Halim Kosova Ne treg ka ilace false Beqaj Shihemi ne prokurori

Halim Kosova: Ne treg ka ilace false, Beqaj: Shihemi ne prokurori

Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj u akuzua dje në Kuvend nga paraardhësi i tij Halim Kosova se ka futur treg ilaçe të falsifikuara dhe i ka kërkuar qeverisë të verifikojë këto dyshime. Ish-ministri Kosova ka akuzuar ministrin e Shëndetësisë, Beqaj se ka lënë spitalet pa ilaçe dhe se barnat janë vetëm në dorën e disa agjencive farmaceutike që abuzojnë duke futur ilaçe të skaduara. Deklaratat e tij sollën reagimin e Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili tha se çdo akuzë mund të çohet në prokurori. Për çështjet që u ngritën nga deputeti Halimi, ministri Beqaj tha se agjencia e barnave që ai akuzon, nuk është ajo që ishte deri në shtator 2013, që sipas tij, i linte barnat 2 deri në 3 vjet pa i regjistruar. “Agjencitë tuaja të barnave lexonin 800 faqe anglisht për 48 orë! Nuk ndodh më kjo gjë! Ndërkohë, agjencia që nga dita që është drejtor i Drejtori i AKBPM, z. Zhani Levani, nuk ka asnjë konflikt interesi me familjarët e tij. Gjithashtu, nuk ka barna që vijnë në Shqipëri nga Jordania, sepse është territor i ndaluar për import barnash në Shqipëri”, tha Beqaj.

Akuza dhe kundër akuza

Ish-ministri i Shëndetësisë, Kosova, i është rikthyer çështjes së ilaçeve duke insistuar se është e nevojshme që Kuvendi të ndërmarrë veprimet e duhura dhe për ilaçet që pretendohet se janë false. Ai tha se duhet të ndiqen procedurat nga instancat e duhura.

“Unë po e përsëris edhe njëherë, se verifikimi sa më shpejt i dyshimeve se në treg ka barna të falsifikuara është detyrë e qeverisë dhe obligim ndaj atyre familjarëve që kanë humbur të afërmit. Verifikimi i cilësisë së ilaçeve është shumë i domosdoshëm. Hapat që janë bërë pas 23 qershorit janë të tmerrshme. Mund të jem i vetmi si ministër i Shëndetësisë që kam denoncuar çfarë abuzimesh kam gjetur. Ta dini edhe ju se fjala ime, veprimi im do të jetë si qytetar dhe mjek në radhë të parë, pastaj si deputet”, tha deputeti Kosova.

Në lidhje me këto akuza Beqaj tha se është e turpshme që një ish-ministër të shpifë. “Më vjen mirë që mbledh dokumente z. Kosova. Do provohet që jeni shpifës i rëndomtë”, tha Beqaj. Ndërkohë më tej ministri i Shëndetësisë është ndalur edhe te çmimet e barnave. “Kjo është Shqipëria këtu jetojmë. Të njëjtat barna në Shqipëri në vitin 2015 krahasuar me vitet e kaluara është sot 30% më i lirë. Po ta përsëris, nuk mund të këtë dosje me 800 faqe që mund të lexohet në 48 orë. Shqiptarëve, barnat e 2013-ës do t’i kushtojnë më pak sivjet”, nënvizoi Beqaj.

Akuzave të deputetit të PDsë, i është përgjigjur edhe zëvendëskryeministri Niko Peleshi, i cili tha se “Kosova iu bashkua skenarit të ish-kryeministrit Berisha”. Shqetësimit që ngriti deputeti demokrat Kosova, sipas Beqajt, janë të vjetra dhe pa bazë. “Zoti Kosova po bën akuza të përsëritura. Për ilaçet që pretendohen false, instancat të ndjekin çështjen”, kërkoi ai. Ndërkohë dhe zëvendëskryeministri Niko Peleshi tha se është surprizuar nga fjalori i deputetit Halim Kosova.

“Akoma më e rëndë se fjalori juaj është kur mendon se ju z. Kosova ju bashkuat mesazhit dhe skenarit të ishkryeministrit, i cili, në vend që të zbuste tonet pas këtyre ngjarjeve, i shtoi kësaj situate edhe një pasiguri tjetër, duke ju thënë qytetarëve se ju nuk mbroheni. Sot i shtoi pasigurinë familjarëve dhe fëmijëve se ilaçet janë të skaduara”, tha Peleshi. Numri dy i qeverisë është ndalur edhe te siguria e vendit. “Dëshira për të marrë pushtetin nuk mund të justifikojë qëndrimin e opozitës. Keni zgjedhur rrugën e shpifjeve. Keni kaluar çdo limit, keni kaluar vijën e kuqe ku ndahen interesat politike nga interesat kombëtare”, u shpreh zëvendëskryeministri Peleshi.

Tregtia e ilaçeve, Berisha: Prokurori mbylli Dosjen

Nga foltorja e parlamentit ish-kryeministrit Sali Berisha ka folur edhe për çështjen e ilaçeve, të hapur nga deputeti Halim Kosova. Ishkryeministri tha se prokurori po u shërben urdhrave të partisë në pushtet, ndërsa akuzën kësaj radhe i adresoi me qëndrimin që Troci ka mbajtur për një dosje që lidhet me tregtinë e ilaçeve. Ish-kryeministri foli për një skenar korrupsioni, i cili, sipas tij, është kthyer në krim që dëmton qytetarët. “Zhani Levani, vetë është regjistrues, të shoqen e ka në depo. Ky zotëri porosit një ilaç. Dorëzohet në doganat shqiptare me 2.9 euro flakoni. A e din me sa e shet Zhan Levani bashkë më të shoqen e tij. 29 euro ampulën. Kjo dosje është mbajtur në Prokurori dy muaj.

Nga kush thoni ju? Nga heroi i partisë, prokuror Troci, që lëshon urdhra arreste për të njëjtën çështje për Shpëtim Gjikën në emër të partisë, për Fullanin në emër të partisë. Kur vjen puna për ilaçin ai është një kriminel për shoqërinë, por është një hero për partinë”, tha Berisha. Duke iu referuar këtij rasti, ish-kryeministri i kërkoi prokurorit të përgjithshëm të shqyrtojë këtë dosje, e cila sipas tij përbën një rast flagrant për shkeljen e ligjit. Por ky rast është përsëritur në sallën e Kuvendit edhe gjatë orëve të pasdites, në seancën plenare të ditës së djeshme.

Tregu i ilaçeve, Beqaj: Opozita po frikëson qytetarët

Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, në seancën e djeshme është akuzuar nga deputetët e së djathtës për abuzime të ilaçeve. Në fjalën e tij në Kuvend, Ilir Beqaj tha se është e qartë që ka një përpjekje të organizuar, për të ngjallur frikë dhe pasiguri në vend. Prej kohësh tha ai opozita ka akuzuar për monopol të firmave që fitojnë tenderat e ilaçeve. “Prekja e interesave të mirëfillta të lobeve të firmave farmaceutike, po ngrenë tymnaja dhe gjejnë sot strehë dhe te opozita”, tha Beqaj. Të gjitha procedurat e barnave që vijnë në Shqipëri, qoftë ato të regjistruara, sipas tij, zbatohet të njëjtat rregulla dhe procedura.

Nuk ka asnjë bar, tha ministri, që ka një çmim të deklaruar në Shqipëri dhe të shitet 10 herë më shumë, sepse është e pamundur. Ka një çmim të rënë dakord, tha Beqaj, të bërë publik. “Ka marzhe që miratohen me vendime qeverie, siç keni qenë dhe ju në qeveri; dhe ai çmim i vendoset pullës së barit në kuti dhe vendoset në treg. Pra, nuk mund të ketë gjëra, si ato që tha parafolësi. Ndërkohë, një gjë më vjen keq, por sigurisht e thënë nga një person që është dhe mjek, duket që është e qëllimshme. Sot, na u kërkua që Ministria e Shëndetësisë, - ose u tha që është e paaftë të shërojë sëmundjet tumorale. Po, e pranojmë, që ende sot në Shqipëri, por edhe në vende të tjera, është një sfidë ende jo e fituar në kujdesin shëndetësor”, tha ministri Beqaj.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama