Nëntë kërkesa i janë paraqitur qeverisë nga grupi shqiptar i hakerave, “RedAnons_Al” dhe në rast mosplotësimi të tyre, hap pas hapi kanë vendosur “të nxjerrin në shesh të palarat”. Faqja zyrtare e Ministrisë së Drejtësisë dhe më konkretisht regjistri elektronik noterial, në shërbimin e provës dhe përmbarimit gjyqësor, ishin objekti i këtij sulmi. Televizioni “Ai Report” dhe “Shqiptarja.com” zotërojnë të plota kërkesat dhe deklaratat e hakerave. Nëse s’ka reagim për 90 ditë, nga dje, nisin publikimet e para të dokumentave personale të 100 personave dhe do të bëhet e njëjta gjë për çdo ditë.
Gjithçka do të përfundojë me një surprizë të pakëndshme për hapësirën kibernetike shtetërore. Tri lexues i’u kërkuan hakerave hetimin për korrupsion të një zyrtari në fushën e Energjitikës, dikujt që përkrah një forcë politike e që merrej me hekurudhat dhe një gruaje që merrej me regjistrimet. Mes 9 kërkesave të “RedAnons_Al” renditet shmangja e marrëveshjeve me Greqinë në dëm të Shqipërisë, për marrjen e statusit kandidat si dhe kërkohen hetimet për dixhitalizimin e regjistrit noterial. Ata kërkojnë të çohet deri në fund hetimi dhe procedimi penal ndaj ministrit. Kërkesa e katërt ka të bëjë me kontroll të rreptë për zyrtarët që kanë poste shtetërore, pasi janë të korruptuar, teksa në një pikë më tej kërkohen amendamente të ligjeve në fuqi përsa i përket hetimit të zyrtarëve, që të mos ketë afate ligjore për hetimin e tyre.
Më tej, ky grup hakerash insiston në rishikimin e të gjitha gjobave të vëna nga Policia Rrugore në dëm të qytetarëve, për të verifikuar vlefshmërinë e tyre. Në të shtatën kërkesë përmendet përgjysmimi i taksës prej 1200 lekë që çdo familje shqiptare paguan për Radiotelevizionin Shqiptar. Më tej, në pikën 8 thonë se 80 për qind e pedagogëve në Shqipëri marrin para në këmbim të notës. Prokuroria të ndërmarrë aksion në të gjitha universitetet shtetërore, duke ftuar dhe studentët të denoncojnë.
Ndërkaq, në pikën 9, që është edhe e fundit, ky grup hakerash është përqendruar te zhvatja e qytetarëve nga kompanitë celulare. Ata kërkojnë që të vendoset një çmim tavan i arsyeshëm për këto shërbime të detyrueshme për të gjitha kompanitë psh 25 l/min. Ndërkaq, në fund të mesazhit, “RedAnons_Al” falenderon me emra 2 ministra, rezultatet e të cilëve u janë dukur të frutshme. Më 29 dhjetor të 2013-ës, i njëjti grup hakerash sulmoi rubrikën "Shkruaj Kryeministrit" në faqen zyrtare të Kryeministrisë, dhe bënë të ditur për redaksinë e “A1 Report” 179 emaile konfidenciale të qytetarëve, për kreun e qeverisë.