Hapat e fundit te Doris Lessing

Hapat e fundit të Doris Lessing

Të mendosh se këto fjalë vijnë nga një ish-anëtare e Partisë Komuniste (u largua prej radhëve të saj vitin kur Hrushovi mbajti fjalimin e tij të famshëm në Kongresin e 20-të, në të cilin denoncoi Stalinin). Po flasim për Erich Maria Remarque, autorin e "Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit". Së fundmi Doris thotë se ka lexuar një tjetër libër të autorit, një libër që bën fjalë për tre ushtarë gjermanë, të cilët si Hitleri kthehen nga lufta e madhe në kaosin e plotë që mbizotëronte në Republikën e Weimar-it. "Ata shohin njerëzit me miliona marka në duar dhe me barkun bosh. Ishin të revoltuar dhe të pashpresë. Teksa e lexoja librin, befas nisa të kuptoja Hitlerin". Sigurisht, ajo nuk po i del në mbrojtje, thjesht po përpiqet që të shpjegojë shkakun e popullaritetit të tij të madh. Lessing është një rast i rrallë në shumë drejtime. Për shembull, sa persona të moshës 88-vjeçare mund të jenë shndërruar, sikundër ajo, në fenomene botërorë në YouTube? Kjo ndodhi me nobelisten vitin e kaluar, kur i gjithë shtypi i planetit erdhi para shtëpisë së thjeshtë në West Hampstead, ku ajo jeton që prej 30 vitesh, për të parë nga afër njeriun që mori çmimin e madh të letërsisë.

Askush nuk do ta harrojë reagimin e saj indiferent ndaj ngjarjes dhe shprehjen e saj: "Oh, Krisht! Kjo nuk ka rëndësi. Unë i kam fituar të gjitha çmimet në Evropë. Të gjitha, pa përjashtim". Ditët në vijim ajo u tregua pak më e ëmbël dhe nisi të thoshte gjërat e duhura, por kur e pyesin tani për "Nobel"- in, ajo sërish thotë: "Kush janë ata njerëz? Vetëm një grusht dreq suedezësh". Doris vazhdon të jetojë në të njëjtën shtëpi me të birin, Peter, i sëmurë nga diabeti. Ditën që Dorisit iu dha çmimi, ata sa po ktheheshin nga spitali. Një tjetër djalë i ka vdekur tashmë nga një goditje në zemër, në vitin 1992. Duke iu rikthyer komenteve për "Nobel"-in, Dori thotë se çmimi drejtohet nga njerëz që mendojnë për veten e tyre dhe mundohen që ta bëjnë industrinë e botimeve në botë të vallëzojë sipas ritmit të diktuar prej tyre. Unë njoh persona që e kanë fituar këtë çmim dhe ata më thonë se për një vit të tërë kanë reshtur së punuari dhe i janë kushtuar çmimit, kërkesave të komisionit, veprimtarive të ndryshme. Shtëpia ku Doris jeton me të birin është nga ato shtëpitë e zakonshme. Dhoma ku rri shkrimtarja është tipike për një njeri të profesionit të saj: kaotike, si një dyqan çikërrimash. Aty gjen libra pa fund. Disa në rafte, të tjerë në tavolinë, apo edhe në tokë, sheh më pas një glob, maska afrikane, bojëra vaji, rrugica që mbulojnë dyshemenë. Doris e kalon pjesën më të madhe të ditës në këtë dhomë. Fle në një divan të kuq, për shkak të dhimbjes së kurrizit, shkaktuar nga osteoporoza. Divanin e ndan me macen e saj të madhe. Kjo grua e gjatë e me flokët e bardhë, që i rrinë rrëmujshëm mbi krye, është një nga shkrimtaret më prodhimtare dhe jashtë konvencioneve të kohës sonë. Aktualisht po shkruan një roman që thotë se është i fundit për të.

Deri tani ka shkruar rreth 50 libra, por duket se për Dorisin nuk funksion shprehja "kurrë nuk është mjaft". Pjesa e parë e "Alfredi dhe Emilia" është një roman mbi fatin e prindërve të saj, në rast se nuk do të kishte plasur Lufta e Parë Botërore. Pjesa e dytë është një autobiografi e prindërve të saj. E ëma ishte infermiere në luftë, ndërsa i ati ushtar. Në vitin 1917 desh humbi jetën, e megjithatë nuk shpëtoi dot pa humbur këmbën. "Mbaj mend tim atë që fliste shumë për shokët që i ishin vrarë në beteja. Shpesh i bënte pyetje vetes me zë të lartë, nëse do të kishte qenë më mirë për të që të kishte mbetur edhe ai me ta në fushën e betejës. Pavarësisht paaftësisë, im atë kurrë nuk hoqi dorë nga jeta aktive. Ndërroi jetë në moshën 62-vjeçare", rrëfen Doris. Për sa i përket vetes, ajo mendon se pjesën më të madhe të karakterit e kaliti nga lufta, përmes prindërve të saj. Pa këto përvoja ajo ndoshta nuk do të kishte qenë kurrë shkrimtare. Siç ka thënë edhe Graham Greene: "Të gjithë shkrimtarët e vërtetë duhet të kenë një copë akull në zemër". "Inati, vuajtja dhe kujtimet e babait tim për kohën e luftës janë pjesë e pandashme e fëmijërisë sime, ndërgjegjes. Në atë kohë më dukej sikur asgjë nuk do të shkonte më mirë dhe se bota ishte kalbur përfundimisht. Lufta ma helmoi fëmijërinë. Nuk e kuptoj se përse prindërit e mi nuk humbnin asnjë rast për të ma përmendur vazhdimisht luftën. Edhe sot e ndjej atë peshë, pavarësisht viteve që kanë ikur tutje. Gjithmonë i bëj pyetje veten se si ishte e mundur që njerëzit lejuan zhvillimin e dy luftërave botërore? Si është e mundur që edhe sot lejojmë sërish të shpërthejnë luftërat? Situata në të cilën ndodhet Iraku aktualisht është një situatë e pamundur, pa rrugëdalje", thotë Lessing. Kur e dëgjon shkrimtaren të shprehet kështu për të shkuarën dhe të tashmen, të vjen ndër mend një fjali diku në veprat e saj, në lidhje me njerëzit e moçëm: "Mund të rrish me të moshuarit pa e kuptuar kurrë se gjithë përvojat e botës fshihen pas fytyrave të tyre të rrudhura e të zakonshme". Në rastin e Lessing, nga fytyra e saj, nga vështrimi i butë e i dashur, nuk mund ta kuptosh kurrë se ajo e ka urryer të ëmën. "Ne e urrenim njëra-tjetrën. Jemi zënë që kur unë e mbaj mend mamanë time për herë të parë. Jam e bindur që sikur ta kishte pasur në dorë, nuk do të më kishte zgjedhur si bijën e saj.

Unë i rashë për pjesë dhe kjo gjë e çmendte fare. Mendonte se unë bëja çdo gjë vetëm për ta mërzitur. Ishte një grua me një aftësi të jashtëzakonshme për vetëshkatërrim", thotë Lessing, e cila nuk ka ndonjë mendim të mirë edhe për të atin. Sipas saj, fakti që ai kishte humbur një këmbë ishte për të justifikimi i përjetshëm që ai kishte të drejtë të ankohej dhe të tjerët rreth tij ta dëgjonin. Megjithatë, në marrëdhënien e saj me të ëmën pati një pikë kthese, kur mamaja tha se kishte kaluar një goditje në zemër. Ajo i thirri fëmijët rreth vetes dhe nisi të ankohej e të kërkonte prej tyre devocion. Në këto momente, Dorisit iu dhimbs ajo grua, por gjithçka merr fund aty, pasi më pas marrëdhënia vazhdoi si edhe më parë. Megjithatë, gruaja ndërroi jetë shumë kohë më vonë, në moshën 70-vjeçare. Doris lindi në Persi (siç quhej në atë kohë Irani) në vitin 1919. U rrit në Rodezinë koloniale (tani Zimbabve), pasi prindërit emigronin sa nga një vend në tjetrin, për shkak të luftës. Një nga gjërat që mban mend nga fëmijëria është të lexuarit. Lexonte pareshtur çdo gjë që i binte në dorë dhe me një pasion përpirës që i çudiste të gjithë. Në të ri ishte e shëndoshë dhe kjo ishte një nga paranojat e saj. Në moshën 15-vjeçare braktisi shtëpinë dhe shkollën për t‘u martuar me Frank Wisdom, që në atë kohë ishte 19 vjeç. Ishte një njohje e rastësishme. Menjëherë nga martesa pati dy fëmijë dhe përvojën e vështirë të mëmësisë në moshë të re e në kushte të vështira. Në vitin 1945, në moshën 26- vjeçare, ajo e braktisi familjen dhe u martua me Gottfried Lessing, një komunist i thekur. Së bashku patën një djalë, Peterin. Por edhe kjo martesë nuk zgjati shumë. Çifti u nda 4 vite pas njohjes, por Doris e mbajti mbiemrin e dytë përgjithnjë, çka mund të duket si e çuditshme për një feministe si ajo. Më pas emigroi në Britaninë e Madhe, së bashku me Peterin dhe dorëshkrimin e librit të saj të parë me titull: "Kur këndon bari". Ngjarjet zhvillohen në Rodezi dhe në faqet e tij përshkruhet jeta e një fermeri të varfër, gruaja e të cilit kishte një marrëdhënie me shërbëtorin zezak. Libri i botuar në vitin 1950 e ngjiti atë menjëherë në maja dhe ajo u konsiderua nga të gjithë si një yll i ri i letrave. Ky libër i tregoi Dorisit se ajo kishte lindur për të shkruar dhe se kjo i vinte kaq natyrshëm, saç u vjen njerëzve marrja frymë. Ajo u detyrohet shumë shkrimtarëve rusë, shkollës ruse të të shkruarit, veçanërisht Dostojevskit dhe Tolstoit. Ajo mendonte se jeta e një shkrimtari duhet të jetë një jetë egoiste.

