Sfida: “Piknik” si në 1969. Duke lënë mënjanë krenarinë kombëtare, një udhëtim në Hënë përbën një sërë mundësish për studime si dhe një fitim të një burimi të mundshëm burimesh natyrore (mendoni helium-3 dhe mineralet e pasur me oksigjen si ilmeniti) për shtetet ambiciozë.
Kampi mbizotërues: Nën programin “Nga Hëna në Mars” të administratës së Presidentit Bush i shpallur në 2004-n, Shtetet e Bashkuara synojnë të rikthehen në sipërfaqen e Hënës para vitit 2020, me plane për të ndërtuar atje një bazë që furnizohet me energji diellore, ku astronautët mund të qëndrojnë me turne deri në gjashtë muaj.
Sfidantët: Po vijnë nga të gjitha anët. Me ritmet që po ecin kinezët, ka paralajmëruar NASA, ata nuk do të kenë probleme për të mundur amerikanët në garën për rikthimin në Hënë. Edhe Kina ka në plan të krijojë një bazë në hënë deri në 2020 dhe planifikon të dërgojë trupin e vet pa pilot për të ardhur rreth orbitës hënore deri në fund të këtij viti. India ka në plan të dërgojë një trup të ngjashëm qiellor. Por deri tani, ka udhëhequr Japonia me dërgimin e orbitalit Jkaguya në shtator të vitit që kaloi. Ky është një hap i madh në realizimin e synimit të Japonisë për të ndërruar një stacion në Hënë deri në 2025. Edhe sektori privat po përgatitet për të hedhur një hap gjigant: Google shpalli kohët e fundit një çmim 20 milionë dollarë për ekipin e parë privat të kërkuesve që do të dërgojnë një trup shëtitës në hënë para vitit 2012.
2. Marsi dhe përtej
Sfida: Dërgimi i një njeriu në mars dhe gjithë prestigji që kjo sjell.
Kampi mbizotërues: NASA ka të gjithë llojet e orbitalëve, trupave shëtitës dhe mjetet për planetin e kuq. Dy trupa, Spirit dhe Opportunity i kanë mbijetuar stuhive të rërës dhe eksplorojnë krateret e marsit që nga viti 2004. Një anije kozmike, Phoenix është nisur aktualisht për të kërkuar shenja uji dhe jete. Dhe NASA ka në plan të dërgojë një njeri në mars para vitit 2037.
Sfidantët: Rusia, Bashkimi Evropian, Kina dhe India. Për momentin, shumica e diskutimeve për një mision në mars lidhen me anije kozmike pa njerëz, si rusja Phobos_Grunt si dhe Mars Express i BE-së. Krahasuar me rivalitetin për Hënën, ka shumë më tepër zëra për bashkëpunim në projekte eksplorimi, ku shkencëtarët u bëjnë thirrje shteteve të bashkojnë burimet, siç bën për Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor. Deri tani, si kinezët ashtu edhe indianët kanë bashkëpunuar me rusët. Kina dhe Rusia pritet të dërgojnë një mision të përbashkët në 2009-n; Rusia do të lëshojë anijen ndërkohë që Kina do të sigurojë pajisjet vëzhguese.
3. Armët Antisatelitore
Sfida: Cënueshmëria e SHBA-së. Përparimet e shpejta në teknologjinë antisatelitore po gjenerojnë zhurmën më të madhe në armatimin e hapësirës dhe po bëjnë që rrjeti amerikan i satelitëve të komunikimit kritik, të zbulimit dhe vëzhgimit të duken pata që rrinë ulur në orbitë.
Kampi mbizotërues: SHBA-ja demonstroi aftësinë e tyre për të eliminuar satelitë me raketa balistike që në 1985. Aktualisht Pentagoni është fokusuar në zhvillimin e teknologjisë së lartë me lazer, si për shembull në bazën Starfire. Pentagoni thotë se kjo ka qëllime gjurmuese, por sistemi mund të përdoret lehtësisht në kapacitete sulmuese. Të tjera teknologji në rritje janë mikrosatelitët manovrues dhe interceptorët në hapësirë, që mund të përdoren për të gjurmuar dhe rrëzuar satelitë armiq.
