Haxhinasto Ska kthim pas per furgonet 8+1

Haxhinasto: S'ka kthim pas per furgonet 8+1

Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës,  Edmond Haxhinasto,  konfirmon faktin se nuk do  të kthim pas në lidhje me vendimin  për furgonët 8 +1. Sipas  tij, transporti publik në Shqipëri  është larg kushteve të sigurisë  teknike dhe ngjason me periudhën  e kioskave. Ka qenë ky krahasimi  që ministri i Transporteve  dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto,  ka bërë duke deklaruar se  nuk ka kthim prapa për furgonët.  Gjatë tryezës me temë ‘Siguria  rrugore në Shqipëri’, ministri Haxhinasto  kërkon që partitë e opozitës  të mos pengojnë reformimin  e transportit publik në vend, i cili  aktualisht bën që shqiptarët të  udhëtojnë me mjete të cilat më  tepër ngjasojnë si kioska dhe janë  të padenja për një vend që aspiron  integrimin evropian.

”Ju e kujtoni  siç ka qenë Parku “Rinia” dhe  Lana plot me kioska, sot është  transformuar dhe e dimë të gjithë  e njëjta situatë ndodhet sot dhe  me transportin publik është i kioskëzuar.Reformimi që ne do të  bëjmë do ta transformojë në një  shërbim të denjë si një vend i Europës.  Partitë e opozitës të mos e  pengojnë reformimin”- tha Haxhinasto  dje në tryezën për sigurinë rrugore në vend. Ministri nënvizoi  gjithashtu se sistemi i certifikimit  të automjeteve, dhënies së  patentave, do të jetë i mbrojtur  nga korrupsioni dhe do të ndërhyhet  në kode me qëllim që të rritet  ndërgjegjësimi i publikut.

"Sistemi  do të jetë “corruption proof”(i  imunizuar ndaj korrupsionit). Reformë  do të bëhet në mënyrën e  certifikimit të automjeteve duke e  bërë dhe këtë proces “corruption  proof”, pra që të mos ketë çertifikime  që vijnë nga korrupsioni,  nga blerja e tyre.”-tha Haxhinasto.  “Janë rritur investimet për sigurinë  rrugore në buxhet. Kemi një paketë  masash ligjore dhe operative.  Do ndërhyhet në kode,në ligj, me  qëllim që të rrisim ndërgjegjësimin  e publikut. Të përgatisim siç  duhet drejtuesin e mjetit, sepse ai është shkaku kryesor i aksidenteve.

Përpjekjet tona për sigurinë  rrugore, tani flas si përfaqësues i  Qeverisë, janë parë në disa plane.  Së pari, janë parë si ndryshim i  konceptit, si ndryshim i rëndësisë  që ka siguria rrugore në Shqipëri.  Nuk mund të trajtohet siguria  rrugore si gjë e fundit në listën e  prioriteteve, nuk mund të trajtohet  siguria rrugore në radhën e  fundit për sa i takon investimeve.  Ky koncept tani ka ndryshuar dhe  kjo përkthehet edhe në mënyra të  ndryshme se si ne kemi financuar  asete të ndryshme të sigurisë  rrugore në buxhetin e këtij viti.  Janë rritur investimet për sigurinë  rrugore në buxhetin e këtij viti. "  - shtoi Haxhinasto.

Ndërkaq ambasadori  i delegacionit të BE-së,  Etore Sequi, u shpreh se Bashkimi  Evropian vlerëson ambicien e qeverisë  dhe ministrisë për të vënë  në prioritet dhe axhendë një ndër  problemet e Shqipërisë. “Këmbësorët  janë ata që preken nga aksidentet.  Numri i aksidenteve rrugore  është shumë i lartë. BE do të asistojë  qeverinë dhe të gjitha masat  për sigurinë. Duhet të kuptojmë se  siguria dhe promovimi i saj janë  qasje mendore, e si të tilla duhen  kuptuar”-tha ambasadori Sequi. 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama