Shqipëria edhe pak ditë kremton 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Le të shohim një nga ngjarjet nga fusha e kulturës që pati ndikim të veçantë për këtë përvjetor. Në vitet e para të shek.XX lufta politike për pavarësinë e vendit, po shoqërohej me një lëvizje të gjerë kulturore që ngriti me forcë çështjen e lëvrimit të gjuhës shqipe dhe hapjen e shkollave në gjuhën amtare, e cila u shndërrua në një lëvizje politike. Të dy këto probleme nuk mund të realizoheshin pa zgjidhjen përfundimtare të alfabetit të njësuar të gjuhës shqipe.
Përfundimi me sukses i tyre do t’i shërbente konsolidimit të çështjes sonë kombëtare dhe bashkimit politik të shqiptarëve. Por pengesat ishin gati të pakapërcyeshme, pasi vendi ishte i pushtuar dhe forcat regresive pengonin çdo nismë që do të ndihmonte realizimin e aspiratave të popullit tonë. Gjithnjë e më shumë populli shqiptar po ndërgjegjësohej në këto vite të vështira, kur era e barutit po ndihej gjithandej dhe lëvizja kulturore, krahas asaj politike ishte në rritje, kur kërkohej me nxit të realizoheshin disa objektiva në fushën e kulturës dhe të arsimit, që ishte një dëshirë e mbarë opinionit shqiptar brenda dhe jashtë vendit. Kjo u manifestua qartë në kërkesat që u bënë përpara Kongresit të Manastirit.
Kështu, në përpunimin e mendimit politik e shoqëror të Rilindjes, patjetër një rol me rëndësi ka luajtur edhe faktori kulturor si shkolla, ashtu edhe shtypi i kohës që u bënë tribunë në shërbim të forcimit të ndjenjës kombëtare të popullit tonë. I gjithë zhvillimi kulturor, si hapja e shkollave në gjuhën amtare, përgatitja e mësuesve të ardhshëm që do t’i shërbente kësaj shkolle dhe në veçanti zgjidhja e problemit të alfabetit të përbashkët të shqipes do të ndihmonte në përhapjen e gjuhës dhe të shkrimit shqip, të cilat kushtëzoheshin nga zhvillimi i përgjithshëm i lëvizjes sonë kombëtare.
Pa gjuhë, nuk ka komb. Kjo situatë rrëmbeu gjithë opinionin përparimtar shqiptar dhe u shndërrua në një lëvizje mbarëkombëtare me objektiva të caktuara në fillim me karakter kulturor e pastaj politik që do të çojë në shpalljen e pavarësisë kombëtare. Ndër kërkesat më të rëndësishme në fushën e kulturës dhe të arsimit tonë kombëtar në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX ishin hapja e shkollave në gjuhën shqipe, hartimi dhe botimi i librave shkollorë në gjuhën amtare dhe mbi të gjitha ishte njësimi i alfabetit të gjuhës shqipe, që kaloi një kurbë prej 353 vjetësh që nga libri i parë i gjuhës shqipe “Meshari” i Gjon Buzukut dhe vazhdoi deri në Kongresin e Manastirit, në nëntorin e vitit 1908. Qe një rrugë e mundimshme. U derdh djersë, por edhe gjak për të hartuar shkronjat shqipe dhe për t’i mbrojtur ato. E kemi theksuar edhe më parë se rrallë mund të gjesh edhe në gjuhët e popujve të tjerë shembuj të tillë, ku u pagua aq shtrenjtë e drejta për të pasur shkrimin e vet sa populli ynë.
Kjo gjuhë kaq e vjetër, një ndër më të vjetrat në Ballkan, dokumentin e parë e ka të vitit 1462, që sivjet përkon me 550-vjetorin e tij, ndonëse popujt e tjerë fqinjë njohin një traditë më të hershme shkrimi. Ka kaluar afro një shekull që studiuesi rumun, Nikolla Jorga, zbuloi në bibliotekën e madhe, Laurentiana të Firences së Italisë dokumentin e parë të gjuhës shqipe Formulën e pagëzimit që daton 8 nëntor 1462, e cila ruhet edhe sot këtu. N.Jorga pati edhe plane të tjera, përveç atyre që kishte arritur, por pati një fat tragjik, pasi më 22 nëntor 1940 u vra nga fashistët. Filologu francez, Mario Rok 11, vjet pas zbulimit realizoi për herë të parë një riprodhim fotografik të dokumentit të parë të shqipes, duke bërë edhe komentin përkatës. Duhet theksuar se zbulimi i kësaj dëshmie tre vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë ishte me vlera të veçanta gjuhësore dhe historike, por njëkohësisht do t’u shërbente studiuesve shqiptarë si nxitje për të vazhduar kërkimet në këtë rrafsh që ta shtyjnë traditën e shkrimit të shqipes 2-3 shekuj më parë.
