Referuar padisë në gjykatë të aktores Rajmonda Bulku ndaj gazetarit Kastriot Myftaraj, pasi në një shkrim të tijin ai e cilësonte si një nga të dashurat e Kadaresë, Helena thotë se nuk ia lejon dinjiteti të merret me këto gjëra dhe se ato janë thënë nga njerëz jo seriozë. Për herë të parë ajo pranon se Kadare e ka detyruar të heqë 100 faqe me kujtime, të cilat i kishte konsideruar pa vlerë, ndërkohë që ndihet e zhgënjyer nga reagimet e një pjese të lexuesve shqiptarë, por nuk është penduar që e ka shkruar librin. Në intervistën e mëposhtme, ndërtuar me pyetjet që gazetarët i kanë bërë gjatë nënshkrimit të librit, Helena tregon se ka sakrifikuar nga jeta si shkrimtare për të qenë bashkëshorte.
Zonja Kadare, libri juaj ka shkaktuar debate, madje është hapur edhe një çështje gjyqësore në lidhje me këtë. Cili është komenti juaj?
Është jashtë dinjitetit tim të merrem me këtë gjë, sepse ato që janë shkruar apo thënë, janë bërë nga njerëz pa seriozitet. Unë mendoj se libri im është një libër serioz dhe ka gjëra shumë më të rëndësishme se ato që përfliten sot dhe më duket se nuk e meritoj gjithë këtë. Mendoj se media e ka pasqyruar shumë mirë jehonën e këtij libri dhe ai lloj vulgariteti është përcjellë vetëm nga media të caktuara, për arsye që unë nuk di t’i shpjegoj, ndoshta ngaqë janë vetë njerëz vulgarë, kanë menduar për të bërë një shou. Nëpër botë nuk ekziston që në një emision të një njeriu që nuk dua t’ia kujtoj as emrin, të gjitha këto të bëhen pa lexuar asnjë rresht të librit tim. Bazohen te fantazitë e një tipi tjetër që bënte shfaqje.
Mendoni se lexuesi shqiptar nuk është përgatitur të lexojë kujtime të shkruara kaq hapur?
Në të vërtetë këtë gjë e mendova më pas. Me njerëzit që unë rri e që njoh, flas për shoqërinë e miq, mendoja se ishin krejtësisht të përgatitur dhe ashtu ndodhi. Madje edhe nga njerëz krejt të panjohur kam marrë mesazhe kaq të bukura sa mendova se ia vlente që e kisha shkruar. Ata më falënderonin për këtë libër.
Pse nuk përmendni emra kur flisni për flirtet e bashkëshortit tuaj?
Sepse aq vend meritonin dhe aq ishte roli i tyre. Nuk mund të flisja më tepër. Kanë ndodhur para 40 vjetësh dhe nuk kanë qenë të rëndësishme në jetën time.
Nëse do ju thërrisnin në seancën gjyqësore pas padisë që aktorja dhe deputetja Rajmonda Bulku ka bërë ndaj gazetarit Kastriot Muftaraj, do të shkonit?
Kurrsesi jo.
Nëse do të ktheheshit pas, do t’i hiqnit ato pjesë të librit ku tregoni hapur për historitë e bashkëshortit?
Jo. Jo.
Jeni penduar që keni shkruar kaq hapur kujtimet?
Jo.
Zoti Kadare ndihet i fyer pas këtyre debateve?
Jo, nuk është ndier i fyer, por i çmeritur. Në fund tha: Pse kaq shumë i fëlliqur të jetë ky vendi ynë? I thashë se as që mund ta mendonte këtë gjë. Është një pjesë kaq e vogël e medias që bëri këtë, po gjithë ato mesazhe të bukura që kanë ardhur? Ia lexoj mesazhet dhe janë kaq të bukura sa nuk më bën dora t’i shuaj.
Ai e ka dhënë aprovimin e tij për pjesët ku flisni për historitë me femra të tjera?
Sigurisht që e ka dhënë aprovimin, si mund ta bëja pa aprovimin e tij. Madje më thoshte: “Nëse do që të jesh e besueshme, duhet t’i thuash gjërat siç mendon. Mos mendo të bësh ndonjë marifet, publiku e kupton menjëherë që ajo është e shtirur. Ky pakt u bë që para 15 vjetësh”. Më thoshte se nëse do të bësh një libër që të jetojë, që të ketë sukses, thuaji gjërat si i mendon.
Kadare ka luajtur rolin e kritikut apo mbështetësit?
Të dyja, por më shumë të kritikut. E kam pranuar kritikën pa asnjë kusht, sepse e dija që vetëm më ndihmonte dhe që ishte mbështetje.
Ka shumë që mendojnë se Ismaili i ka “futur” pak duart në këtë libër...
Është një histori që më ndjek qëkur kam qenë 20 vjeçe dhe kam botuar librat e parë. Kjo gjë është thënë vazhdimisht, mirëpo ai që është lexues i rregullt e kupton që unë jam si nata me ditën me të. Ku ta gjeja t’i ngjaja pak. Sigurisht kam mësuar shumë prej tij, por nuk mund të them se shkruaj si ai. Kurrsesi jo.
I ka tejkaluar pritshmëritë tuaja interesimi i publikut?
Prania e Ismailit ma bënte që të besoja këtë gjë, ndonëse ai pasi e lexoi i hoqi 100 faqe.
Çfarë përmbajnë ato 100 faqe?
Janë raportet e mia me shoqet, me fisin, të cilat i quajti krejt të pavlefshme. Ndërkaq një shoqe më tha ruaji ato.
Mendoni t’i ribotoni më vonë me faqet e hequra?
Për momentin nuk e mendoj, se është Ismaili që thotë: Çfarë janë ato budallallëqe. I quan krejt të pavlefshme, sepse ai do gjithmonë esencë. Unë dua pak ujë në verë, më duket më e lehtë për t’u pirë.
I keni thënë të gjitha?
Po, më duket se i kam thënë.
A prisni t’ua kthejë këtë libër me një tjetër libër?
Ai është shumë i kënaqur me atë që kam bërë unë, nuk ka pse të bëjë një kundërlibër. E ka aprovuar plotësisht, ndryshe unë nuk mund ta bëja pa pasur aprovimin e tij.
E keni konkurruar sivjet bashkëshortin tuaj...
Vërtet! Po të jetë kështu, kënaqësi më jep sepse gjithnjë është ai ajo vedeta. Megjithatë ai zë një vend të rëndësishëm në libër, kështu sido që të bëj unë ai është i gjithëgjendshëm.
A e keni pasur të vështirë të bëni rolin dytësor, atë të bashkëshortes së Kadaresë?
Në fakt ka qenë një peshë e rëndë.
Sa kohë keni që nuk nënshkruani autografe?
Një muaj e gjysmë, me rastin e botimit në Francë. Këtu është një lumturi më vete. Atje kam nënshkruar në disa qytete të Francës, në Strasburg, në Nis, në Bruksel, në vendet frankofone ku ka qenë një publik shumë i dashur, por nuk e krahasoj asnjëherë me kënaqësinë që më jep publiku shqiptar.
Ju ka dhënë lumturi shkrimi i këtij libri?
Po, ishte një lumturi e vazhdueshme që zgjati 15 vjet.
Jeni e kënaqur me interesin që ka pasur libri?
Jam e kënaqur me atë pjesën e shëndoshë të shoqërisë shqiptare. Një shoqëri e porsadalë në liri duket se nuk ka ditur ta përtypi mirë këtë liri, por ka qenë një pjesë shumë e vogël dhe e papërfillshme që më ka zhgënjyer.
A ndiheni me fat?
Me shumë fat. Kam pasur një jetë shumë interesante, sigurisht me shumë vështirësi, me çudira, jo gjithnjë e shtruar me lule, por do të dëshiroja shumë që vajzat e mia të kishin një pjesë të këtij fati.