Janë të rralla rastet kur një grua e një shkrimtari të madh është edhe vet krijuese. Është fat apo e kundërta e fatit kjo?
Së pari është rastësi. Që është fat mund ta quash në kuptimin që: nëqoftëse profesioni im do të ishte një gjë tjetër, unë nuk do të isha për Ismailin një bashkëpunëtore dhe një mikeshë e kuptueshme në të gjitha rrugët që shtron jeta. Mendoj në këtë drejtim ka qenë një fat. Për mua as që diskutohet. Unë që isha e dashuruar në letërsi, bashkëjetesa me atë njeri më ka mësuar të flas në fushën e artit gjëra që nuk do t’i kisha mësuar dot kurrë. Natyrisht po të doja të krijoja dhe të punoja si të thuash pa komunikimin me të. Do të thotë është një rastësi fatlume.
Cila është rruga juaj krijuese?
Që kur jam bërë e vetëdijshme për shkrimin, që kur kam mësuar të lexoj për mua leximi përnjëherë është bërë gjithë jeta ime. Uria për të kapur çdo gjë. Sidomos në Shqipëri që ishte aq vështirë të gjendeshin libra të botuar të gjithfarë llojshmërie. Kam lexuar që në vogëli pa kurrfarë kriteri. Libra që më përshtateshin dhe nuk më përshtateshin. Por që ato ishin germa të shkruara.
Cila është tematika e shkrimeve tuaja?
Në qendër të të gjithë atyre që unë kam shkruar ka qenë gruaja. Gruaja në tërësi. Bota e saj shpirtërore në radhë të parë dhe gruaja në familje, në shoqëri… Të gjitha aspektet e gruas kanë tërhequr vëmendjen time. Që kur kam qenë e vogël duke parë nënën time dhe raportet e saj me babain, gjyshin, gjyshen. Me një fjalë gruaja ka qenë figura më e adhuruar për mua.
A ka shumë ndryshim ndërmjet femrës intelektuale shqiptare dhe asaj franceze?
Po ka. Ka shumë. Gruaja shqiptare për mendimin tim është gruaja më e përkushtuar në botë që kam njohur. Sigurisht që ka edhe vende e vise të tjera ku gruaja ka këtë veti. Kur e pata vizituar për herë të parë Izraelin, nga zakonet e atij vendi kam parë që nëna shqiptare ka diçka të përafërt me nënën hebreje. Një kohë jam marrë me përkthimet e një shkrimtari shumë të dashur për mua, Isaac Bashevis Singer, hebre me origjinë. Të gjitha tregimet, romanet e tij më kanë dhënë një dritare të jashtëzakonshme për të parë jetën e këtij populli. Ai ka përshkruar me hollësi të gjitha marrëdhëniet midis njerëzve, për të mirë apo për të keq. Ndoshta këto ma kujtojnë atë që thuhet ”është e mençur si një çifute”.
Këtë gjë e ka populli ynë, nuk ka grua më të përkushtuar se shqiptarja. Mendoj se gruaja shqiptare ndryshon shumë nga një grua franceze. Nuk është fjala në çështjen e emancipimit të saj vetjak. Por në devocionin që ajo i jep familjes së saj. Është ndoshta pak e ekzagjeruar atë që bën d.m.th e mohon vetveten. Nuk flas për të gjitha gratë shqiptare. Për fat të mirë sot një brez tjetër po rritet. E respekton veten shumë më tepër dhe ka kërkesat e tij. Po flas për atë lloj brezi që kam njohur unë, mikeshat, kushërirat e mia. Gra vërtetë të përkushtuara për fëmijët dhe familjen. Pak me tepri do të thosha, por s’ke si ta shpjegosh këtë gjë. Përveç të thuash që kështu ka qenë dhe e trashëguar.
Vitin e kaluar botuat librin “Le temps qui manque“. Ky libër është një lloj testamenti?
Mund ta marrësh ashtu. Po. Një testament. Një testament që p.sh vajzat e mia e kanë lexuar vetëm pas botimit të tij. Nuk kam pranuar ta bëjnë më parë sepse nuk doja të kisha asnjë influencë që shkruaja kështu, këtë mos e vër, etj. Ju e thatë mirë. Është një testament të cilin ato e kanë lexuar si të gjithë lexuesit e tjerë.
Cila është gjeneza e librit?
Jeta jonë së bashku, në çift me Ismailin ka qenë një jetë shumë – shumë e pasur, jashtëzakonisht e pasur. Dhe prej kohësh mendoja që kjo jetë me tërë këtë përvojë të gjatë të mos bëhet e njohur qoftë edhe për vajzat e mia?! Pra, në radhë të parë duke filluar nga familja dhe më gjerë, sepse këtu nuk është fjala për një jetë intime, unë dhe ai. Në të vërtetë kjo është një kronikë e tërë jetës shqiptare. E jetës shoqërore, kulturore. E viteve në të cilat kemi jetuar në Shqipëri. Një jetë e gjatë e mbushur me një përvojë që, mund të themi, nuk është e zakonshme dhe është krejtësisht e veçantë.
Veç këtyre unë kam qenë dëshmitare në krijimtarinë e kësaj vepre të madhe. 20000 faqe mund të them që kanë kaluar nëpër duart e mia. Ai gjithnjë ka punuar vetëm me dorë. Isha unë që i daktilografoja. Një pjesë të madhe që niste të shkruante kanë mbetur ose sinopsise ose idera të hedhura nëpër blloqet dhe shënimet e tij. Të gjitha këto doja t’i nxirrja në një përmbledhje që të arrihet ajo që ka qenë gjeneza e çdo vepre të tij letrare.
Në shënimet e mbajtura në Shqipëri në vitet e vështira të diktaturës, shumë gjëra ishin të lëna përgjysmë dhe në mënyrë të pakuptueshme. Që sido që të vinte puna ato të mos binin në dorë të një censure, kontrolli. Një arkivë e madhe, jashtëzakonisht e rëndësishme që ishte në shtëpi. Kështu që sa i përket kësaj krijimtarie mua më duhej ndihma dhe aprovimi i tij. Përndryshe unë s’kisha si t’i hyja kësaj pune. Ai si të thuash ma dha vizën, qe në dakord dhe më këshilloi: “Shkruaj si i ke parë dhe ndjerë gjërat, pa i zbukuruar, pa i bërë lavd personalitetit tim”. Bashkë i kemi parë shënimet, m’i la në dispozicion të gjitha blloqet. Aty ku hasja vështirësi ia kërkoja mendimin. Ku nuk i besoja krejtësisht kujtesës sime megjithëse më kujtohej ngjarja e pyesja: – pa më trego njëherë si të kujtohet ty kjo gjë? Dhe duke dëgjuar atë bëja krahasimin me ç’mbaja unë në mend.
Po ashtu kishte njerëz të afërt që kanë qenë prezent në disa nga ngjarjet më të rëndësishme të jetës sonë. I kam takuar dhe i kam pyetur edhe ata. Plus ditari im më ka ndihmuar shumë. Kam mbajtur ditar që gjimnaziste në mënyrë jo të rregullt. Blloqe të tëra i kam marr me vete në Francë. E kam shfletuar me qetësi për të parë si kanë qenë ngjarjet në të dhe si ishin ato në kujtesën time. Gjithashtu shtypi i kohës, kujtimet, librat, kapitujt që kanë shkruar të tjerët kanë pasur një vlerë për mua. Për të qenë sa më e vërtetë Ismaili vet e lexoi librin. Për çudi jo në shqip, por pasi u përkthye në frëngjisht. Sepse, kërkoi që duke e parë në gjuhë të huaj që s’ishte e afërt për të, ai do të ishte më i distancuar.
A keni pasur vështirësi ta botoni librin?
Vështirësi, jo. Përkundrazi kam pasur shumë ndihmë dhe përkrahje. Presidenti i Fayar-it që është edhe presidenti i shtëpisë ku boton Ismaili prej vitesh më ka kërkuar këtë. Ai vazhdimisht më pyeste: “Mbarove me kujtimet“? Kërkesa e tij e pandërprerë ka qenë një nxitje shumë e madhe për mua. Ai e ka ndjekur nga afër jetën tonë dhe ka ardhur në Shqipëri dy herë. I pati marrë dorëshkrimet e Ismailit, flas të kohës së diktaturës.
Nëse Ismaili do ta kishte situatën shumë të vështirë presidenti i Fayard–it kishte të drejtën e botimit. Pra, ai ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme që unë të mbaroj punë me to. Pa i përfunduar këto dy vitet e fundit ia dha një përkthyesit të ri, Artan Kotro. Shqiptar që jeton prej vitesh në Paris. Unë nuk kisha mbaruar me kujtimet ndërkaq ato kishin filluar të përktheheshin. Ishin 15 vjet punë intensive. Sigurisht me disa ndërprerje.
Çka ka prodhuar ky libër në raport me bashkëshortin tuaj?
Pyetje e bukur kjo që thatë ju. Kjo i ka shtuar diçka atij raporti të mëparshëm. Çfarë? I ka shtuar atë gjë që unë ndjehem më mirë tani që ia kam thënë atij mendimin që kam pasur për të. Ai e ka pritur librin mirë, sigurisht. Ka edhe gjëra që mund ta mërzisnin. Çuditërisht duke i përshkruar ato gjëra (se shpeshherë ka qenë i padrejtë ) unë duke ia thënë pa i kërkuar si të thuash mendimin para se t’i shkruaja, prisja tashti me një lloj ankthi : çfarë do të thoshte kur do t’i shikonte ato?! Por ndryshe nga natyra e tij që një gjë që s’i pëlqen e nervozon e priti me buzëqeshje dhe më përgëzoi.
Cili ka qenë reagimi i tij pas botimit të librit?
Një pjesë të takimeve ku është bërë promovimi i librit, herën e fundit iu bë promovim i madh në Strasburg, por edhe në Paris në sallonet letrare, ai më ka shoqëruar.Këtu kam vërejtur një gjë që nuk është në natyrën e tij. Kur lexuesit bënin pyetje ai nuk ishte indiferent. Mund të thoshte: ngaqë është puna jote përgjigju ti vet. Ai jo vetëm që merr pjesë në këtë, por edhe jep mendimin e tij, gjë që s’më ka ndodhur më parë.
Si ka qenë reagimi i publikut shqiptar dhe të huaj lidhur me librin?
Kritika e shtypit të huaj ka qenë jashtëzakonisht e mirë. Kam marrë mjaft letra. Kryesisht nga lexues të njohur që më është bërë vërtetë qejfi. Ato janë personalitete të jetës kulturore dhe unë e çmoj shumë mendimin e tyre. Sa i përket publikut shqiptar vetëm pak njerëz e kanë lexuar librin në frëngjisht, sepse ende nuk është botuar në shqip. Por do të botohet.
Cilin autor të artit letrar preferoni?
Në mes të tjerëve gjithë veprën e Singer–it. Kohëve të fundit jam marr me përkthimin e dy autorëve japonezë. Një që quhet Yasushi Inoué. Ai ka shkruar një libër të mrekullueshëm, perlë, për dashurinë e letërsisë japoneze me titull “ Pushka e gjahut“, “Le fusil de chasse”. Shkrimtari tjetër i madh që ka lënë një vepër të rëndësishme pas vetës është Tanizaki.