Halim Kosova pastrim ne PD

Halim Kosova, 'pastrim' ne PD

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mbrëmë rreth orës shtatë të pasdites mblodhi në “selinë blu” deputetët demokratë që drejtojnë grupin e Komisionit të Posaçëm për çështjen e dekriminalizimit, për të diskutuar rreth nismës për verifikim e figurës së përfaqësuesve të saj në të gjitha nivelet e përfaqësimit politik. Burime nga PD-ja bëjnë të ditur se në takimin që Basha zhvilloi me ligjvënësit demokratë, u kërkoi atyre që Komisioni i dekriminalizimit të nisë nga vetja. Për të nisur këtë proces, PD krijoi grupin, i cili do të kryesohet nga një prej figurave qendrore të zgjedhjeve të 21 qershorit, Halim Kosova, i cili kandidoi për bashkinë e Tiranës. Ai konsiderohet nga e djathta si një nga figurat më të pastra dhe i papërfolur nga kundërshtarët politikë. Pjesë e këtij grupi do të jenë deputetët Oerd Bylykbashki, Eduard Halimi e Arben Ristani, si dhe disa prej drejtuesve të departamenteve dhe koordinatorët e Partisë Demokratike.

Komisioni

Ish-kandidati i PD-së për bashkinë e Tiranës, Halim Kosova, i pyetur nga “Shekulli” për detyrën që Basha i ka caktuar, tha se për këtë çështje do të prononcohet pasi të kthehet në Tiranë. “Tani jam duke u kthyer nga jashtë, kur të kthehem do të prononcohem ”, tha Kosova. Ndërkohë burime nga PD-ja sqarojnë se Komisioni që do të kryesohet nga Halim Kosova do të bëjë verifikimin e të gjithë emrave që drejtojnë këtë parti nga nivelet më të ulëta e deri në ato më të larta. Gjithashtu do të verifikojë pastërtinë e figurës së kandidatëve të saj për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe të përzgjedhurve të PD-së, për drejtues në nivel politik në të ardhmen në qeverisjen e vendit.

Dekrimininalizimi është kauza politike e kryetarit të demokratëve Lulzim Basha, e cila sipas tij ka nisur të japë frytet e saj të para. “Në kuadër të një procesi filtrimi për çdo figurë që aderon në strukturat e PD-së, kjo forcë politike është e vendosur, që drejtuesit dhe përfaqësuesit e qytetareve duhet të jenë njerëzit me më integritet, të mirëarsimuar dhe të respektuar”, mësohet të ketë thënë Basha. Po ashtu kreu demokrat u ka kujtuar drejtuesve të këtij Komisioni se praktika e përfaqësimit me kriminelë, trafikantë, njerëz pa shkollë, apo me diploma falso, duhet të marrë fund sa më parë, së bashku me autorët e kriminalizimit të pushtetit.

Pastrimi i partisë

Po ashtu mësohet se në mbledhjet e djeshme, Basha u ka kërkuar anëtarëve të Komisionit të krijuar enkas për pastrimin e partisë, që të shohin me kujdes CV­të e të gjithë drejtuesve të të gjithë niveleve, në mënyrë që të mos përfshihen në struktura individë me të shkuar kriminale. Në këtë mënyrë shënohet edhe rikthimi në politikën aktive i Halim Kosovës, i cili prej disa muajsh pas humbjes së zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës, nuk është shfaqur publikisht. Dekriminalizimi është një prej kauzave më të forta të Partisë Demokratike, e cila ka denoncuar shumë raste kur në administratë janë emëruar njerëz me të shkuar kriminale. Komisioni i demokratëve krijohet një javë pas takimit që zhvilloi kreu i PD-së Basha me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, i cili ka kërkuar nga të gjitha partitë që të kryejnë procesin e dekriminalizimit.

Ky i fundit përshëndeti dorëzimin e mandatit nga socialisti Arben Ndoka dhe dhënien e autorizimit Prokurorisë nga Kuvendi për arrestimin e Armando Prengës. Në reagimin e saj ambasada, theksonte se këto vendime i hapin rrugë një sistemi të ri politik me standarde etike të larta. “Ambasada e Shteteve të Bashkuara mirëpret vendimin e deputetit Arben Ndoka për t’u dorëhequr nga parlamenti dhe vendimin për të lejuar arrestimin e deputetit Armando Prenga. Këto vendime përfaqësojnë përparim të mirëfilltë për Shqipërinë drejt krijimit të një sistemi politik me drejtues të standardeve më të larta etike”, thuhet në reagimin zyrtar të Ambasadës së SHBA.

Dekriminalizimi, dorëheqja e Ndokës dhe arrestimi i Prengës

Një javë më parë Arben Ndoka, deputeti i Partisë Socialiste në qarkun e Lezhës la mandatin e deputetit, duke u bërë i pari deputet që dorëzon mandatin, si pasojë e betejës për dekriminalizimin e politikës, ndërsa deputeti tjetër i PS-së Armando Prenga u arrestua pas incidentit në Laç, ku ngelën të plagosur disa persona. Pas dorëheqjes, vetë Ndoka ka sqaruar nëpërmjet një letre se asnjëherë nuk i ka kryer veprat, për të cilat është dënuar 7 vjet në Itali, për favorizim prostitucioni dhe rrëmbim personi, duke paralajmëruar se do të vazhdojë betejën ligjore me drejtësinë për zbardhjen e të vërtetës. Lënia e mandatit të deputetit socialist, Arben Ndoka, është cilësuar nga kryetari i PD-së Basha si një fitore e betejës së opozitës. Përplasja e opozitës me Arben Ndokën nisi menjëherë pas zgjedhjeve të 23 qershorit 2013.

Kur Ndoka bëri betimin si deputet pas dorëzimit të mandatit nga Mimi Kodheli, e cila u bë ministre e Mbrojtjes, u shoqërua me akuza të ashpra nga ana e Partisë Demokratike, e cila pretendonte se Ndoka kishte kërcënuar 2 kandidatët e Partisë Socialiste që të mos pranonin mandatin e deputetes. Sulmi i opozitës kundër Arben Ndokës arriti kulmin në korrikun e vitit të kaluar, kur deputeti i Lezhës goditi demokratin Gent Strazimiri në ambientet e Parlamentit. Prej atij momenti Arben Ndoka u përdor në çdo fjalim të opozitës, si shembulli pse duhet dekriminalizuar politika. Ishte Partia Demokratike, e cila botoi vendimin që gjykata italiane kishte dhënë ndaj Ndokës, duke kërkuar largimin e tij nga jeta politike.

Kreu i Këshillit të Qarkut të Kukësit, Abedin Oruçi, u është përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike, e cila deklaroi dy ditë më parë se zgjedhjet në këshill janë marrë përmes dhunës. Sipas Oruçit, gjatë zgjedhjes së tij nuk ka pasur asnjë incident, ndërsa i kërkon forcës më të madhe opozitare të mos dezinformojë publikun. “Gjatë zgjedhjes sime nuk ka pasur asnjë incident. Kam fakte që vërtetojnë këto që them. Faktet i vë në dispozicion të organeve ligjzbatuese. I bëj thirrje Partisë Demokratike të mos dezinformojë publikun, të mos humbasë ontrollin, të pranojë humbjen”, shprehet ai. Reagimi i Oruçit ka ardhur pas deklaratës së kreut të Grupit Parlamentar demokrat Edi Paloka, i cili dy ditë më parë akuzoi Kryeministrin Edi Rama se ka kriminalizuar edhe Këshillin e Qarkut të Kukësit.

“Në kulmin e debatit për dekriminalizimin, kur mbarë shoqëria e opinioni ndërkombëtar kërkojnë veprim të shpejtë për të shkëputur krimin nga pushteti, Edi Rama ka dërguar në krye të këshillit të qarkut të Kukësit, një person me të shkuar problematike, si Abedin Oruçi. Personazh i kronikave të zeza, mjafton të fusni në google emrin e tij për të parë sa të pasur e ka CV-në, dhe pikërisht për shkak të aktiviteteve të paligjshme u shkarkua nga qeveria e mëparshme nga detyra e kryetarit të komunës Kolsh”, tha Paloka. Sipas tij, Abedin Oruçi ushtroi edhe dje dhunë ndaj sekretarit të këshillit të qarkut, e po ashtu, mori me dhunë zyrën e kreut të këshillit të qarkut, pas një mbledhjeje të paligjshme. Por Partia Demokratike harron se Oruçi.

“Partia Demokratike e dënon këtë inkriminim të zyrës së rëndësishme të kreut të Këshillit të Qarkut të Kukësit, dhe e konsideron si sfidë që Edi Rama po i bën procesit të dekriminalizimit. Ne i kërkojmë Prokurorisë të hetojë me shpejtësi aktet e dhunës së djeshme të Oruçit, dhe kërkojmë vendosjen e ligjshmërisë në Këshillin e Qarkut. Çdo vonesë është mbrojtje e krimit, është promovim i krimit. Qytetarët e Kukësit nuk mund ta pranojnë këtë model të Edi Ramës. Dhe Partia Demokratike bashkë me qytetarët e Kukësit, bashkë me qytetarët e vendit do ta çlirojnë një herë e mirë politikën dhe qeverisjen nga krimi i lidhur me pushtetin”, tha Paloka.

PD: Meta-Tahiri të largohen, parakusht për nisjen e hetimeve

Partia Demokratike kërkon largimin e kryetarit të Kuvendit Ilir Meta dhe të Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Në një dalje për mediat, nënkryetari i kësaj partie Edmond Spaho tha se prej 10 ditësh, kryetari i Parlamentit dhe Ministri i Brendshëm, dy funksionarë të rëndësishëm të shtetit janë pa legjitimitet dhe vazhdojnë të ushtrojnë detyrën edhe pse në sytë e mbarë shqiptarëve janë të akuzuar njëri për marrje ryshfeti e tjetri për lidhje me bandat e trafikut të drogës. Ai tha se kryetari i Parlamentit është akuzuar nga avokatët e qeverisë shqiptare për korrupsion, dhe provat e argumentet e tyre për ryshfetin e Metës janë pjesë e raportit që kanë paraqitur në Arbitrazhin e Vjenës.

Në vijim shtoi se Ministri i Brendshëm akuzohet nga një oficer i lartë i antidrogës me lidhje të forta me partnerët europianë, se është i implikuar me bandat më të rrezikshme të narkotrafikut në jug. Spaho deklaroi se ky vend dhe qytetarët e tij nuk mund të mbajnë në kurriz dy funksionarë të lartë. Në emër të PD ai përsëriti kërkesën për dorëheqjen e menjëhershme të Ilir Metës dhe vendosjen e tij në dispozicion të një hetimi të plotë dhe të besueshëm për akuzat e bëra publike. Në vijim tha se largimi i Saimir Tahirit është parakusht për t’i hapur rrugë një hetimi të plotë e të pandikuar mbi akuzat e tmerrshme dhe faktet e bëra publike për implikimin e tij në trafikun e drogës përmes kushërinjve Habilaj të cilëve ju ka vënë në dispozicion edhe automjetin e tij privat dhe skafin po në emër të tij.

“Dorëheqja dhe hetimi i Ilir Metës, shkarkimi i menjëhershëm i Saimir Tahirit dhe nisja e hetimit për akuzat e rënda ndaj tij, adoptimi pa asnjë vonesë i ligjit për dekriminalizimin si parakusht edhe për rikthimin e besimit në zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe adoptimi i një plani urgjent masash për krizën ekonomike duke ulur taksat dhe rritur pagat e pensionet, kjo është rruga përmes të cilës mund të shpëtohet demokracia dhe stabiliteti i vendit”, u shpreh Spaho. Në mbyllje ai nënvizoi se nëse dyshja Rama­Meta vazhdon me kokëfortësi të kapen me dhunë e arrogancë pas karriges edhe pse nën akuza të pakapërdishme, atëherë do të përballen me forcën e bashkuar të qytetarëve shqiptarë deri në rrëzimin e regjimit të krimit dhe korrupsion.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama