-Ministria e Inovacionit dhe Administratën Publike takim me Zv.Presidentin e KE-
TIRANE, 14 Tetor/ATSH/- "Shqipëria ka plotësuar kushtet e kërkuara nga Brukseli për të përfituar fondet e Instrumentit të dytë të Para-Anëtarësimit si mbështetje buxhetore për sektorin e administratës publike", deklaroi ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito pas takimit me Zëvendëspresidentin e Komisionit Europian, Andrus Ansip.
Harito bëri të ditur se me zv.Presidentin e Komisionit Europian biseduam mbi progresin në reformën e Administratës Publike dhe në Shoqërinë e Informacionit , konkretisht kapitulli 10 në të cilin kemi adoptuar direktivat më të fundit të BE, etj.
"Falë suksesit që kemi arritur në zbatimin e reformës së administratës publike, shtetit shqipëtar do t'i derdhen fondet IPA drejtpërdrejt në buxhet dhe jo më nëpërmjet projekteve, siç ishte rasti deri tani, dhe kjo gjë bëhet e mundur për sektorin e reformës së administratës publike", ka deklaruar Harito.
Ajo nënvizoi se "me Ansip diskutuam gjatë për gjithë rëndësinë e mekanizmave dixhital për të luftuar korrupsionin në shërbimet publike, për gjithçka që Shqipëria ka arritur në kapitullin 10, kapitulli i shoqërisë së informacionit, në përafrimin me acquis communautaire deri në direktivat dhe dispozitat mê të fundit të Komisionit Europian në këtë fushë dhe nga ana tjetër, për të përfituar nga ato gjëra që kemi aktualisht në Shqipëri, si për shembull kartat elektronike të identitetit, nëpërmjet të cilave mund të bëhemi pjesë e interoperabilitetit në shkallë europiane, që përbën një nga prioritetet e mëdha të Komisionit Europian për atë që quhet tregu unik dixhital". /a.g/