Kryeministri i vendit, Edi Rama ka vizituar paraditen e sotme qytetin e Kavajës nga ku ka inaguruar hapjen e zyrës së punës në këtë qytet. Tashmë ky investim nga ana e qeverisë së majtë renditet si i katërti në radhë, por nuk mund ta quajmë të përfunduar pasi sipas kryeministrin kjo nismë pritet të shtrihet edhe më gjerë në qytete si Elbasan, Korçë...
Për kreun e qeverisë hapja e këtyre zyrave të punësimit përbën një instrument radikal dhe mekanicist përsa i përket lehtësisë së objektivave në zbatueshmëri dhe deri në përfundimin e plotë të tyre.
“Mbështetja dhe fuqizimi i sipërmarrjes përmes vënies në dispozicion të gjithë atyre që duan të bëjnë investime të reja, të një kapitali njerëzor që është i skanuar me kategori, me kualifikime dhe me të dhënat e nevojshme që biznesi të mos humbasë kohë dhe mundësi për të bërë përzgjedhjen më të mirë. Ne jemi në një proces për të krijuar një zonë industriale pranë Kavajës që do të shërbejë si një platformë për ndërtimin e kapanoneve për biznesin fason dhe për të kryer investime të tjera me natyrë prodhuese”, - u shpreh Rama.
Ai premtoi se së shpejti do të jetë gati edhe paketa për biznesin fason ndërsa vlerësoi edhe zyrat e punës për punësimin e 1 555 personave brenda 1 muaji.
“Një paketë shumë të rëndësishme për industrinë fason që ka një tipar karakteristik që zhvillohet shpejt dhe krijon shpejt vende të reja pune. Këtu në Kavajë kemi një të dhënë tjetër që 2055 gra dhe vajza që janë pa punë. Është koha që të shpjegojmë me durim që shteti s`mund të jetë punëdhënësi më i madh, punëdhënësi më i madh është sipërmarrja private dhe prioriteti ynë rritja e punësimit është e lidhur me krijimin e kushteve për të nxitur sipërmarrjen që të zgjerohet dhe për investimet e huaja. Zyrat e punësimit si pikë takime me sipërmarrjen që kërkon të rrisë cilësinë e saj dhe shteti që i vë në dispozicion sipërmarrjes dhe punëkërkuesit këtë pikë takimi duke e lehtësuar atë. Ky është vetëm fillimi por një fillim i mbarë pasi në vetëm 1 muaj tre zyra punësimi ka ndërmjetësuar punësimin e 1 mijë 555 personave”, - deklaroi kryeministri.