Gravura është një vepër arti e spikatur e dalë nga dora e një mjeshtri anonim të fundit të shekullit të 18-të ose e fillimit të shekullit të 19-të. Pamje tepër artistike dhe aristokrate njëkohësisht. Në një ambjent të skalitur në dru që të kujton mjedisin e drurët të anijeve kur ajo lundroi drejt trojeve të Trojës. Që u dogj prej saj. Kjo realisht, siç thonë historianët, ishte femra pretekst. Pretekst historik apo pretekst artistik i Homerit, Helena hyri në histori. Madje edhe në qytetin e Korçës vite me parë flitej për një shpellë që vendasit prej vitesh e quanin Shpella e Helenës së Trojës. Një transferim artistik i legjendës apo një rastësi me ndonjë Helenë tjetër.
Në vitet ‘70 kur u shfaq në Durrës filmi i Hollivudit “Helena e Trojës” me aktoret Rozana Padesten dhe Brixhid Bardo, u shqyen dyert e kinemasë. Pati sherre në biletari. Shumë vetë provuan arrestimin. Atëherë shikuesit e shumtë të filmit, edhe ata që nuk e njihnin Homerin, mbase menduan se Helenën e shoqëronte sherri kudo që të ishte. Një bukuri vrasëse dhe një madhështi të papërshkrueshme. Edhe Homeri i madh nuk hyri në detaje që të përshkruante bukuritë që rrezatonte vajza hyjneshë. Po e reflektoi atë në mahnitjen e këshillit të luftës së pleqve të Trojës, që kur e panë divën e rrëmbyer, vendosën që të mos e kursejnë gjakun që ta kenë të tyren këtë bukuri…
Piktori që skaliti gravurën në dru na ka dhënë mjeshtërisht me talentin e tij, atë se çfarë kanë parë pleqtë e Trojës kur u shfaq para tyre Helena dhe që s’e pa dot me sytë e tij Homeri i verbër i Iliadës. Helena e bukur me mbesën e saj Elektren janë duke u marrë me një palë sandale. Mbase është momenti i nisjes për shtegtimin e marrë për në kohërat tona… me peshat e rënda të tragjedive që sollën pas…
Gravura
Sipas specialistëve amerikanë të artit, vepra artistike është një gdhendje shumë e vjetër në dru arre e dy grave më të famshme të mitologjisë greke, Helena dhe Elektra, që janë kompozuar në një moment të qetë në dhomën mbretërore ndërsa veshin sandalet. Në pjesën e sipërme të veprës së artit autori i saj ka skalitur një mbi shkrim në gjuhën greke që thotë Helena dhe Elektra. Gravura ka detaje të holla dhe është shumë mbresëlënëse. Përmasat e saj janë 16 X 20 inç. Dhe ka një patinimin të mrekullueshëm. Në mitologjinë greke Helena e Trojës ishte gruaja më e bukur e Greqisë dhe shkaku kryesor i luftës së Trojes. Helena ishte e bija e Zeusit dhe Ledes, e cila ishte përdhunuar nga Zeusi që iu shfaq asaj i maskuar si mjelmë. Klitemnestra ishte motra e Helenës dhe gruaja e Agamemnonit. Vëllezërit e saj ishin Dioskurët, binjakët hyjnore Poluksi dhe Kastori. Elektra ishte vajza e Agamemnonit dhe Klitemnestrës dhe motra e Orestit dhe e Ifigjenës. Urrejta e saj për të ëmën që i vrau të atin dhe dëshira e saj për hakmarrje u plotësua kur iu kthye i vëllai Oresti, dhe kjo ngjarje shërbeu si subjekt për tragjeditë e autorëve antikë, si: Sofokliu, Eskili dhe Euripidi.