Partizani i sezonit 2016-2017 ka nisur punën prej ditësh, por vetëm dje drejtuesit kanë bërë zyrtar afrimin e parë në merkaton e verës. Siparin e afrimeve në klubin kryeqytetas e ka ngritur mbrojtësi shkodran Esin Hakaj, i cili gjatë paradites së djeshme ka kryer edhe seancën e parë stërvitore me të kuqtë e kryeqytetit.
Mbrojtësi i krahut të majtë është kërkuar nga të kuqtë që në merkaton e janarit ku Vllaznia u bë pengesë, por së fundmi është arritur akordi mes palëve dhe 19-vjeçari nga dje është veshur i kuq.
"Esin Hakaj është zyrtarisht lojtar i Partizanit. Klubi ka arritur akordin me drejtuesit e Vllaznisë për blerjen e kartonit të mbrojtësit 19-vjeçar, i cili sezonin e fundit e mbylli me kuqeblutë. 15 herë kampionët e vendit kanë realizuar këtë transferim konform të gjitha rregullave duke mbyllur me sukses këtë operacion.
Hakaj, i cili është edhe pjesëtar i ekipit tonë përfaqësues U-21, i është bashkuar sot (dje) skuadrës, teksa ka zhvilluar edhe seancën e parë stërvitore me të kuqtë", kështu njoftoi dje klubi kryeqytetas përmes faqes zyrtare.
Konfirmimi i Vllaznisë- Duke parë që Esin Hakaj nuk kishte dëshirë të qëndronte në Shkodër, drejtuesit e Vllaznisë pranuan të bëjnë disa lëshime sa i takon kontratës, në mënyrë që të mos pengohej karriera e lojtarit dhe në fund u arrit akordi me Partizanin.
Vllaznia do të përfitojë një shumë financiare nga të kuqtë, shumë e cila nuk bëhet e ditur nga palët. Por mësohet se Vllaznia dhe Partizani do të kenë të drejta të barabarta në vlerën e kartonit në rast të transferimit të lojtarit në një klub jashtë vendit. Kalimi te Partizani, që pritet të marrë pjesë këtë verë në Ligën e Kampioneve, shikohet si një mundësi e mirë për mbrojtësin Hakaj drejt hedhjes së hapit të madh në karrierë.
ILIR CARA