Një problem që e kam konstatuar dhe e kam ditur edhe para se të vija në këtë pozicion. Do ta quaja një lloj falsifikimi rrugës. Do të presim deri sa të bëjmë verifikimet e duhura.” Lidhur me këtë, ministri theksoi se do të bëhet një kontroll, i cili parashikon ndërtimin e një sistemi informativ që të mund të kontrollojë të gjitha medikamentet që qarkullojnë në vend. Përveç kësaj, ministri deklaroi se kanë nisur kontrollet për farmacitë e shumta që operojnë në treg, të hapura së fundmi. "Ka një numër të jashtëzakonshëm farmacish.
Më parë ka pasur një lloj rregulli. Megjithatë, për situatën e krijuar unë jap fjalën që do të bëjmë një kontroll, për të parë nëse këto farmaci që janë prezente, i kanë kushtet sipas ligjit të aprovuar për këtë qëllim, në mënyrë që në treg të konkurrojnë ato që plotësojnë kushtet sipas ligjeve shqiptare", tha Kosova. Nga ana tjetër, ministri u premtoi grosistëve farmaceutikë edhe zgjidhje apo lehtësira, për regjistrimin e barnave, importin e tyre apo pullën e dyfishtë. Tenderët e ilaçeve janë një tjetër problematikë, e cila shprehet sa herë që përmendet qendra më e madhe spitalore në vend, QSUT-ja. Ministri Kosova shprehet i vendosur për të mos lejuar asnjë rrugë korruptive për të fituar tenderët e ilaçeve, apo për të penguar firmat konkurruese në tregun e hapur.
"Do t'ju tërhiqja vëmendjen që ta fiksoni mirë në mendje të gjithë ju. Firmave farmaceutike, për të fituar një tender, për të shpërndarë ilaçe, apo për t'u hedhur në tregun shqiptar, nuk do t'i duhet asnjë lloj veprimi korruptiv apo nën dorë, qoftë për veten e tyre për krijuar lehtësira, qoftë edhe siç e kam informacionin për të bllokuar shokun apo kolegun, në dëm të çmimeve apo të furnizimit me ilaçe të popullatës", theksoi Kosova.
Ministri premton tu vërë fre një herë e përgjithmonë vonesave në zbatimin e ligjit, favorizimeve selektive, konkurrencës jo të ndershme apo shkeljeve të procedurave ligjore që shoqërohen me përfitim të padrejtë dhe abuzime me detyrën. Pikërisht këto janë edhe pikat e dobëta të funksionimit të rrjetit farmaceutik në vend. Sipas ministrit Kosova, tashmë do të marrin fund këto metodat abuzive në dëm të pacienteve.
Përveç kësaj, Kosova kërkoi një “luftë” më të madhe për të parandaluar abuzimet në tregun e medikamenteve duke shtuar se prokurimi i medikamenteve do të bëhet në mënyrë transparente. “Nëse do të ketë veprime në drejtim të menaxhimi dhe prokurimit të ilaçeve do të thotë që fondi për sistemin e shëndetësisë do të shkojë i copëtuar, duke hasur mungesa në punën tonë të përditshme, pasi krijon terren edhe për veprimet jokorrekte me pacientët. Prandaj ne do të presim çdo lloj rruge që nuk i shërben punës”, theksoi Kosova.
Problematikat
1.Importi i ilaçeve. Probleme të cilat lindin gjatë kontrollit doganor, kontrollit të cilësisë, marrja e lejes së importit, leja e përdorimit të ilaçeve. Do të bëhen verifikime nëse çmimet përputhen me faturën e deklarimit.
2.Koha e regjistrimit të barnave. Ka ankesa për ekzistencën e disa firmave që mund të marrin për vetëm dy javë lejen e importit, dhe të tjerë që leja e importit u lihet një vit apo më shumë dhe që nuk e marrin sërish. Sipas ministrit Kosova, është shkak i ndonjë firme që mund të paguajë diku dhe të stopohet konkurrenca. Kështu, ulet konkurrenca duke krijuar tek pacienti çmime të larta, joreale.
3.Shërbimi farmaceutik në vend pa rregull. Numri shumë i madh i farmacive ka krijuar kaos në shërbimin farmaceutik. Për këtë do të ushtrohet një kontroll për të parë nëse ato i plotësojnë të gjitha rregullat e funksionimit.
4.Falsifikimi i medikamenteve. Janë hasur disa herë sasi të mëdha ilaçesh të cilat vijnë nga një vend dhe ambalazhohen në një vend tjetër. Këtë manipulim, ministri e quan një lloj falsifikimi të ilaçeve gjatë rrugës. Premtohet nxitja e konkurrencës së ndershme.
Nga 245 farmacistë, vetëm 117 arrijnë të kalojnë provimin. Ata që vijnë nga universitete private kryesojnë listën e “ngelësave”. Kreu i Urdhrit të Farmacistëve: Një farmacist për çdo pallat. Stop Universiteteve private
Rituali, ngelin më shumë se gjysma e farmacistëve të ardhshëm
Rezultati i dobët i farmacistëve të rinj në provimin e shtetit ka bërë që të përsëritet situata e vitit të kaluar, ku më shumë se gjysma e farmacistëve ngelin. Ky veprim, i kthyer tashmë në një ritual të përvitshëm ka tronditur jo pak seriozitetin e universiteteve private në vend. Alarmin e jep Presidenti i urdhrit të Farmacistit, Arjan Jaupllari. Sipas shifrave të bëra publike tashmë, 52.2 për qind e farmacistëve të futur në provimin e shtetit nuk kanë mundur të kalojnë këtë fazë, çka i penalizon ata për mosmarrjen e licensës për ushtrimin e profesionit.
Për këtë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka vënë në dispozicion pesë mundësi që në fund të fundit, të gjithë të mund ta kalojnë këtë hallkë, duke gëzuar kështu edhe të drejtën e ushtrimit të profesionit. Situata rëndohet edhe më tej, kur konstatohet që pjesa më e madhe e të testuarve futen për herë të dytë në provimin e shtetit. Kwsaj rradhe nw Provimin e Shtetit për farmacistet morën pjesë 245 kandidatë, nga të cilët kaluan vetëm 117. Mbetësit i përkasin atyre që janë diplomuar në universitetet private. Lidhur me këtë fakt, Presidenti i Urdhrit të Farmacistit, Arjan Jaupllari ka kërkuar rritjen e pragut të kalimit të Provimit të Shtetit, duke e parë si të vetmen mënyrë për të nxjerrë në treg një brez të aftë farmacistësh.
“Niveli i studentëve që vjen nga universitetet private është shumë i dobët dhe lë për të dëshiruar. Nisma jonë është që të ndryshojmë pragun e kalimit të provimit të shtetit nga 50 në 70 pikë. Apo vendosjen e penalltisë që të bëhet kualifikimi i saktë dhe të rritet cilësia e studentëve që mbarojnë studimet për farmaci”, thekson Jaupllari. Përgjegjësinë për këtë, Jaupllari ia kalon Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, e cila ka detyrë të realizojë kualifikimin e duhur të profesionistëve që dalin nga dyert e fakulteteve publike apo private në vend. “Të gjitha këto kërkesa ia kemi drejtuar autoriteteve të arsimit, por deri tani ende nuk kemi një përgjigje zyrtare. Shpresojmë që për sezonin tjetër të rritet barriera e provimit.
Nëse merren të gjitha këto masa, Provimi i Shtetit është një barrierë për studentët që dalin nga provimi i shtetit, të cilët duhet të kenë cilësi të domosdoshme për shërbimin ndaj njerëzve”, shprehet Jaupllari. Përveç rritjes së pragut kalues dhe barrierës së provimit, Jaupllari shprehet për një ulje të kuotave të pranimit për studentë të farmacisë si dhe ndalimit të punës nga universitetet private në vend. “Ka aq shumë universitete sa me farmacistët që do të dalin nga këto universitete, mund të furnizojmë të gjithë Evropën. Sot ka aq shumë farmaci, sa çdokush në çdo pallat të ketë nesër një farmaci”, mbyll fjalën e tij Jaupllari.