Aktivitetet e 100-vjetorit të Pavarësisë duhet të kishin edhe një sigël të tyren muzikore. Ashtu siç u zgjodh logoja, posteri apo edhe spoti, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve shpalli edhe konkursin për siglën muzikore. Njoftimi gjendet ende i publikuar në faqen zyrtare. Në fakt, të gjitha aktiviteteve të ngjeshura në dy javët e fundit të nëntorit, u mungoi ky motiv që duhet të ishte krijuar për këtë rast. Në datën 2 nëntor, në daljen e fundit publike, ku bëri të ditur edhe kalendarin e festimeve, ministri Aldo Bumçi u shpreh se dosjet ishin dorëzuar dhe do të ngrihej një juri profesioniste që do të shpallte fituesin. Në fakt kjo nuk ndodhi. Zyrtarisht nuk ka asnjë prononcim, por duket se ky konkurs i shpallur dështoi. Si fillim ishin paraqitur vetëm tri dosje.
Me motivin se qëllimi i këtij konkursi nuk ishte kuptuar nga krijuesit, të cilët kishin sjellë vepra të plota dhe jo motive, afatet u shtynë dhe u kërkuan të tjera krijime. Thuhet se juria mori sërish në shqyrtim krijimet, pa arritur në një vendim përfundimtar. E gjithë situata është e paqartë, por e sigurt është se nuk pati një sigël për 100-vjetorin. Edhe nëse Ministria e Kulturës do t’i qëndrojë idesë për ta realizuar në vitin 2013, do të jetë jashtë kontekstit të festimeve. Në fakt, të gjendur përballë konkurseve që shpalleshin e kërkonin produktin në një kohë të shkurtër, një pjesë e mirë e artistëve refuzuan të bëhen pjesë.
“Në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve shpall konkursin mbarëkombëtar për siglën muzikore të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Qëllimi i këtij konkursi është mbështetja e krijimtarisë artistike kombëtare në fushën e muzikës me objekt 100-vjetorin e Pavarësisë së vendit (1912-2012), duke nxitur krijuesit mbarëshqiptare të muzikës për të shkruar vepra të reja muzikore të frymëzuara nga kjo ngjarje historike shumë e rëndësishme për kombin shqiptar”, thuhet në njoftimin zyrtar. Po ashtu, afati përfundimtar për dorëzimin e veprave duhet të ishte data 28 shtator, ndërkohë që fituesi duhet të ishte shpallur në një ceremoni publike që, sipas rregullave, duhej të mbahej në tetor. Sipas kritereve të publikuara në faqen zyrtare të MTKRS-së, shpërblimi artistik do të ishte 200 mijë lekë të reja. “Sigla muzikore e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, duhet të jetë në formë orkestrale, me ose pa vokal. Sigla muzikore gjithashtu mund të jetë krijimtari e re ose përshtatje e stilizuar që të përkojë me tematikën e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Kanë të drejtë të marrin pjesë të gjithë muzikantët shqiptarë, të diplomuar ose jo për kompozicion, me banim në Shqipëri ose jashtë saj. Çdo muzikant lejohet të marrë pjesë me jo më shumë se dy sigla të ndryshme muzikore. Për vlerësimin e veprave do të ngrihet një juri profesionistësh prej 5 personash, e cila do të përbëhet nga personalitete të muzikës si: kompozitorë, dirigjentë, muzikologë. Juria ngrihet me urdhër të veçantë të ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Anëtarët e jurisë nuk marrin pjesë në konkurrim”, janë disa nga kriteret e konkursit, të cilat qëndrojnë shumë mirë në letër.