972. Në qendër ishin dy heronjtë që u sakrifikuan në puset e naftës. Kisha rolin e gruas së heroit që u sakrifikua. Në atë kohë teatri sapo ishte krijuar dhe unë isha shumë e re, 21 vjeçe, por më duhej të interpretoja, rolet e nënave të forta, të grave myzeqare dhe të grave malësore, pra të çdo treve. E konsideroj me vlerë këtë gjë, sepse më bëri që unë t’i hyj thellë botës së madhe shpirtërore të nënave, paralelisht. Gjatë aktivitetit tim më është dashur të bëj punë shumë intensive, për të punuar paralelisht në teatër dhe në kinematografi.

-Çfarë shikonit tek kinemaja e atyre viteve, sa punonit për rolin?

Në ato vite kishte dinjitet artistik tek aktori. Ne ishim të përqendruar në pasionin dhe dashurinë për profesionin. Ne luftonim për dinjitet artistik, dhe kjo qëndron akoma tek brezi ynë. Sot kemi të rinj që janë të talentuar dhe e duan profesionin, por kërkojnë hapësira, por nuk kanë. Të gjithë e duam anën materiale por përpara është vlera, arritja është shpirti. Unë kam ndenjur pa gjumë për rolet, kam pasur fëmijët sëmurë, apo dhe mërzitja dhe dëshpërime, por nuk më ka zënë gjumi për ta realizuar mirë rolin. Më kujtohet që kemi qenë me regjisorin Vladimir Prifti tek filmi “Kush vdes në këmbë”, ku unë kisha partner aktorin Guljem Radoja. Atë ditë duhej të xhirohej skena e ardhjes së Petro Ninit të helmuar. Ne i filluam provat teknike që në drekë dhe në mbrëmje që ishte muzgu duhej xhiruar skena, por ne u lodhëm shumë atë ditë. U xhirua dubli i parë, por unë nuk isha e kënaqur dhe i thashë regjisorit që dua të bëhet sërish kjo skenë. Aty kam qëndruar pa gjumë tërë natën, Lina në atë kohë ishte një kulm i figurës sime, por dhe në film. Regjisori nuk tha gjë dhe pas një jave nisën xhirimet në Dardhë. Unë kisha akumuluar për atë skenë, për atë moment. Bëhet dubli i parë dhe unë ia dhashë vajit ku doli loti i vërtetë. Në atë moment unë u kënaqa me interpretimin e rolit.

-Ju ku ndiheni më mirë në role që kanë anën komike apo tek ato që janë dramatike?

Ndihem mirë tek të dy këto lloj rolesh. Mundohem të bëj maksimumin tek ata dhe është një investim i madh.

-E ndërkohë që ju keni spikatur dhe në monodramë?

Monodrama është një formë dramaturgjike shumë e vështirë. Një orë e gjysmë duhet të interpretosh dhe falë dhe elementëve të tjerë të mjeshtërisë së aktorit, por dhe qëndrimit qytetar si nënë, të gjitha këto u mblodhën bashkë. Monodrama “Klithma e një nëne të marrë”, shkruar nga Odise Plaku dhe vënë në skenë nga Mehmet Xhelili ka pasur sukses. Ajo ngjarje ishte dhe e vërtetë dhe në fillim autori e kishte përjetuar vetë, sepse e kishte pasur nxënëse atë vajzë 16 vjeçare. Unë u mbusha shumë në këtë vepër. Me këtë vepër unë jam vlerësuar me çmim të parë tek “Takimi i monodramave në Vlorë”, si dhe çmimin e karrierës në Tiranë.

-Aq sa keni qenë aktive në film keni qenë dhe në skenën teatrore, ku ju spikatët me interpretimin tuaj tek shfaqja “Salla e banjës”?

Ka qenë një eksperiencë ku unë jam ndjerë shumë mirë, jam ndjerë mirë për atë çfarë sillte vepra. Aty ishin në fokus problemet e femrave që janë të shumta. Arsyeja tjetër që jam ndjerë mirë ishte regjisorja Inis Gjoni, që për mua ishte një vajzë shumë serioze. Ajo komunikonte me në mënyrë të shkëlqyer dhe më pas do të them se në këtë shfaqje ishin katër aktore, si dhe vajza ime me të cilat unë u ndjeva shumë mirë. Ato ishin të gjitha të talentuara dhe më rinuan. Ishin vajza pa pretendime dhe unë isha shumë kërkuese me to dhe vajza ime Klea u vlerësua me çmim në festivalin “Apollon” të Fierit. Nuk ishte hera që unë bashkëpunoja me Klean, sepse me të unë kam interpretuar dhe herë tjetër. Ajo është vajza ime, është krijesa ime biologjike dhe këtë radhë ishte edhe partnere me mua dhe do të thosha që unë e ndjeva emocionin e një bashkëpunimi. Në kemi interpretuar edhe tek shfaqja “Tartufi”, në teatrin “Bylis” në Fier. Kemi qenë nënë dhe bijë si personazh dhe si partnere. Është një gjë shumë e bukur dhe secila kishte përgjegjësi për rolin, por dhe për njëra-tjetrën. Ne këshillonim njëra-tjetrën dhe ajo mundohej të merrte nga përvoja ime 40 vjeçare dhe unë merrja nga aroma e trëndafiltë e saj, por edhe e këshilloja, sygjeroja. Klea është një vajzë shumë e dëgjueshme, por dhe unë e vlerësoja këtë.

-Me gjithë këto që ju keni sjellë në teatër dhe film, mendoni se jeni vlerësuar aq sa duhet nga shteti?

Unë profesionin tim në këto 40 vite karrierë artistike i kam besuar zotit që rri lart, zotit që kam brenda meje dhe është dhe një zot tjetër që është spektatori. Karriera ime nuk ka qenë kaq e lehtë dhe mua nuk më ka lodhur puna, sepse unë kam një lajtmotiv në punën time, punë deri në rraskapitje dhe pasion deri në çmenduri. Unë në çdo rol hyja dhe thosha, unë dhe Zoti lart, hyj në garë Hajrie dhe të dalësh e para. Kjo ka qenë ambicia ime. Unë kam qenë larg metropolit dhe karrierën time e kam zhvilluar shumë dhe në Fier. Kam punuar shumë dhe kam pasur shumë ambicie. Gjatë këtyre kohëve unë jam vlerësuar me tre çmime. Vjet në muajin nëntor unë jam vlerësuar në Fier si “Gruaja e vitit”, më pas u vlerësova me titullin “Qytetare nderi e qarkut të Fierit”, dhe së fundi presidenti Bamir Topi më dorëzoi titullin “Mjeshtre e Madhe”. Jam e lumtur dhe do të hyj në memorien time si artiste, sepse janë dy presidentë që më kanë vlerësuar. 13 vjet më parë më ka nderuar me titullin “Naim Frashëri i Artë” ish presidenti Rexhep Mejdani.

-Me kaq vite në profesionin e aktores, por a jeni lodhur?

Kur mban në kurriz kaq vite pune shoqëruar me trofe dhe tituj sigurisht që përgjegjësia gjithnjë shumohet dhe bëhet më e madhe. Mua më pëlqen dhe teatri dhe filmi, por unë e kam nisur karrierën time me teatrin dhe skena teatrore për mua ka tjetër ndjesi. Në teatër e ke spektatorin aty dhe përballë e ndjen frymëmarrjen tij, bashkëbisedon me të dhe është një përgjegjësi shumë e madhe. Filmi është i bukur, por ka një emocion tjetër. Ka një komoditet tjetër, nëse nuk del mirë me një dubël, atëherë bën një dubël tjetër. Filmi ka bukurinë e tij dhe të jep tjetër emocion.

-Së fundi ju do të jeni në fletët e një libri i cili ka në qendër të tij personalitete të artit dhe kulturës. Si ndiheni që do të jeni në këtë botim?

Nuk është thjesht një libër, por Baxhul Merkajn unë e kam një shok dhe një mik të sinqertë. Është një mik i artistëve dhe është shumë njerëzor. Ai punon shumë dhe është shumë i vëmendshëm ndaj artistëve. Unë e falënderoj atë për punën që po bën me këtë libër, i cili do të promovohet më vonë.

Filmografia

Ballkan Pazar (2010)
Ne dhe Lenini (2009)
Dhimbja e dashurisë (2008) TV
Tifozët (2004) - (TV)
Borxhliu (1999) - (TV)
Dashuri në krisma - (1997) (TV)
Gjithë fajet i ka paraja - (1996) (TV)
Pesha e kohës - (1988)
Një vit i gjatë - (1987)
Përrallë nga e kaluara - (1987)
Kush vdes në këmbë - (1984)
Nëntori i dytë - (1982)

Jeta artistike e “Mjeshtres së Madhe”

Rolet e Hajrie Rondos përbëjnë një veçori interesante. Ajo është një nga aktoret më të spikatura në skenën shqiptare për zbërthimet psikologjike të karaktereve dhe si e tillë, është mjaft e preferuar nga regjisorët si, Pëllumb Kulla, Roland Çarka, etj. Rolet e saj në filma kanë pasur partner midis të tjerëve, edhe aktorët e shquar si; Robert Ndrenika, Kadri Roshi, Margarita Xhepa, Roland Trebicka, Fatos Sela, Agim Agolli, Dervish Biba e Guljem Radoja. Ka lozur në filma të rëndësishëm, të tillë si; “Nëntor i dytë”, “Përrallë nga e kaluara”, “Kush vdes në këmbë”, “Një vit i gjatë”, “Një emër midis njerëzve”, “Ne dhe Lenini” etj. Aktiviteti i saj skenik i kapërceu shumë shpejtë kufijtë e Fierit. Në vitin 1987 ajo ftohet të marri pjesë në festivalin ndërkombëtar, në Korinth (Greqi). Në vitin 1990 merr pjesë në festivalin ndërkombëtar që zhvillohet në Izmir(Turqi) dhe në vitin 2004 ftohet në një tjetër festival ndërkombëtar, i cili zhvillohej në Trabzone të Turqisë.

Në karrierën e saj të suksesshme ajo e ka pasuruar biografinë e vet artistike edhe me një serë çmimesh e tituj nderi, akorduar nga juri dhe institucione të ndryshme shtetërore e sociale. Çmimin e parë e ka marr në festivalin e teatrove për rolin e plakës te “Gjëmimi i atij dimri”, në vitin 1976. Çmim të parë ka marr gjithashtu edhe në rolin e Tanës te “Përrallë nga e kaluara” me skenar dhe regji të Dhimitër Anagnostit, në vitin 1988. Një tjetër çmim e ka marrë për rolin e Linës te filmi “Kush vdes në këmbë” me regjisor Vladimir Priftin në vitin 1984. Në vitin 2006 ka marr Çmimin e Karrierës në monodramën “Klithma e një nëne” dhe tre vjet më vonë, me po të njëjtën vepër merr çmimin e parë. Veç kësaj, Hajrie Rondo mban titullin “Aktore e Madhe e Myzeqesë”, dhënë nga Shoqata Social kulturore, “Myzeqeja”. Qyteti i saj i lindjes, Delvina e nderoi në vitin 2008 me titullin e lartë “Qytetare nderi” e këtij qyteti, po këtë vit nderohet me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë”. Së fundi presidenti Bamir Topi i dorëzoi titullin “Mjeshtre e Madhe”. Intervistoi: Julia Vrapi

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama