Ka shumë mundësi që jo. Shefi i Shërbimeve Sekrete të Presidentit amerikan, Obama, Denis Blair, ishte betuar para Kongresit Amerikan që pas Al-Kaedës rreziku më i madh për Amerikën është “cyber-sulmi”. Që nga ai moment ka kaluar një vit e gjysmë dhe tani që armiku numër një i Amerikës, Osama Bin Laden, u vra dhe trupi i tij iu dha peshqve të oqeanit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ja ku gjenden përballë luftës me një tjetër armik, që në fakt edhe këtë herë si terroristët nuk ka ndonjë fytyrë të qartë, madje këtë herë ndodhet përtej kompjuterit dhe në anonimat të plotë.
Në këto raste, edhe shërbimet sekrete nuk e dinë se nga mund të vijë rreziku. Sulmet janë të shumta, sepse hakerat ndodhen në vende të ndryshme të formëzuar në një ushtri të panjohur, të padukshme me armë të fuqishme dhe shkatërrimtare. Vijnë nga Irani, nga Kina apo edhe Rusia. Pikërisht hakerat kinezë, një vit më parë, gjunjëzuan “Google” që, sipas tyre, mbante përsipër fajin për përhapjen e tregut të lirë në “tokën e dragonjve”. Janë kërcënime të mëdha dhe të frikshme që i kanë detyruar shumë kompani të fuqishme amerikane të shpenzojnë 30 miliardë dollarë në mbrojtje të sigurisë së sajteve të tyre në kundërpërgjigje të një sulmi që nuk dihet se nga vjen, kur vjen dhe me çfarë pasojash.
Është një shifër jashtëzakonisht e lartë që pritet të rritet shumë në kohët në vijim, për shkak se edhe rreziku do të rritet përpjesëtueshmërish. Bota në fakt ka ndryshuar. Dhe jo vetëm me vdekjen e Osama bin Laden, por kryesisht falë atij tërmeti me emrin “Ëikileaks” – sajti i internetit që publikoi sekretet e njerëzve të fuqishëm, një pjesë të anës së tyre të panjohur, të komunikimeve sekrete mes ambasadave.
Ky revolucion duket se ka kapur në befasi edhe vetë Steven Levin. Fjala “haker” është një emër me të cilin gazetari dikur i ri i quajti ata që nisën të përcillnin një kulturë të re në internet, ose më mirë një problem të ri me internetin. Është e pabesueshme që në fakt hakerat e parë janë ata që mbahen si etërit e programeve kompjuterike, duke filluar nga Bill Gates, Stiv Jobs e me radhë. Në kohët e tyre gazetari vendosi që të ndryshonte emrin dhe të mos përdorte më emërtimin “haker”, duke qenë se ishte një term shumë i vështirë dhe të paktë ishin ata që do ta kuptonin se përse bëhej fjalë.
Ndërkohë në kategorinë e këtyre profesionistëve hyn tashmë edhe vetë Mark Zuckerberg, djali i famshëm dhe i shumëpërfolur i “Facebook”. Ishte pikërisht aftësia e tij prej hakeri që e bëri të grabiste materialet e shokut të tij për të ndërtuar vetë atë që sot njihet si “Facebook”. Madje edhe djemtë që themeluan “Google” ishin të aftë si hakera dhe më pas të gjithë këta dolën si sipërmarrës të fuqishëm që bënë miliona me punën e tyre, e cila për hir të së vërtetës bazohej edhe në veprimtarinë e hakerave.
Dhe vijmë tani te më i famshmi i tyre, që në të vërtetë ka një fytyrë, dhe u bë një problem shumë i madh për të gjithë veçanërisht për qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në rastin e tij mund të themi se kemi të bëjmë me një kompani hakerash, e para e këtij lloji, e cila në shfaqjen e saj të parë solli një qëndrim të ri me pasoja dhe reagime të reja. Sulmi që bënë disa kompani ndaj “Ëikileaks” solli një reagim të ashpër të grupeve më të vogla të hakerave ndaj këtyre kompanive, ndër të cilat më të goditurat ishin Visa, Mastercard, Amazon të gjitha shumëkombëshe të akuzuara për kundërshti dhe sulm ndaj kauzës së Assange. Por si mund ta klasifikojmë një veprim të tillë: krim, apo protestë?
Sipas statistikave, vetëm gjatë vitit të fundit janë bërë në të gjithë botën gjithsej 290 milionë sajber krime. Sigurisht që hakerat kriminalë nuk do të jenë të lumtur me gjithë këtë fluks që rrezikon tërheqjen e vëmendjes në sektorin në fjalë. Ndërkohë lufta në rrjet ka formuar tri grupe të mëdha protagonistësh: shtetet kriminale, kundër të cilëve Barak Obama pak kohë më parë shpalli luftë, duke i cilësuar si aksi i së keqes, duke shpallur para Kongresit edhe strategjinë për të luftuar një fenomen të tillë. Së dyti, janë kriminelët e fuqishëm, madje po aq të fuqishëm sa edhe shtetet, pra ata që na zhvatin kartat e kreditit nëpër banka dhe na hyjnë në të dhënat personale për qëllime personale përfitimi. Dhe së fundi janë hakerat ideologjikë, pra ata të këtyre kohëve të fundit, të cilët veprojnë në bazë të një bindjeje personale, apo të një bindjeje më të gjerë. Dhe bëhet fjalë për një aktivitet kaq intensiv dhe të dendur sa mund të konsiderohet pak a shumë si një luftë e vërtetë mes qeverive, korporatave dhe hakerave anonimë.
Ideja është se këto grupe të mëdha hakersash nuk bashkveprojnë kurrë me njëri-tjetrin dhe nuk mbivendosen ndërkohë që armët që përdorin janë të njëta. Bëhet fjalë për armët teknologjike për të goditur sajtet e ruajtura fare mirë nga pikëpamja teknike. Për sa i përket grupeve kriminale ata veprojnë përmes një sistemi që përfshin një tërësi kompiuterash të cilët janë të infektuar paraprakisht me viruse të rrezikshme të cilët më pas dërgohen përmes postës ose fshihen në disa sajte të caktuar. Pikërisht ata nisin që të bombardojnë këta kompiutera. Ideo-hakersat zakonisht i paralajmërojnë sulmet e tyre përmes mënyrave të ndryshme duke i ftuar të gjithë simpatizantët e kauzës së tyre që të bëhen bashkë dhe të qëllojnë. Por sulmet dhe metodat e sulmit janë nga më të ndryshme dhe përditësohen në mënyrë të vazhdueshme dhe shumë novatore.
Engjëj apo djaj, menaxherë apo inxhinierë , terroristë dhe kriminelë, të infiltrua apo njerëz me iniciativë personale ata që e përbëjnë këtë botë janë vërtetë të shumëllojshëm, kanë arsye të ndryshme për të ndërmarrë sulmet e tyre dhe m i të gjitha janë thuajse të panjohur.