Sfidantët: Kryesisht Kina, por edhe Rusia, India dhe Izraeli. E gjithë bota mbajti frymën kur Kina kreu testin e parë antisatelit në janar, duke goditur një prej satelitëve të vet të vjetër në orbitën e ulët të Tokës me një raketë balistike. Sikur kjo të mos mjaftonte, ka zëra që Kina ka bërë përpjekje të verbojë satelitë spiunë amerikanë me teknologji lazer. Përmirësimet e Kinës në gjurmimin e satelitëve kanë përdorime të ligjshme paqësore si shmangia e trupave qiellorë, por mund të përbëjnë edhe rrezik për SHBA-në. Gjithashtu ka konkurrencë në rritje nga Rusia, India dhe Izraeli që kanë përmirësuar me shpejtësi aftësitë e tyre në këtë fushë si dhe kanë zhvilluar biologji të ngjashme me rreze lazer.
4. Sistemet Satelitorë Globalë të Navigimit (GPS)
Sfida: Kërkesa e jashtëzakonshme. Tregu global për pajisje të vendndodhjes arriti në 15 miliardë USD në 2006. Dhe nuk blejnë vetëm ushtarakët. Këta sisteme ofrojnë pozicionim të saktë, navigim si dhe informacione në kohë për fermerë, punëtorë shpëtimi si dhe shoferë të humbur kudo.
Kampi mbizotërues: Sistemi i Vendndodhjes Globale i Pentagonit (GPS) ka qenë sistemi dominues global që kur konstelacioni i plotë me 24 satelitë u vendos në hapësirë në 1994. GPS III, brezi i radhës i satelitëve navigues do të jetë më rezistent ndaj bllokimeve, më i përdorshëm dhe nuk do të ketë specifikë për fikjen e sinjalit (një xhest ndaj përdoruesve ndërkombëtarë që shqetësoheshin se pajisjet e tyre mund të fikeshin për kapriço të ushtrisë amerikane).
Sfidantët: BE-ja, Kina, India dhe Rusia. BE-ja ka patur dikur ambicie të mëdha për sistemin e vet të navigimit prej 30 satelitësh. Por projekti ra viktimë e zënkave të brendshme për financim kur Komisioneri i Transportit të BE-së, Zhak Barro, nuk arriti të bindë evropianët se Galileo ishte një prioritet më i madh në buxhet se sa, të themi, subvencionet bujqësore. Të mërzitur nga progresi i Galileos, India dhe Kina, dikur partnerë të BE-së tani kanë plane të veçanta për të nisur sistemet e tyre. Ndonëse detajet për Beidoun kinez mbeten të paqartë, qëllimi bazë është që sistemi satelitor të mbulojë krejt territorin dhe disa pjesë të vendeve fqinjë deri në fund të 2008-s, dhe më pas të zgjerohet për të ofruar mbulim global. Dhe të mos harrojmë Glonass-in rus, të cilit po i kryhet një restaurim total dhe që me siguri do të jetë një lojtar i rëndësishëm në këtë treg.
5. Anijet kozmike: Brezi i ardhshëm
Sfida: Vjetërsimi. Anija hapësinore e SHBA-së, e kritikuar si e brishtë, e rrezikshme dhe astronomikisht e kushtueshme, pritet të dalë në “pension” në 2010.
Kampi mbizotërues: NASA po punon fort për brezin e ardhshëm të mjeteve hapësinore, (CEV) misioni i parë i të cilëve do të jetë në 2014.
Sfidantët: Rusia, Kina dhe sektori privat. Për 40 vjet, anija ruse Souyz ka patur monopolin në transportin e njerëzve në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor. Dhe një udhëtim në Soyz nuk është i kufizuar vetëm për astronautët: Që nga 2001, rusët kanë dërguar 5 turistë hapësinorë për 20 milionë dollarë secili. Kinezët pretendojnë se anija e tyre Shenzhou është rival shumë i mirë, por ajo nuk mund të shkojë së shpejti në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar, për sa kohë që SHBA kundërshton pjesëmarrjen e Kinës në të. Sa për sektorin privat, Space Exploration technologies me qendër në Kaliforni dhe Rocketplane Kistler me qendër në Oklahoma fituan kontrata në total 500 milionë dollarë me NASA-n për të prodhuar anije kozmike për agjencinë. Të tjerë janë më të interesuar në ndërtimin e industrisë së turizmit hapësinor. Miliarderi britanik Richard Branson dhe sipërmarrja e tij hapësinore “Virgin Galactic” kanë marrë tashmë më shumë se 24 milionë dollarë depozita nga afro 200 vetë që kërkojnë të jenë turistë të hapësirës në të ardhmen.
Gazeta Metropol