“Çdo kryeministër në botën euroatlantike do të reagonte pas dosjes kriminale të deputetit”
Partia Demokratike vazhdon të kërkojë që Kryeministri Edi Rama të shprehet në lidhje me atë që ajo e cilëson si “dosje kriminale e deputetit të PS-së, Arben Ndoka”. Deputeti i PD-së, Eduard Halimi, denoncoi dje atw që për demokratët është heshtja e mos reagimi i Kryeministrit pas publikimit të fakteve dhe provave për të shkuarën kriminale të deputetit Ndoka. “Mbarë opinioni publik është njohur me provat e pakontestueshme, me dosjen e plotë penale të deputetit të Edi Ramës, Arben Ndoka, të dënuar për trafik prostitucioni në rrethana rënduese dhe për heqje me forcë të lirisë së tjetrit.
Çdo shqiptar është i tronditur nga këto fakte. Dhe çdo shqiptar është edhe më shumë i tronditur nga fakti se Edi Rama hesht.
Edi Rama kërkoi tetë ditë më parë një emër. Kërkoi dhe fakte.
Tani ai i ka edhe emrin edhe faktet, por hesht, bën të paditurin.
Ne e kontestuam kur spostoi dy gra, por atëherë Rama qepi gojën para opinionit publik. A ka ndonjë kryeministër në botën euroatlantike që hesht dhe fshihet kur faktohet se deputetët e tij kanë qenë të lidhur me botën e krimit të organizuar?
Pse nuk u flet qytetarëve të vet, atyre 1 milionëve që ua ka kërkuar dhe marrë votat? Pse nuk u flet partnerëve ndërkombëtarë, ambasadorëve, por i fshihet faktit se ai me firmën e vet ka sjellë në Parlament botën e krimit? Deputeti Ndoka është shpallur fajtor dhe është dënuar për akuza shumë të rënda. Por fajtor është vetëshpallur tashmë Edi Rama, me heshtjen e tij dhe gjendet nën akuzën e eliminimit nga lista të dy kandidateve gra për t’i hapur rrugë me çdo kusht hyrjes në Parlament të personit me precedent të rëndë penal”, deklaroi Halimi. Për PD-në, për këtë ngjarje ka një fajtor, e ai “është Edi Rama, sepse me anë të këtyre deputetëve me të shkuar kriminale, ai godet dhe kërcënon me jetë përfaqësuesit e opozitës. Është fajtor Edi Rama se për hir të aleancës me botën e errët të krimit, ai po kërkon të kapë dhe drejtësinë për t’u shërbyer deri në fund banditëve rreth tij dhe aktivitetit të tyre të paligjshëm. Dhe Edi Rama do ta marrë dënimin nga qytetarët e vendit për kriminalizimin që i ka bërë dhe po i bën shtetit e Parlamentit”.