Hamlet; Premiera e Teatrit Kombetar Eksperimental

TIRANË, 5 Tetor/ATSH-Megi Zonja/ .- "Hamlet", është premiera e cila do të shfaqet më daten 10 tetor ora 20.00 në skenën e Teatrit eksperimental "Kujtim Spahivogli", në Tiranë.

Ne rolin e Hamletit do të interpretojë per here te pare, aktorja Luiza Xhuvani, një rol mashkullor, interpretuar nga një femër për herë të parë në historinë e artit skenik shqiptar. Në teatro të ndryshëm të botës, Hamleti është interpretuar nga aktore femra.

Nën regjinë e Enke Fezollarit, "Hamleti" i Shekspirit do të vijë nën një koncept bashkëkohor, duke e zhvendosur figurën e Hamletit nga mashkull në femër, duke rritur dimensionin përfshirës të veprës dhe të personazhit. "Një Hamlet, i cili nuk do të ndryshojë për botën, por bota të ndryshojë për të.

Një shoqëri ku vlerat e dashurisë janë si hipodromi apo si bursa. Me politikanë oportunistë, ku jetët njerëzore nuk janë veçse një parametër i luftës së tyre për pushtet. Ky është ferri që jeton Hamleti. Hamleti, njeriu i parë bashkëkohor, me ide dhe vlera. Kundër pushtetit të Klaudit dhe Polonit ... ecën në shoqërinë e kalbur të "Danimarkës", shprehet Fezollari për konceptin e tij skenik.

I ardhur nga një përvojë në teatrin grek ku punon prej vitit 2005, zgjedhja e tragjedisë angleze është një formë përmes së cilës ai i flet dhe aktualitetit. Në role të tjera do të interpretojnë aktorët: Andi Begolli, Endri Çela, Julinda Emiri, Anderson Gurra, Ina Gjoni, Ermira Hysaj, Ermir Jonka, Ilia Kaçi, Kristian Koroveshi, Ina Morinaj, Xhino Musollari.

Luiza Xhuvani rikthehet në këtë shfaqje një vit pas interpretimit që bëri në monodramën "Zonjushë Margarita" me regjinë e Kiço Londos.

/f.n/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama