Por i moshuari ekscentrik as që ka ndër mend të ndikohet përpara shifrave të tilla. Përkundrazi jeton si të qe i varfër në kulm. Veshje të blera në dyqanet më të lira, makina të vjetra, fluturime në klasin ekonomik dhe abonime në metrotë e qyteteve të mëdha ku për shkak të punëve i duhet të udhëtojë shpesh. Me pak fjalë zero luks, zero shpërdorime, zero famë. Askush nuk u besonte veshëve kur pak kohë më parë pranoi të linte një "Porsche". Por u pendua shumë shpejt. "Në përgjithësi nuk dua të kem dallime nga klientët e kompanisë sime: dua të jem unë njeriu që jep shembullin. Tek-tuk më pëlqen t‘i lejoj vetes ndonjë këmishë apo kravatë të bukur dhe më pëlqen të ha darkë me peshk të deteve skandinave". Siç ndodhi disa ditë më parë, me rastin e 82-vjetorit të lindjes - vite të cilat duhet thënë se i mban shumë mirë, pavarësisht lidhjes së fortë me alkoolin.
Për këdo është e thjeshtë që një multimiliarder të moshuar ta imagjinojë nën palmat e Panamasë apo të Bermudave. Ndërsa suedezit të çuditshëm i pëlqen të fshihet në një vilë krejt anonime në Epalinges, në kantonin zviceran të Vaudit, 800 metra mbi nivelin e detit, me 7700 banorë, dhe minuta larg me makina nga Lozana dhe liqeni i saj i ftohtë. Shumë mendojnë se këtë e bën për shkak të lehtësive që ofron Zvicra kur vjen fjala te taksat. Por nuk është vetëm kjo. Epalinges është e rrethuar nga pyje, diçka që duhet të ushtrojë shumë tërheqje te biri i një rojtari pylli, i cili e ka bazuar perandorinë e tij disa miliardë dollarëshe tërësisht te produktet e drurit.
Përveç këtyre motiveve është një lokalitet që të krijon mundësinë të qëndrosh larg syve të njerëzve, si edhe të gjesh atë qetësinë që u pëlqen aq shumë pensionistëve. "Praktikisht jam në pension që nga viti 1985", thotë me të qeshur, duke gënjyer, sigurisht, pasi në IKEA nuk firmoset një dokument i vetëm pa dijeninë e tij.
Edhe vila për të cilën po flasim pasqyron besnikërisht shijet minimaliste të të zotit, i cili banon këtu me bashkëshorten Margareta, me të cilën ka pasur tre fëmijë, Piterin, Xhonasin dhe Matiasin, që të gjithë të punësuar në kompani ku nuk është se ndihen shumë të përkëdhelur. Gjendet në një kompleks të vogël vilash të bardha. Pak fjalë me fqinjët mbi motin, rrugë të ngushta dhe heshtje e bukur nordike.
Mobilimi? Bëhet fjalë për një aplikim rigoroz të katalogut të kompanisë, i cili në fakt, përbëhet nga 170 milionë kopje në 24 gjuhë të botës. Është teksti më i lexuar në botë pas Biblës. Sipas legjendës, "Mister Ikea" i mobilon mobiliet e shtëpisë me duart e veta, pa pranuar ndihmën e askujt, gjë që është edhe një ndër pastrimet bazë të kompanisë.
Në supermarketet "Migros" dhe "Coop" shitëset e shohin shumë shpesh teksa me të shoqen vërtiten rreth rafteve në kërkim të mallrave më të leverdishëm. "Njeri i sjellshëm dhe i këndshëm - thonë shitëset - por sillet si ata të moshuarit të cilëve nuk u del pensioni për të mbyllur muajin". Por kjo mani kursimi nuk e pengon të udhëtojë shumë shpesh, megjithëse vetëm për motive pune dhe kurrë për kënaqësi (destinacioni i fundit Vietnami). Këtë e bën zakonisht për të parë personalisht tregjet e reja, për t‘u matur pulsin klientëve dhe për të qenë i pranishëm gjatë momenteve kyçe të vendimmarrjes. Dhe duhet thënë se ka gabuar shumë rrallë në përzgjedhjen e tregjeve. Një tjetër maksimë: "Njeriu duhet të bëjë atë që di të bëjë. Unë jam shumë i aftë kur vjen fjala për të shitur mobilie, edhe pse jam i moshuar. Nuk jam tipi që i përkushtohet rritjes së luleve apo bahçes". Dhe nuk është se s‘ka të drejtë.
Miliarderi i çuditshëm
Kamprad lindi në vitin 1926 në një fermë të quajtur "Elmtaryd" e vendosur pranë fshatit të vogël Aggunnaryd, i cili gjendet në jug të Suedisë. Që në moshë tepër të re, ai mësoi se duke blerë shkrepëse me shumicë nga Stokholmi dhe duke i shitur me çmime të arsyeshëm, mund të nxirreshin fitime mjaft të kënaqshme. Fillimisht, ai përdorte një biçikletë për të shitur derë më derë këto shkrepëse. Nisi t‘i riinvestonte paratë e fituara, duke përfshirë në aktivitetin e tij shitjen e peshkut, farërave, zbukurimeve të Krishtlindjeve dhe lapsave e stilolapsave, zgjerim që i solli fitime të habitshëm. Kur mbushi 17 vjeç, i ati i dha një sasi të konsiderueshme parash si shpërblim për rezultatet e mirë që kishte arritur në shkollë. Ishte pikërisht sasia e parave që i mundësoi ngritjen në këmbë të asaj që më pas do të bëhej një ndër gjigantët më të mëdhenj botërorë, pasi pikërisht me ato para ai themeloi IKEA-n. Për të emërtuar kompaninë ai përdori inicialet e emrit dhe mbiemrit të tij (I.K) plus germat e para të Elmtaryd dhe Aggunnaryd, ferma dhe fshati pranë të cilit lindi e u rrit. Vazhdoi ta zgjeronte aktivitetin duke përfshirë në të një seri asortimentesh të tjerë si portofola, ora, argjendari e çorape. Ishte diçka që mund të quhet blerje me postë dhe Kamprad përdorte kamionin e shpërndarjes së qumështit për t‘u dërguar mallrat blerësve të ndryshëm. Strategjia e shitjes derë më derë rezultoi aq fitimprurëse sa në vitin 1947 ai vendosi të fuste mobilimin në linjat e prodhimit të IKEA-s. Për të prodhuar mobiliet, ai angazhoi punishtet lokale, gjë që i jepte mundësinë të ruante kosto shumë të ulëta në krahasim me prodhuesit e tjerë. Biznesi i prodhimit të orendive rezultoi një gjetje e jashtëzakonshme, gjë që e bëri Kampradin që në vitin 1951 të hiqte dorë nga të gjitha linjat e tjera të prodhimit dhe të përqendrohej te prodhimi dhe shpërndarja e mobilieve. Në vitin 1953, ai hapi edhe sallën e parë të ekspozimit të orendive, e cila u jepte blerësve mundësinë t‘i shihnin, t‘i preknin, t‘i provonin, duke u siguruar kështu që më parë për cilësinë e produktit që do të blinin. Qëllimi tjetër i hapjes së ekspozitës ishte edhe përfshirja e IKEA-s në një luftë çmimesh me konkurrentët e tjerë, gjë që solli si rezultat bojkotimin e saj nga prodhuesit lokalë. Ishte pikërisht ky bojkot që e detyroi Kampradin në vitin 1955 t‘i hidhte sytë drejt vendeve të tjera për të gjetur prodhues më pak të kushtueshëm. Në vitin 1956, ideja e një të punësuari për t‘i prodhuar këmbët e tavolinave në mënyrë të atillë që të mund të montoheshin nga vetë njerëzit, gjë që e bënte transportin e këtyre të fundit tejet të lehtë, revolucionarizoi rrënjësisht gjithë IKEA-n. Kjo ide i dha jetë nisjes së prodhimit të orendive të vetëmontueshme, të cilat për shkak të paketimit të tyre nëpër kuti të sheshta e uniforme, krijonin lehtësi të paimagjinueshme magazinimi e transporti.
I pashkolluar, me një të shkuar alkooliste dhe me kontakte të afërta me partinë naziste. Pasuria përrallore që ka vënë mënjanë nuk e ka bërë aspak të heqë dorë nga mania për të kursyer kudo që i jepet mundësia. Ha në zyrën e kompanisë për të mos shpenzuar para nëpër restorante, udhëton në klasin ekonomik dhe deri pak më parë lëvizte me një "Volvo" shumë të vjetër. U kërkon vartësve të shfrytëzojnë të dyja anët e letrës për të mbajtur shënime. Në hotele nuk përdor pijet e minibarit të dhomës, thuhet se ndonjëherë që e bën këtë, e zëvendëson me një tjetër të blerë në ndonjë supermarket aty pranë.
Nga Gazeta Shqip