Shumë teza dhe hipoteza janë hedhur nga studiues shqiptarë dhe të huaj se shqipja duhet të jetë shkruar para kësaj date. Me gjithë këto hamendje, përsëri kemi heshtje dokumentesh të shkruara.
Formula e pagëzimit lidhet me emrin e Pal Engjëllit, kryepeshkop i Durrësit dhe bashkëpunëtor i Skënderbeut. Marin Barleti te vepra “Historia e Skënderbeut” e portretizonte kështu Pal Engjëllin: “Ai ishte burrë i pajisur me mendje shumë të lartë dhe me zotësi të rrallë në të folur, me dituri si askush, burrë që Skënderbeu e mbante mbi krye për maturinë, kulturën dhe pastërtinë e jetës që e respektonin dhe e dëgjonin të gjithë epirotët dhe arbrit si ndonjë orakull”. Duke parë çrregullimet që po ndodhnin në diogjezën e tij, duke mos përdorur ritet kristiane, vendosi që të thirret një kuvend në Kishën e Trinisë së Matit, më 8 nëntor 1462. Ai udhëzoi që pagëzimi i fëmijëve të bëhej nga familjarët, kur nuk kishte mundësi që ai të kryhej nga kisha ose nga priftërinjtë, duke përdorur Formulën e pagëzimit: Un të pagëzonj për emënit Atit e t’Birit e shpertit shenjtë. Edhe dokumentet e tjera të mëvonshme përforcojnë qenien e një tradite më të hershme të shkrimit të shqipes, por deri më sot nuk është gjetur dokument më i vjetër i shkruar se Formula e pagëzimit.
Në këtë aspekt është e domosdoshme të bëhen kërkime dhe hulumtime në arkiva të njohur dhe të panjohur, të gjurmohet në antikuarët e bibliotekave shekullore për të ndeshur në gjurmë të shkrimit shqip, në mënyrë që kjo traditë shkrimi të mund të shkojë më në thellësi të shekujve nga ajo që njihet. Le të shpresojmë që e ardhmja të na sjellë lajme të mira dhe rezultatet e dëshiruara.
Buzukut i takon merita se ai vuri gurin e parë në themelet e hartimit të alfabetit të shqipes 457 vjet më parë, por edhe me punën e të gjithëve u ngrit në piedestal alfabeti i gjuhës shqipe. Është një e drejtë legjitime që çdo autori duhet t’ia vlerësojmë punën që ka kryer në këtë rrafsh, që në mjaft raste përputhen me ngjarjet historike të popullit tonë.
* * *
Patriotët shqiptarë, me një ideal të përbashkët u aktivizuan për zgjidhjen e këtij problemi aq të vështirë, por me një histori të gjatë, pasi koha nuk priste, kur gjithë popujt e Ballkanit i kishin zgjidhur problemet e kulturës dhe kishin fituar pavarësinë. Duhet të luftohej në dy fronte: si në fushën kulturore ashtu edhe politike. Zgjidhja e problemit të alfabetit të njësuar për vendin tonë ishte jetike, aq sa edhe hapja e një shkolle normale që do të përgatiste mësuesit e ardhshëm të gjuhës amtare që u realizua një vit pas Kongresit të Manastirit, më 1909.
Vitet kalonin dhe situata politike dhe luftarake po bëhej gjithnjë më elektrizuese dhe ishte gati të shpërthente në çdo kohë. Krahas rritjes së lëvizjes sonë kombëtare për çlirim nga Turqia, por edhe brenda Perandorisë Osmane ishin rritur pakënaqësitë. Kështu, në korrikun e vitit 1908 Turqit e Rinj rrëzuan sulltan Abdyl Hamitin dhe shpallën Kushtetutën etj. Shtypi i kohës dha alarmin, duke parë situatën kaotike dhe shqetësuese për përshpejtimin e përpjekjeve për zgjidhjen e këtij problemi. Ai u bë tribunë, i cili kërkoi që të përdoreshin të gjitha mjetet diplomatike, por edhe luftarake për të zgjidhur këtë çështje kaq të rëndësishme për kulturën tonë. Armiqve mund t’u tregojmë edhe “hutat’ dhe nuk do të mund të sillen në atë mënyrë.
Shqiptarit i kishte ardhur laku në fyt dhe kërkonte gjithnjë të shpërthente. Do të jetë klubi “Bashkimi” i Manastirit që do të bëhej nismëtar për organizimin e një kongresi për zgjidhjen e këtij problemi, një dëshirë e të gjithë shqiptarëve. Ky kongres u mblodh në Manastir, më 14 nëntor 1908, 100 e ca vjet më parë. Jehona qe e madhe. Reagimet filluan, por zjarri ishte ndezur dhe nuk mund të shuhej. Një pjesë e shtypit perëndimor njoftonte se ky kongres ka si pretekst zgjidhjen e alfabetit të përbashkët të shqipes, por për ta rëndësi kishin çështjet politike. Ky tubim sa ishte gjuhësor, aq ishte edhe politik. Faktet treguan se ai u mor edhe me çështje të tjera përveç alfabetit.
* * *
Organizatorët arritën që të sigurojnë një pjesëmarrje të atillë që të përfaqësojnë të gjithë shqiptarët nga Veriu, Jugu dhe nga trojet jashtë atdheut. Me të vërtetë morën pjesë 32 delegatë, por në hapjen e kongresit dhe gjatë punimeve të tij, në hotelin “Liria” të patriotit Themestokli Gërmenji ishin me dhjetëra shqiptarë si dëgjues. Hapja e kongresit ishte një akt solemn, madhështor, një fitore e mendimit të lirë, ku si divizë kishte çështjen e atdheut dhe pastaj vinin ata të dorës së dytë, konsideratat personale. Dhe ashtu ndodhi. Kongresi dhe komisioni i hartimit të alfabetit, duke u drejtuar nga personalitete të kulturës kombëtare arriti t’i zhvillojë punimet sipas programit të parashikuar. Nuk mund ta pengonin këtë nismë as sunduesit e huaj, as elementët arrivistë, pasi themelet ishin shtruar gjatë tre shekujsh për një alfabet të vetëm të shqipes. I gjithë opinioni shqiptar ishte i bindur se ky problem kishte marrë rrugën e zgjidhjes. Edhe shtypi brenda dhe jashtë vendit nxiste me shumë kurajë çdo përkrahje ndaj kësaj nisme. Dhe kërkesat nëse në fillim ishin të thjeshta, me kalimin e kohës ato po thelloheshin duke i shoqëruar ato kulturore me ato politike.
Ndonëse delegatët me të drejtë vote ishin 32, po përfaqësonin një numër të konsiderueshëm qytetesh, krahinash, klubesh brenda dhe jashtë Shqipërisë. Delegatët mund të kishin përbërje të ndryshme shoqërore dhe intelektuale, drejtuesit e saj, pjesa më e madhe e tyre kishin një begramë të pasur kulturore, arsimore dhe intelektuale, si M. Frashëri, Gj.Fishta, L.Gurakuqi, Ndre Mjeda, S. Peci, Sh Kolonja etj.
* * *
Çfarë diskutoi Kongresi i Manastirit? Që në fillimet e tij, me një platformë të qartë, përmes diskutimeve të shumta, qartësoi problemet kyçe, në mes të tjerash se alfabeti i shqipes duhet të mbështetej në alfabetin latin. Pse? Përdorimi i alfabetit latin qe më i suksesshëm në Europë, por edhe në disa shtete ballkanike. Dhe kongresistët që në diskutimet e para i dhanë zgjidhje një problemi jo të thjeshtë, kur dihej si ky alfabet me pak zigzage, pati një jetë të gjatë më se tre shekujsh që më Formulën e pagëzimit të vitit 1462 derisa u legjitimua në nëntorin e vitit 1908, në Kongresin e Manastirit. Duke miratuar mbështetjen në alfabetin latin, delegatët e këtij tubimi sanksionuan përfundimisht emancipimin drejt Europës së qytetëruar. Çështja e dytë ishte në cilin variant do të mbështetej, në ato tre alfabete që kishin fituar të drejtën e qytetarisë: i Stambollit, i shoqërisë “Bashkimi” apo i “Agimit.” Propozimi që të bëhej një alfabet hibrit nga tre variantet, nuk u pranua. Mbeti në fuqi propozimi i Luigj Gurakuqit që të hartohej një variant i ri, duke lënë jashtë alfabetet ekzistuese që të mos i qante zemra askujt. Të tre alfabetet kishin të përbashkëta 19 shkronja.
Çështja e tretë, shkronjat e alfabetit latin a do të ruanin atë vlerë fonetike në alfabetin e shqipes dhe mungesat e tij a do të plotësoheshin me grafema njëshe apo dyshe. U pranua që në shumicën e grafemave të ruhej ajo vlerë fonetike që kishte në alfabetin latin, me ndonjë përjashtim, si dhe mungesat mund të plotësoheshin edhe me dyshkronjësha. Për këto probleme dy ishin rrymat sunduese; të parët një tingull-fonemë duhej të pasqyrohej me një shkronjë, ndërsa të dytë pëlqenin edhe një tingull-fonemë mund të jepej edhe me dyshkronjësha.
Komisioni i alfabetit me kryetar atë Gjergj Fishtën, nënkryetar Mithat Frashërin, sekretar Luigj Gurakuqin dhe anëtarë: Ndre Mjedën, Gligor Cilkën, Dhimitër Budën, Bajo Topullin, Sotir Pecin, Gjergj Qiriazin, Shahin Kolonjën dhe Nyzhet Vrionin pas tri ditë diskutimesh, më 20 nëntor 1908 shpallën vendimin ku, në mes të tjerash, thuhej : …u vendos që të mirret abeja e Stambollit dhe bashkë me të edhe një abece fjesht latine që të mësohen e të përdoren bashkarisht në mest të shqiptarëvet. Mësimi ndë shkollë do të jetë shtrënguar e i detyruar për të dyja”.
Të gjithë delegatët e mirëpritën vendimin e komisionit dhe e quajtën një fitore të madhe në fushën e kulturës.
Vendimi i komisionit fillimisht u botua në gazetën “Liria” të Selanikut dhe më pas do ta ndeshim edhe në organe të tjera. Gjatë 100 vjetëve ai është ribotuar disa herë. Në arkivin e Shtetit ndodhen kopje të procesverbalit të vendimit të komisionit, disa të firmosura, disa jo. Kopja e procesverbalit e gazetës “Liria” është riprodhuar disa herë në shtypin shkencor dhe periodik, por ka edhe një shënim të tillë: Mungojnë firmat e disa delegatëve. Në këtë proces nuk është firma e Luigj Gurakuqit, kur është thënë se ai e zbuloi dërrasën ku ishin shkruar dy variantet dhe i lexoi ato. Gjatë viteve në organe të ndryshme të shtypit shqiptar u ribotuan edhe dy variante të tjera. Çfarë të tërheq vëmendjen”? Varianti tjetër, të cilin po e quajmë të dytë, nuk është i pastër. Ka disa nënvizime, por ka firmën e Luigj Gurakuqit. Edhe varianti i tretë e ka firmën e Luigj Gurakuqit, por në pozicion tjetër. Gjithashtu, në këtë variant me interes është se renditja e shkronjave është si në alfabetin e sotëm, ndryshe nga dy variantet e tjera. Por në asnjë nga materialet e kongresit nuk thuhet se është diskutuar renditja e shkronjave.
* * *.
Në këtë histori të gjatë dhe të dhimbshme të përpjekjeve për zgjidhjen e çështjes së alfabetit të përbashkët, Kongresi i Manastirit për atë kohë zë kryet e vendit. Ai ligjëroi alfabetin me bazë latine që përdorim ne sot.
Kongresi i Manastirit (1908) ishte një manifest politik, ngjarja e dytë pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878), që i dha një zhvillim lëvizjes sonë patriotike në prag të shpalljes së pavarësisë së popullit tonë. Me të drejtë mund të themi se pati një rëndësi të veçantë edhe për historinë politike të Shqipërisë.
Përfundimi me sukses i tij në ato vite të brishta dhe të rënda të popullit tonë, ishte shprehje e unitetit të forcave demokratike dhe përparimtare, rrjedhojë e rritjes së vetëdijes kombëtare të popullit shqiptar, të cilat për shekuj me radhë luftuan për liri, pavarësi, kulturë dhe përparim shoqëror, për lëvrimin, shkrimin dhe alfabetin e saj. Kongresi i Manastirit shënoi një hap përpara në zhvillimin e gjithë lëvizjes sonë kombëtare dhe u bë një mbështetje e fuqishme për bashkimin e forcave demokratike në luftë për njësinë territoriale të atdheut dhe pavarësinë e tij.
Ky kongres që në programin e tij kishte karakterin e një lëvizjeje politike-kulturore, shërbeu si nxitje për luftën e popullit tonë për liri dhe pavarësi. Ai mund të konsiderohet jo vetëm si pararendës në fushën e kulturës i shpalljes së pavarësisë, por edhe hapi i parë vendimtar drejt pavarësisë kombëtare të popullit tonë.