Helena Kadare Te kujtimet me kane dhembur akuzat e padrejta

Helena Kadare: Te kujtimet, me kane dhembur akuzat e padrejta
Ora letrare me Helena Kadarenë është tipike për Lajpcigun: një prezantim i shkurtër biografik, 40 minuta lexim dhe dhjetë minuta kohë me pyetje për publikun. Lexime të tilla janë nga më të preferuarat në Lajpcig, sepse ato krijojnë oaze meditimi në ambientin e rrëmujshëm të një panairi…

Ndoshta janë syzet me ngjyrë që të krijojnë ndjesinë se diku mes teje dhe saj qëndron një mur i qelqtë që të pengon t’i afrohesh. Autorja e vitit 2011 në Shqipëri, Helena Kadare, përfaqëson këtë vit në Lajpcig letrat shqipe. Prezantimi i saj organizohet nga Lajpcig Buchmesse dhe Shoqata e Botuesve të Shqipërisë. Dikush i kërkon një autograf për librin “Gruaja nga Tirana”, të cilin ajo do ta prezantojë pas pak në hollin e letërsisë ndërkombëtare. Teksa ul kokën për të hedhur përkushtimin, duket se syri i kap një fytyrë të njohur. “Blerina, fole me djalin?”, i drejtohet koleges së re nga Kosova, e cila për herë të parë e ka lënë të birin vetëm. Në këtë moment pamja e saj të kujton diçka mes një nëne dashamire dhe një shoqeje solidare dhe muri i padukshëm duket sikur ka rënë. Në fytyrën e saj ka një gjallëri gati vajzërore që shtohet edhe më shumë kur e pyet për efektin që ka pasur botimi i librit aq të diskutuar “Kohë e pamjaftueshme”, për të cilin ajo vitin e kaluar u shpall në Tiranë ‘Autorja e vitit;. Megjithëse tek-tuk i ka dhembur ndonjë akuzë e padrejtë, letrat dhe e-mailet pozitivë që ka marrë nga lexuesit i kanë dhënë një kënaqësi aq të madhe: “Si një lindje e dytë”.

Redaktore te “8 Nëntori”: Këshilla e parë ishte që të censuronim çdo shkrimtar

Në romanin “Një grua nga Tirana”, të cilin e ka nisur në vitin 1987 në Shqipëri dhe e ka përfunduar në vitin 1992 në Paris, Helena Kadare rrëfen për kontrastin mes realitetit gri të Shqipërisë komuniste dhe botës së brendshme shpirtërore të një gruaje të re që dashuron me gjithë shpirt. Suzana, personazhi i saj kryesor, sapo ka përfunduar studimet dhe fillon punën tërë optimizëm në një shtëpi botuese të Tiranës, por shumë shpejt ajo përballet me zymtësinë e së përditshmes redaksionale, që shkaktohet në radhë të parë nga presioni i censurës.

Sesa arbitrare dhe terrorizuese ka qenë politika diktatoriale, Helena Kadare këtë e ka përjetuar nga afër në shtëpinë botuese “8 Nëntori” në Tiranë, ku merrej me redaktimin e biografive të njerëzve të shquar: “Për mua që isha një vajzë e re që e adhuroja letërsinë, vendosja në këtë punë ishte me të vërtetë një shans shumë i madh edhe një gëzim i vërtetë, por këshilla e parë që na thanë që në mbledhjet e para ishte që të censuronim çdo emër të shkrimtarëve, të cilët unë i kisha lexuar në familjen time dhe i kisha adhuruar”, u rrëfen ajo lexuesve të interesuar gjermanë. “Edhe sot çuditem kur e mendoj se si ka qenë e mundur që deri para 20 vjetëve bëheshin arrestime mu në mes të mbledhjeve, për ata njerëz të cilët kishin bërë gabime në censurime”.