Sipas saj, sentimentalizmi është i patolerueshëm, sepse është një ndjenjë false. Në periudhën kur u vendos në Londër, u përzje me njerëz të ndryshëm, kryesisht të botës së letrave, dhe bënte një jetë prej femre të lirë. Sipas disa prej miqve të saj të dikurshëm, Lessing u ngjante personazheve të saj pozitivë: ishte e shkujdesur, egoiste, kërkuese, kurioze. Në librat e saj Doris u përpoq që të nxirrte thelbin e brendshëm të njerëzve, marrëdhëniet mashkull-femër, perversitetin e komunizmit, faktin që mosha nuk ka të bëjë aspak me pasionin dhe çka është më e rëndësishme, ajo foli shumë për neurozën femërore. Libri i saj më me influencë ishte "Blloku i artë", i botuar në vitin 1962 dhe që konsiderohet sot si një nga klasikët e feminizmit. Ai flet për jetën e Anna Wolf, për gjithë përsiatjet e saj të brendshme, frustrimin, ndjesitë e fshehta, pra gjithçka të patreguar. Teksa jeton edhe situatën e sotme, ajo është e kënaqur, pasi në thelb mendon se betejat janë fituar e tani duhet pak kohë që gjërat të shkojnë në vendin e tyre dhe femra shumë shpejt do të shkojë në vendin që realisht i takon në shoqëri dhe në familje. Për sa i përket jetës pas "Nobel"-it, Lessing duket sikur i gëzohet faktit që fjalët e saj kanë shumë më tepër peshë se para se të merrte çmimin. Deklarata e saj menjëherë pas marrjes së çmimit në gazetën spanjolle "El Pais" ishte një tregues i kësaj. Lessing tha: "Sulmet e 11 shtatorit ishin të tmerrshme, por nëse dikush do të shohë pas në kohë, në historinë e IRA-s në Irlandën e Veriut, ato dy ngjaje nuk kanë të krahasuar dhe më vjen keq, por 11 shtatori nuk më duket aspak i tmerrshëm". Sigurisht që deklarata të tilla shkaktuan shumë diskutime e pakënaqësi në Amerikë, por ndërkohë Lessing- ut iu bë qejfi. Por sigurisht që Lessing kishte kohë që ishte mësuar me çmimet letrare dhe "Nobeli" ishte vetëm përmbyllësi i një liste të gjatë. Çmimin e parë e mori në vitin 1954 dhe ishte çmimi "Somerset Maugham". Ky ishte i pari pas të cilit ajo ka fituar çdo lloj çmimi tjetër letrar, përveç çmimit "The booker", për të cilin ka kandiduar 5 herë. Për sa i përket "Nobel"-it, ajo ka idenë e saj shumë të qartë se përse i erdhi kaq vonë në jetë. Sipas saj, arsyeja është se shkrimet e saj nuk janë shumë konvencionale. Me librin e saj të fundit ajo e mbyll ciklin e gjatë të romaneve që e marrin temën nga fëmijëria e saj në Rodezi. Në këtë libër ka një kapitull shumë prekës, në të cilin ajo përshkruan rikthimin në Zimbabvenë e sotme të një gruaje plakë. Dikur kjo grua e kishte dashur shumë vendin afrikan, por ajo çka gjen në të është shkatërrimi nga regjimi i Mugabes. Edhe pse e rritur në një vend me zezakë, Doris nuk e ka për turp të pohojë se ajo ka ushqyer edhe ndjenja raciste, të cilat, sipas saj, vinin jo nga thellësitë e qenies njerëzore, por nga sjelljet e njerëzve dhe qëndrimet që mbante dikur shoqëria ndaj të ndryshmëve, ndaj atyre që nuk ishin të bardhë.

Për sa i përket vdekjes së fëmijës së saj, ajo shprehet: "Të të vdesë një fëmijë, është të përjetosh një gjë që është kundra natyrës. I shkreti Xhoni im, ai e donte kaq shumë jetën dhe nuk duhet të kishte vdekur aq i ri, të paktën jo ai". Po në lidhje me burrat? Për sa u përket bashkëshortëve, Lessing mban mend vetëm burrin e dytë dhe idetë e tij të çmendura komuniste. "Ai nuk e merrte seriozisht faktin se unë shkruaja. Më tallte për këtë. Ai vetë mbeti komunist gjatë gjithë jetës dhe vdiq si i tillë". Sipas Lessing, komunistët ishin vrasës me ndërgjegje të pastër, por që të dilte në këtë përfundim, asaj iu desh shumë kohë dhe shumë fakte bindëse. "Kam shkruar shumë gjëra të bukura në librat e mi për komunizmin dhe marksizmin. Në atë kohë ajo ishte bindja ime, por tani sigurisht që mendoj ndryshe. Mendoj që çdo lloj ideologjie e tepruar është e dëmshme. Ndërsa në lidhje me Margaret Theçer-in ajo vazhdon të jetë skeptike dhe nuk e sheh kurrsesi ngritjen e saj në pushtet si një fitore të femrave.

Nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama