TIRANË, 20 Tetor/ATSH/.- Nënkomisioni "Për të drejtat e njeriut" në përfundim të seancave dëgjimore me kandidatët për anëtarë të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, vendosi t'i paraqesë komisionit të Ligjeve raportin përkatës për secilin nga kandidaturat në fjalë.
Sot, në seancën e dytë ishte planifikuar të dëgjohej kandidatja Drita Avdyli, e cila nuk u paraqit.
Kryetarja e nënkomisionit, Vasilika Hysi, bëri një parashtrim të procesit të seancave, ku në fund u vendos që t'i paraqitej raporti përkatës komisionit të Ligjeve.
Janë 11 kandidatët nga fusha të ndryshme që kanë depozituar në parlament kërkesën për të qenë anëtarë të Autoritetit për hapjen e Dosjeve të Ish-Sigurimit të Shtetit.
Ky institucion do të ketë në përbërje pesë anëtarë, dy përfaqësues nga Kuvendi, një nga qeveria, një nga ish-të përndjekurit politikë dhe një nga shoqatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. /a.s//m.m/