E pafalshme që sot ka rënë interesi për librin

Në rrethana të tilla dashuria për letërsinë e lirë merr përmasa të jashtëzakonshme: Në ato kohëra çdo intelektual shqiptar do të ishte i lumtur të kishte në dorë një libër nga këta që prezantohen në këtë panair, kujton ajo. Dhe çuditet sesi me rënien e komunizmit kjo dashuri për librin ra menjëherë: “Sigurisht që jeta tani është më e pasur e ka edhe oferta të tjera, por që interesi për librin të bjerë kaq shumë, kjo është deri diku e kuptueshme, por e pafalshme”, kritikon shkrimtarja 69-vjeçare që jeton në Paris e Tiranë.

Një bibliografi e letërsisë shqipe në gjermanisht

Stenda e Shqipërisë ishte pozicionuar në një vend shumë të rrahur nga vizitorët, pikërisht përballë Forumit të Europës Juglindore të rrjetit Traduki, ku thuajse çdo orë kishte nga një lexim, me autorë nga vendet e Ballkanit. Nëpër muret e saj ishin afishuar fotografitë e pesë shkrimtarëve përfaqësues që, përveç Helena Kadaresë, ishin Lindita Arapi, Ermir Nika, Agron Tufa e Romeo Çollaku. Shoqata e Botuesve, e cila kishte përgatitur enkas edhe një fletëpalosje informative për stendën dhe programin, përfaqësohej nga katër botues: Dituria, Onufri, Ombra, Neraida, Argeta LMG. Kjo e fundit kishte ardhur me një surprizë të këndshme për bibliofilët gjermanë. Elvana Zaimi shpaketon disa prodhime promocionale, ndër të cilat befason pozitivisht një libërth i bardhë prej afro 200 faqesh.

Zaimi thotë që ka ardhur për të prezantuar Qendrën e Kulturës Letrare e ky libërth i bërë enkas për panairin është një antologji me autorë të përzgjedhur nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia. Tekstet janë përkthyer në gjermanisht nga Joachim Röhm, i cili për përkthimin e shkëlqyeshëm të veprave të Kadaresë në vitin 2006 u nderua me çmimin e Jane Scatcherd të fondacionit Heinrich Maria Ledig-Roëohlt. Veç autorëve të pranishëm në panairin e Lajpcigut 2012, Lindita Arapi, Beqë Cufaj, Romeo Çollaku e Agron Tufa, ndër 28 shkrimtarët e prezantuar, që janë përfaqësuesit më të njohur të skenës letrare të hapësirës shqipfolëse ka edhe disa emra që fizikisht janë ndarë para kohe nga kjo skenë, por që vazhdojnë të mbeten frymëzues për pasardhësit e tyre, si Mirko Gashi a Ilir Belliu.

Një katalog i thjeshtë, por shumë informues me mbi 600 tituj librash, që janë përkthyer nga gjermanishtja në shqip: “mbi 20 për qind e letërsisë botërore të përkthyer në shqip vjen nga gjermanishtja”, thotë Mehmet Gëzhilli, drejtor i ARGETA-s, dhe bibliograf i pasionuar. Gëzhilli e ka botuar broshurën enkas me rastin e Lajpcigut dhe për shumë vizitorë të fushës ai përbën një informacion të vyeshëm.

Interes për letërsinë ballkanike

Rubrika “Leipzig liest” (Lajpcigu lexon), e cila këtë vit numëronte 2600 aktivitete të këtij lloji në 350 pika të ndryshme të shpërndara brenda dhe jashtë panairit, konsiderohet si festa më e madhe letrare e Europës. 163 500 vizitorë numëroi panairi gjatë katër ditëve të hapjes, duke ruajtur kështu rekordin e vitit të kaluar. 1071 ekspozues prezantuan trendet letrare të 44 vendeve të ndryshme të botës. Nga letërsia e huaj vendin kryesor e zuri ajo e Europës Lindore dhe Juglindore, e cila falë pjesëmarrjes së parë zyrtare të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi këtë vit ishte përfaqësuar e tëra.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama