Hapet konkurrenca ne tregun e naftes

Hapet konkurrenca ne tregun e naftes

Ministria e Financave ka shfuqizuar udhëzimin e shumëpërfolur me numër 17, i cili përcaktonte skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, por edhe vendosjen e çmimit në tregun e karburanteve.

Në udhëzimin shoqërues të ligjit të ri për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, Ministria e Financave ka vendosur të hapë tregun duke ja hequr të drejtën importuesve të mëdhenj që të diktojnë çmimet fundore të karburanteve edhe për pikat me pakicë.

Udhëzimi nr 17 u vendos në vitin 2008, nga Qeveria e mëparshme, sipas saj për të shmangur evazionin në tregun e karburanteve, por edhe për të lehtësuar mbledhjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Por kjo skemë krijoi një situatë të pastër oligopoli duke kufizuar konkurrencën, pasi çmimin final në treg e përcaktonin vetëm një grusht i vogël kompanish importuese. Ndërsa pikat me pakicë praktikisht nuk konkurronin, pasi ishin të detyruara të shisnin me çmimet e diktuara nga importuesit.

Debati për këtë udhëzim u nxeh veçanërisht muajt e fundit, kur çmimet e karburanteve në tregun e brendshëm nuk po reflektonin të plotë uljen në bursë. Sipas ekspertëve, veç taksave të larta, shkaku i dytë më i madh se pse qytetarët shqiptarë nuk po përfitonin nga rënia e cmimit të naftës ishte pikërisht udhëzimi i vitit 2008, që kishte krijuar një situatë oligopoli në treg.

Me shfuqizimin e tij, Ministria e Financave u heq importuesve të mëdhenj të drejtën që të vendosin çmimin final të karburantit në treg, i cili tashmë do të përcaktohet përmes konkurrencës mes pikave të pakicës.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama