- Intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare e ministres për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito -
TIRANË, 8 Nëntor/ATSH-Maela Marini/.- Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito në një intervistë për ATSH-në, sqaron ecurinë e deritanishme të reformës në Administratën Publike si dhe ndalet në disa prej prioriteteve kryesore të institucionit që drejton.
Duke folur për reformën në Administratën Publike, ajo shprehet se sfidë mbetet ndryshimi i mentalitetit të rrënjosur keqazi për 25 vjet me radhë se administrata u përket atyre që kanë miq, lidhje farefisnore, apo para për të korruptuar drejtuesin e radhës.
Gjithashtu në intervistën e saj, ministrja ndalet te rëndësia që ka inovacioni dhe teknologjia për nxitjen e punësimit veçanërisht te të rinjtë, si dhe në luftën kundër korrupsionit.
Më poshtë vijon intervista e plotë e ministres Harito për ATSH-në:
Krijimi i një administrate publike profesioniste dhe të depolitizuar është një nga 5 prioritetet që i janë lënë Shqipërisë nga Bashkimi Evropian, si kusht për t'u përmbushur deri në hapjen e negociatave. Cilat janë masat që po ndërmerr qeveria në kuadër të këtij prioriteti?
HARITO: Reforma në Administratën Publike është vlerësuar maksimalisht nga qeveria shqiptare, së pari pasi është një nga 5 prioritetet në procesin e integrimit evropian të vendit dhe së dyti si një domosdoshmëri për siguruar një administratë publike te aftë, të ndarë nga politika, dhe që u shërben me profesionalizëm e ndershmëri qytetarëve.
Në një vit e gjysmë, që kur ligji i ri "Për nëpunësin Civil", ka hyrë në fuqi kemi arritur të bëjmë ndryshime të thella në mënyrën e rekrutimeve në Shërbimin Civil, por edhe në menaxhimin profesional të burimeve njerëzore.
Kemi krijuar sistemin më transparent, që përmbledh aplikimin, konkurrimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve fitues, duke ju dhënë mundësinë të gjithë atyre që marrin pjesë në konkurse, por edhe më gjerë ta kontrollojnë dhe verifikojnë të gjithë procesin. Gjithçka është e sekretuar dhe e dokumentuar, duke nisur që nga testimi me shkrim e deri të intervista me gojë, e cila regjistrohet me audio dhe video.
U kemi dhënë mundësinë kandidatëve të zgjedhin vendin e punës, duke u bazuar në meritat e tyre dhe duke i hequr mundësinë e abuzimit institucioneve, që më parë kishin të drejtën të zgjidhnin mes tre kandidatëve.
Reforma ka pasur shumë rezistencë brenda sistemit, sepse asnjë drejtues institucioni nuk ishte mësuar që të mos përzgjidhte vetë punonjësit e tij, por ky është thelbi i modernizimit. Të mos zgjedhësh vetë personat, do të thotë të pranosh që duhet të menaxhosh burimet njerëzore që ke në dispozicion.
Por ndërkohë ka ende akuza dhe dyshime për mënyrën se si rekrutohen nëpunësit në Administratën Publike. Si po funksionon realisht zbatimi i ligjit të ri të Nëpunësit Civil?
HARITO: Sigurisht që ka ende ndonjë që hedh akuza, apo ngre dyshime mbi mënyrën e rekrutimit në Shërbimin Civil por ne jemi të qetë, sepse nuk ka asnjë provë që të mund të vërtetojë qoftë edhe dyshimin më të vogël, për parregullsi apo më keq për korrupsion në këto konkurse.
Ne jemi të ndërgjegjshëm se është një sfidë e vështirë, veçanërisht për të ndryshuar mentalitetin e rrënjosur keqazi për 25 vjet me radhë se administrata u përket atyre që kanë miq, lidhje farefisnore, apo para për të korruptuar drejtuesin e radhës.
Por sot procedurat e konkurseve janë të hapura. Ato mund të ndiqen nga fillimi e deri në fund nga kushdo që është i interesuar. Madje edhe pasi kanë përfunduar konkurset procedurat e tyre mund të verifikohen dhe kontrollohet nga kushdo, që është i interesuar. Ndaj ne vazhdojmë punën tonë konform ligjit dhe nuk shqetësohemi shumë nga akuzat e pabaza, që shpesh herë i bëjnë ata që në 8 vitet e kaluara e katandisën Administratën Publike në një lloj reparti ushtarak të partisë në pushtet. Ligji i ri për administratën Publike po zbatohet me korrektësinë dhe saktësinë më të madhe, çka është vlerësuar me nota pozitive edhe nga partnerët tanë strategjikë.
Pak ditë më parë ju prezantuat sistemin e ri të personelit të Administratës Publike. Si do të ndikojë ky sistem në menaxhimin e punonjësve të administratës?
HARITO: Sistemet dixhitale të Menaxhimit të Burimeve Njerëzore (HRMIS) janë të domosdoshëm për çdo shtet modern. Administrata Publike shqiptare, ndonëse më e vogla në rajon për numër banorësh, përbëhet nga rreth 90 mijë vetë. Administrimi i saktë dhe profesional i saj kërkon domosdoshmërisht një sistem të automatizuar. Për këtë arsye partnerët ndërkombëtarë e kanë mbështetur këtë projekt që në vitin 2004. Por për mungesë të qartë vullneti politik, për të evituar çdo kontroll dhe çdo transparencë në 8 vjet, pra deri në vitin 2013 ky sistem ishte vendosur pjesërisht vetëm në 4 ministri dhe nuk përdorej në praktikë.
Aktualisht ky sistem është shtrirë dhe është funksional në të 16 ministritë e linjës dhe në kryeministri duke përfshirë në të mbi 1600 dosje elektronike të punonjësve si dhe po hidhen të dhënat për të gjithë institucionet dhe agjencitë në varësi të ministrive.
Nëpërmjet këtij sistemi do të menaxhohen të gjitha dosjet e personelit. Pra të gjitha dosjet që deri tani ishin të printuara në letër, dhe ku përfshiheshin, që nga dokumentet fillestare të nëpunësit si diploma e shkollës, lista e notave, vërtetimet e trajnimeve të ndryshme, ecuria në karrierë gjatë punës në administratë, vlerësimet apo masat administrative etj, etj, tani do të jenë në formë elektronike duke mundësuar analiza, vlerësime dhe një menaxhim shumë më të mirë të burimeve njerëzore.
Një nga risitë më të rëndësishme të sistemit është llogaritja e pagave për punonjësit e administratës publike në mënyrë automatike. Sistemi do të gjenerojë në mënyrë elektronike listën e pagesave të punonjësve të institucioneve. Kjo do të realizohet me anë të ndërveprimit të sistemit HRMIS me Sistemin e Thesarit në Ministrinë e Financave.
Inovacioni dhe teknologjia kanë qenë në programin e Partisë Socialiste si një nga sektorët që mund të rrisnin ndjeshëm numrin e punësimeve. Çfarë është bërë në këtë drejtim?
HARITO: Inovacioni dhe teknologjia janë konsideruar si shtylla të rëndësishme të zhvillimit në programin tonë qeverisës. Në radhë të parë janë pjesa më dinamike me rritjen më të madhe ekonomike në të gjithë Europën e më tej dhe si e tillë ofron punë të kualifikuara e të mirëpaguara. Për këtë arsye me një sërë iniciativash kemi nxitur vetëpunësimin e të rinjve në këtë fushë, si edhe orientimin e studentëve drejt TIK duke konstatuar për vitin shkollor 2015-2016 në disa universitete trefishim të numrit të këtyre studentëve. Nga ana tjetër teknologjia e informacionit është mundësia më e mirë për të modernizuar qeverisjen duke e bërë më efikase, më transparente dhe duke krijuar instrumentat për të luftuar korrupsionin.
Në këtë kontekst projektet tona kanë qenë të shumta, por ndër to unë do të veçoja projektin për shërbimet publike online, që është konkretizuar tashmë me portalin eAlbania. Në këtë portal qytetarët përfitojnë shërbime informative, aplikime etj për rreth 30 institucione publike. Është sistem modern që ka krijuar lehtësim për qytetarët, të cilët tani nuk kanë më nevojë të shkojnë nga një zyrë në tjetrën, por mund të marrin shërbimet online pa asnjë kosto shtesë. Deri në vitin 2017 është parashikuar që në këtë portal të përfshihen edhe rreth 200 shërbime të tjera.
Në të njëjtën kohë ne jemi investuar fort në mbështetjen e startup-eve. Ky është termi me të cilin njihen sot në të gjithë botën iniciativat e reja të biznesit në fushën e teknologjisë së informacionit. Bashkimi Europian investon gjerësisht në këtë drejtim. Qeveria e ka orientuar vëmendjen e saj në mbështetjen e këtyre nismave, të cilat më pas mund të kthehen në biznese të suksesshme duke rritur mundësitë e punësimit.
Në mesin e muajit tetor ne shpallëm një thirrje me grante për mbështetjen e projekteve në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit. Thirrja përfshin fushat e shtatë programeve Kombëtare të Kërkimit dhe zhvillimit dhe vlera maksimale e projekteve që do të mbështetet nga qeveria do të jetë në masën e 2.500.000 lekëve. Po ashtu, brenda këtij viti do të kemi një tjetër thirrje për aplikime për start up-e në fushën e TIK, me një shtrirje në gjithë territorin e vendit.
Në kuadrin e mbështetjes së start-up, qeveria ka vendosur të krijojë godinën e Inovacionit. Është një godinë ku do të mblidhen të gjitha agjencitë e inovacionit dhe përveç kësaj do të ketë një hapësirë të veçantë të dedikuar tërësisht nismave të reja në fushën e teknologjisë së informacionit. Kemi një sërë komunitetesh në këtë fushë dhe ne jemi të vendosur t'i nxisim ato, duke ju krijuar hapësirat e nevojshme për t'u zhvilluar dhe përforcuar në iniciativat e tyre
Inovacioni teknologjik cilësohet si një armë e fuqishme kundër korrupsionit. Qeveria shqiptare po zbaton një projekt në këtë drejtim, i cili së fundi ka përfituar edhe një financim prej 32 milionë dollarësh amerikanë nga BB dhe kokretisht për "ofrimin e shërbimeve me në qendër qytetarin". Si po zbatohet ky projekt dhe si do të orientohen këto fonde?
HARITO: Reforma në Shërbimet publike është një nga reformat më ambicioze, më të rëndësishme dhe që do të ndryshojë rrënjësisht mënyrën e dhënies së shërbimeve për qytetarët shqiptarë. Megjithëse sistemi politik në Shqipëri ka ndryshuar prej 25 vitesh, e vërteta e hidhur është se shteti nuk ka arritur ta vërë kurrë në qendër të vëmendjes së vetë qytetarin, kur është fjala për ofrimin e shërbimeve. Ne jemi dëshmitarë të sorollatjes së qytetarëve sa në një sportel në tjetrin dhe po ashtu të sjelljes shpesh herë të pahijshme të punonjësve të shtetit në krahun tjetër të sportelit, përballë nevojave të qytetarit. Dhe nga ana tjetër kjo situatë ka stimuluar veprimet korruptive të punonjësve të shtetit, përballë një qytetari që përpiqet të zgjidhë hallet e tij duke paguar rryshfet nën dorë.
Synimi i kësaj reforme që unë do ta konsideroja historike, për nga përmasat që do të marrë dhe impaktin që do të ketë në publik, është që ta bëjë qytetarin të mos ndihet më i pafuqishëm përpara sportelit të shërbimeve që ka detyrim t'i japë shteti.
Shërbimet në sportel të të gjitha institucioneve shtetërore do të standardizohen, më prioritet lehtësimin e marrjes së tyre nga qytetarët. Sportelet nuk do të varen më nga institucionet që i ofrojnë shërbimet, por nga një agjenci kombëtare, që quhet ADISA dhe që është Qendra e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara. Duke ndarë sportelet që ofrojnë shërbimin nga zyrat ku prodhohet ky shërbim, si dhe duke i standardizuar procedurat për ofrimin e shërbimit, ne praktikisht u presim rrugën tendencave korruptive që mund të kenë punonjësit e shtetit, mbyllim hapësirat për sekserët e paligjshëm që gëlojnë rrotull zyrave shtetërore si dhe e bëjmë qytetarin të ndihet i vlerësuar dhe i ndihmuar nga administrata publike.
Sigurisht që e gjithë kjo reformë do të shoqërohet me një proces shumë të madh dixhitalizimi. Kjo pasi të gjitha të dhënat që disponojnë institucionet shtetërore do të futen në sisteme të mëdha, që duke u ndërlidhur me njëra - tjetrën do të ndihmojnë që qytetari të mos ketë më nevojë të marrë dokumente sa nga një institucion në tjetrin, duke harxhuar kohë dhe energji fizike, por të marrë shërbimin në një sportel të vetëm.
Kjo reformë ka rreth 1 vit që ka nisur dhe me kënaqësi mund të them që ka pasur një ecuri shumë të mirë dhe të vlerësuar edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Mbështetja financiare e Bankës Botërore, por edhe e PNUD, apo qeverisë italiane tregon për punën e mirë që është bërë deri tani dhe besimin që është krijuar te partnerët tanë strategjikë, se kjo reformë do të çohet deri në fund dhe do të përmirësojë në mënyrë rrënjësore mënyrën dhe dhënies së shërbimeve për qytetarët shqiptarë. /a.ke/