Jo vetëm dëshpërim për disfatën në fund, por Hamdi Salihi humbet ndeshjen më të rëndësishme të Skënderbeut, pikërisht atë në Vlorë të mërkurën kundër Flamurtarit.
Kartoni i verdhë i marrë pas një ndërhyrjeje ndaj Realdo Filit gjatë pjesës së parë, i ka kushtuar shtrenjtë golashënuesit më të mirë të kampionatit. Salihi ka plotësuar numrin tre të kartonëve dhe është i detyruar të pushojë atëherë kur shërbimet e tij u duhen më shumë se kurrë korçarëve.
Në bisedën pas ndeshjes për "Panorama Sport", sulmuesi nuk u shfaq i dorëzuar, por theksoi se Skënderbeu do ta fitojë titullin në ndeshjen e Vlorës.
Deklarata
"Sigurisht që jam i mërzitur për këtë humbje, pasi nuk arritëm që të siguronim matematikisht titullin. Na ndëshkoi Partizani në momentet e fundit dhe për këtë, jo vetëm unë, por i gjithi ekipi ndien keqardhje. Nuk u treguam të saktë para portës, për të shënuar në momentin kur te Partizani u prishën ekuilibrat.
Kjo u dha shpresë lojtarët e Partizanit, të cilët arritën të shënonin atë gol që tani na ka mërzitur të gjithëve. Më vjen vërtet keq që ndodhi kështu, por gjithsesi fatet e titullit kampion i kemi përsëri vetë në dorë, pasi jemi dy pikë përpara. Partizanit i duhej fitorja, erdhi në Korçë dhe e mori, por edhe neve na duhen tri pikët në Vlorë.
Do të shkojmë për të marrë, përse të mos ndodhë kjo ndaj Flamurtarit! Unë kam shumë besim që do ta fitojë Skënderbeun titullin", ka deklaruar Salihi, i cili mbylli kampionatin me 27 gola të shënuar në kampionat. Praktikisht sulmuesi ka fituar "Këpucën e Artë", pasi kur ka mbetur edhe një takim nga fundi, Sukaj, që është ndjekësi i Salihit, ka shënuar 20 gola.
LLAZI SARO