Harta e thesarit

'Harta e thesarit'
Artisti i ri italian, Leone Contini, në Shqipëri, në kërkim të gjurmëve të mbetura në një hartë të vitit 1939, që i përket gjyshit të tij ushtar gjatë okupimit italian në vendin tonë

Në sirtarët e mbyllura me çelës të familjes, apo diku thellë në papafingo ndodhet gjithnjë i fshehur një sënduk me kujtime…  Takimi me to është gjithnjë mbresëlënës dhe të zhyt thellë në kohë, e ndonjëherë na bën t’i shohim ndryshe njerëzit tanë të afërt. Leone Contini, artist i ri italian, kishte qenë gjithnjë kurioz të shfletonte albumin e familjes, ku portreti i gjyshit të tij, Ugo, ish-ushtar i vendosur në Ballkan gjatë Luftës së Dytë Botërore, e shtynte të kërkonte më tej në sendet e tij të ruajtura diku në një kënd të shtëpisë… Leone e kujton atë si një burrë tërheqës, që nuk i pëlqente të fliste për të shkuarën, një njeri që të inspironte dhe me heshtjen e tij… Teksa kërkonte në sendet e mbetura prej tij pas vdekjes, i tërhoqi vëmendjen një hartë e vjetër e 1939-s e Shqipërisë nën pushtimin fashist, ku me laps janë shënuar një grusht fshatrash rreth Tiranës. Shkrimi i shënuar mbi të është i padeshifrueshëm, dhe koha duket se ka lënë veç gjurmët e lapsit…

Për të deshifruar atë çfarë ka qenë shkruar mbi hartë, e për të prekur më nga afër çdo fshat apo qytet të shënuar aty, Leone Contini duket se gjeti kërkimin e tij artistik të radhës. Futi hartën me kujdes në xhep dhe u nis drejt Tiranës, më shumë se gjysmëshekulli nga udhëtimi i gjyshit të tij në këto vende…Një udhëtim për të sfiduar të shkuarën, dhe për të shkelur të njëjtat udhë ku shkeli Ugo…

Ai u bë pjesë e projektit të “Tirana Art Lab” dhe për tre muaj do të qëndrojë në një rezidencë artistike për të prezantuar më pas projektin e quajtur “Harta e thesarit”. Sikurse e shkuara kolonialiste e Italisë nuk është pjesë e debatit publik, po ashtu amnezia ka fshirë kujtimet e gjyshit të tij. Periudha e pasviteve ‘30-të është një periudhë e cila ka frymëzuar shumë artistë e shkrimtarë në vendin fqinj. Harta e rigjetur në këtë rast i ofron artistit një mundësi për t’u rikthyer prapa në kohë. Në përpjekje për të rigjetur shtigjet e dëbuara nga kujtesa personale dhe ajo kolektive, Contini do të rivizitojë vendet e shënjuara në hartë me qëllim rigjenerimin e informacioneve dhe të një kujtese të re. Tirana është stacioni i tij i parë, për të vijuar më pas ashtu, si dhe vetë thotë në qytete si Krujë, Berat, Kavajë, Elbasan Durrës, Laç, Rrogozhinë…

Ka vizituar “Kazermën italiane ‘39-‘40”, por ajo çfarë i ka bërë përshtypje më shumë në ditët e para të qëndrimit këtu është Kombinati. “Jam i befasuar nga transformimi që ka pësuar kjo pjesë e qytetit”, thotë ai. Pas përfundimit të studimeve për antropologji në Universitetin e Sienës, Leone ka udhëtuar në disa vende të botës, për të thelluar studimet e tij në këtë fushë. Ajo çfarë i ka bërë përshtypje në qytezën e dikurshme të tekstileve, janë antenat e mëdha mbi pallatet trekatëshe. Ajo i kujton vitet ‘80-të, kur prindërit shqetësoheshin për kohën që djali kalonte para televizorit. “Ata më thoshin se Italia është një vend i varur nga televizori. Ekrani merrte gjithë kohën time, më izolonte në shtëpi dhe më çonte në një gjendje pasive. Përveç këtyre, televizori ngjallte brenda meje dëshira komplekse”, kujton Contini.

Në atë periudhë ata jetonin në një qytezë të vogël afër Firences, dhe Leone atëherë një djalosh do të joshej nga valët e ekranit. Por ndërsa ky është koncepti italian për televizionin, në konceptin shqiptar ekrani kishte një tjetër dimension e simbolikë. Në Tiranën e atyre viteve të shikoje “Rain” mund të dënoheshe me burg. Të kapje sinjalet e televizioneve italiane kërkonte kurajë, aftësi dhe kreativitet, dhe këto antena që ai sheh mbi pallatet në Kombinat mbartnin një tjetër kuptim. Leone ka folur me banorë të këtyre pallateve, për të kuptuar përpjekjen e tyre për t’i realizuar ato. Leone mundohet të kuptojë çdo gjë, në këtë qytet që vjen nga një e kaluar e trishtë siç ishte komunizmi. Ai u nis drejt Shqipërisë për të zbuluar gjurmët e së shkuarës, për të zbuluar atë çfarë ka mbetur nga fushata e shpejtë ushtarake e Italisë kundër Shqipërisë më prill të 1939-s. Hyrja e Italisë në Shqipëri, si pasojë e politikës së Musolinit, do të sillte ndryshime në vend që nga largimi i Mbretit Zog… Leone ka lexuar për Shqipërinë e paspushtimit italian, por ajo çfarë kërkon të ndërtojë është historia e munguar e muajve italianë në Shqipëri, për të cilat nuk ka gjetur sa duhet në vendin e tij. Gjurmët e mbetura në hartë duken të vështira, por Leone është i sigurt se ato do ta çojnë diku…

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama