Hamit Kaba Politikanet po i perdorin figurat historike per fushate

Hamit Kaba: Politikanet po i perdorin figurat historike per fushate
Historiani e sheh si pozitive nismën për të rivlerësuar figura apo ngjarje të caktuara historike, por thekson se kjo duhet të bëhet vetëm nga historianët, bazuar në dokumente të kohës. Sipas Kabës, në këtë fillim shekulli, shqiptarët nuk duhet të jenë më të ndarë në partizanë dhe ballistë.

Ndërsa në mbledhjen e radhës të Komitetit për Festimin e 100-vjetorit të Pavarësisë, Kryeministri Berisha foli sërish për rishikimin e historisë, historianët kujtojnë se kjo e drejtë u takon atyre. Hamit Kaba, shef i Departamentit të Historisë Bashkëkohore në Institutin e Historisë, e sheh pozitive faktin që Kryeministri ndaloi në fjalën e tij te Lufta Nacional Çlirimtare, por sipas tij, çdo rivlerësim ngjarje apo figure duhet të bëhet në bazë të dokumenteve. Kaba thekson se, pavarësisht elementëve të një lufte civile, Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare ishte në thelb një rezistencë e popullsisë shqiptare, ndërsa kujton se përveç Britanisë, nuk duhet anashkaluar Amerika si një ndër aleatët që ndihmoi shqiptarët në rezistencën antifashiste. Në intervistën e mëposhtme, prof. dr. Hamit Kaba tregon të vërtetat historike të LANÇ-it dhe raportet e sotme të politikës me historinë.

Zoti Kaba, Kryeministri Berisha i mëshoi shumë faktit të rishikimit të Luftës Nacional Çlirimtare, duke theksuar edhe elementët vëllavrasës të saj. A mund të flitet në këtë rast për luftë civile?

Unë e ndoqa me kujdes fjalën e Kryeministrit. Problemi i Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare ka gati 20 vjet që diskutohet në Shqipëri. Besoj se kjo çështje të gjejë vend edhe në konferencën që do të organizohet me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar. Historianët dhe opinioni në përgjithësi kanë pasur mendime të ndryshme rreth luftës antifashiste. Gjykimet kanë ndjekur jo rrallë jo thjesht formimin profesional, por edhe kahet e caktuara politike.

Mendoj se tashmë ekzistojnë kushtet për të dhënë gjykime dhe mendime profesionale e të argumentuara në lidhje me këtë problem, sepse tashmë kemi në dispozicion dokumente të shumta shqiptare e të huaja, botime të studiuesve të huaj por edhe kohën e mjaftueshme për të shkruar më me gjakftohtësi.

Besoj se historianët, tashmë kanë një ide të qartë për të vërtetën historike, për atë se çfarë ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, se çfarë ndodhi me shqiptarët gjatë saj. Lufta Nacional Çlirimtare është pjesë e rëndësishme e historisë sonë, e cila duhet studiuar, është lufta gjatë së cilës shqiptarët, për herë të parë që nga krijimi i shtetit të pavarur u atashuan pranë forcave fituese, pranë aleatëve të mëdhenj anglo-sovjeto-amerikanë dhe dhanë kontributin e tyre në një çështje që nuk ishte vetëm problem i tyre, por një kauzë botërore.

Lufta Nacional Çlirimtare në thelb është luftë antifashiste, një rezistencë e fuqishme ku u rreshtuan shumica e shqiptarëve, por ajo ka brenda edhe elementin e një konflikti civil, si ai që përmendi Kryeministri. Ky element është përmendur edhe më herët, që në vitin 1974, por sigurisht pa u thelluar në të dhe pa bërë analiza të plota. Ky fakt theksohet edhe në botimet e autorëve perëndimorë dhe sidomos në dokumentacionin e huaj anglez e amerikan dhe në botimet me kujtime të shkruara sidomos nga anëtarët e misioneve britanike në Shqipëri.

Ky përbërës kanë qenë i pranishëm sidomos në fund të luftës, atëherë kur dukej se fati i saj ishte vendosur dhe pushtuesi ishte drejt tërheqjes. Ky nuk është fenomen thjesht shqiptar, por një fenomen ballkanik sidomos, i cili u shfaq qartazi në Shqipëri, Greqi dhe Jugosllavi. Në këto tre vende u shfaq ky element, ndonëse konflikti kryesor ishte dhe mbeti lufta kundër pushtuesit. Rezistenca e popullit shqiptar e shfaqur denjësisht te Lëvizja Antifashiste Nacional Çlirimtare është elementi parësor dhe thelbësor i saj.

Rreshtimi i shqiptarëve krah forcave të aleatëve të mëdhenj ndikoi jo pak në vendimet e konferencave të pasluftës, për problemin e dëmshpërblimeve dhe në mënyrë të veçantë, në vendimet e Konferencës së Paqes të Parisit, jehona e së cilës u bë barrierë për të ruajtur tërësinë territoriale të vendit kundër kërkesave të Greqisë për territoret shqiptare. Por jo vetëm kaq, lufta me aleatët rriti në njëfarë mase kreditet e Shqipërisë si shtet, pavarësisht nga fakti i fillimit të Luftës së Ftohtë, e cila i kundërvuri forcat perëndimore me ato komuniste, të kryesuara nga Bashkimi Sovjetik.



A janë raporte penguese këto të sotmet mes politikës dhe historisë?

Historia si shkencë relative ka objektin e vet dhe sigurisht lidhjet e saj me politikën. Politika nuk duhet t’i imponohet historisë dhe historianëve. Por jo rrallë këto konfondohen. Politikanët kanë parasysh realitetin konkret dhe gjykojnë për të shkuarën, duke u nisur nga ky realitet. Historianët duhet të jenë më gjakftohtë dhe gjykojnë duke pasur parasysh të shkuarën. Megjithatë të dy kanë të njëjtin objektiv: që historia t’i shërbejë së sotmes dhe të mos përsëriten ato gabime që janë bërë në të shkuarën. Historia nuk është propagandë, ajo ka objektin e vet, metodat e veta të studimit si shkencat e tjera. Për të shkruar një histori serioze, ne duhet të shfrytëzojmë modelet e Perëndimit, të cilat tashmë janë me shumice edhe në duart e historianëve shqiptarë. Roli i qeveritarëve është i qartë, t’u krijojnë kushte historianëve, që këta të fundit të botojnë vepra me standardet e kërkuara. Në këto vende u krijohen kushte shumë të mira studiuesve për të punuar e studiuar, madje nxitet edhe oponenca, si një faktor shumë pozitiv në këto marrëdhënie.

Kryeministri foli për një ndikim të madh të forcave britanike gjatë Luftës së Dytë Botërore. Cila është e vërteta historike?

Ndryshe nga historiografia e para viteve ‘90, në bazë të dokumentacionit, ne kemi filluar të vëmë në dukje rolin e aleatëve të mëdhenj në Luftën e Dytë Botërore, veçanërisht atë të Britanisë së Madhe, por pa harruar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kërkimet tona në arkivat e huaja britanike e amerikane, italiane, gjermane, franceze etj., na kanë krijuar mundësinë të kemi një mendim të qartë për rolin dhe politikën e tyre ndaj Shqipërisë gjatë asaj LDB. Britanikët, për arsyet që dihen, ishin më të interesuar për Ballkanin, ndaj jo më kot misionet britanike qenë të parat që hynë në Shqipëri, Greqi e Jugosllavi që në pranverë të vitit 1943. Por, krahas kontributit të Britanisë së Madhe, duhet të kemi parasysh edhe kontributin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përmes librave e dokumenteve, del qartë që SHBA-të, ndonëse nuk kishin ndonjë interes të madh për Shqipërinë, ndihma e tyre është shumë e rëndësishme dhe një pjesë e furnizimeve që sillnin britanikët në Shqipëri, siç pohojnë edhe vetë anëtarët e misioneve amerikane, ishin me etiketa amerikane. Roli i SHBA-ve erdhi duke u forcuar në Europë edhe në Shqipëri.

Vazhdimisht është folur për rivlerësimin e disa figurave historike, ashtu siç Kryeministri përmendi edhe në këtë takim të radhës. A kanë kontribut real të gjitha këto figura?

Sigurisht që ka figura që duhen rivlerësuar për kontributin e tyre në Luftën e Dytë Botërore, qofshin këta jo komunistë, por edhe komunistë. Megjithatë, spektri që përmendi dje Kryeministri ishte shumë i gjerë. Princ Vidi, Luigj Bumçi, Dom Nikollë Kaçori, Vehbi Dibra e ndonjë tjetër, nuk i përkasin Luftës së Dytë Botërore siç i përkasin Mit’hat Frashëri, Abaz Kupi apo vëllezërit Kryeziu. Rehabilitimi i figurave u përket në radhë të parë historianëve, janë ata që duhet t’i studiojnë, të evidentojnë aspektet dhe vlerat e tyre. Është e rëndësishme të bëjmë rivlerësime, sepse i referohemi një realiteti të caktuar, por nga ana tjetër, ndikojmë pozitivisht edhe në klimën politike të vendit, për të mos qenë ende të ndarë në partizanë dhe ballistë në fillim të këtij shekulli. Shqiptarët janë një komb me vlera të padiskutueshme europiane. Duket se politika e ndarë përpiqet të krijojë jo rrallë ura ndarëse, në vend të urave lidhëse. Palët përpiqen të evidentojnë e mbrojnë ato figura që u shërbejnë qëllimeve politike të tyre. Shqipëria u përket tërë shqiptarëve. Prandaj edhe historia duhet të jetë kombëtare e politike, bazuar në dokumente e botime që të kenë logjikën historike.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama