Helidon Haliti Piktura me veshtire ne vendin tend se ne emigrim

Helidon Haliti: Piktura, me veshtire ne vendin tend se ne emigrim
Ndërsa “piktura është art luksi”, vetë piktori çfarë është në realitetin shqiptar…?! Helidon Haliti, piktori i mirënjohur që është kthyer në Shqipëri (4 vjet më parë) pas 14 vjet krijimi dhe pune në Greqi, tashmë e di mirë këtë raport. Vjen në këtë intervistë në gazetën “Mapo”, me emocionin që fal një Koloni Artistësh, të vendosur në Vlorë për të krijuar pikturën, por edhe për të diskutuar e debatuar për të… Ndërkaq një tjetër Koloni ajo, e Suharekës, ku përballë piktorëve ndërkombëtarë, Haliti si përfaqësues i Shqipërisë u vlerësua me çmimin e parë të ekspozitës.

Helidon, pak ditë më parë keni qenë në një ekspozitë në Vlorë. Mund të na tregoni diçka rreth këtij aktiviteti?

Ekspozita e Vlorës titullohet ‘Ditët Vlonjate të Pikturës’. Është viti i dytë që ajo organizohet nga Dezdemona dhe Pirro Stefa, dy intelektualë të ndjeshëm, të cilët mes aktiviteteve të tjera, kanë vendosur të investojnë edhe në artet pamore, një veprim inteligjent ky i gërshetuar me pasionin për pikturën dhe zgjimit të një instinkti të vjetër, kur një arkitekt fillon punimin e tij, siç fillon edhe piktori tablonë… Mënyra sesi ishte e organizuar ky aktivitet ishte në formë kolonie artistësh, siç quhet rëndomë. Artistët ftohen nga organizuesit në një hotel të qytetit (me kushte optimale), ku jetohet 4 ditë në mes të artit live dhe diskutimeve artistike. Artistët pikturojnë ‘live’ dhe jetojnë me njëri-tjetrin, duke debatuar për çështje kontradiktore, personale, sociale dhe artistike. Ndryshimet në moshë, tip, karakter, stil, mënyra e të bërit art dhe kompromiset personale, marrin formë gjatë këtyre ditëve në koloni dhe, për rrjedhojë edhe ekspozita, pika kulminante, përmbushja, kurora e eventit: hapja e Ekspozitës së kolonistëve piktorë. Interesante në këto aktivitete është, sepse artistët pikturojnë në natyrë, në qiell të hapët, mes fushës, pyllit, ballas me detin, duke u bërë kështu zellshëm, vullnetshëm. Skllevër pasionantë të saj, të pikturuarit të të njëjtit peizazh nga artistë të ndryshëm, me këndvështrimin personal e shije të secilit. Është një fakt intrigues dhe për t’u veçuar gjithashtu, gërshetimi i grupmoshave të ndryshme, i fuqisë shprehëse dhe imponimi artistik i secilit. Dhe ajo që bie në sy në këtë aktivitet, mbi të gjitha, është hierarkia, pozicionimi artistik dhe ekonomik, si një fakt i pashmangshëm. I vetmi objekt i barabartë është peizazhi që nuk ndryshon, por që përballë e rreth tij vijnë artistët që mundohen ta “manipulojnë” atë si edhe artdashësin me radhën e tyre.

Në atë ekspozitë marrin pjesë legjenda të artit shqiptar dhe artistë të rinj, që sapo fillojnë karrierën dhe në mënyrë të paqshme dhe agresive, luajnë “Stafetas”, ku rregulli i lojës nuk është si në sport, por krejt e kundërta, atë e rrëmben dhe, mundohesh ta dorëzosh në një vend të pazbuluar ende, ndoshta në folezën e përjetësisë…Veçantia e këtyre eksperiencave është se, jeton në mes legjendave të artit pamor dhe mundohesh të urosh veten, që një ditë, t’i zëvendësosh dhe ti denjësisht ata dhe, të pranosh që të zëvendësohesh dhe ti, një ditë nga të tjerë të radhës...

Ekspozita: një grumbullim impresionosh i atyre ditëve, por që për mua është edhe pika më e diskutueshme, pasi ajo nuk është mënyra ime e të shprehurit, sepse unë mendoj se, ekspozimi është diçka që duhet menduar më gjatë se vetë pikturimi…Është një art i mëpasshëm që ne në Shqipëri nuk e vlerësojmë edhe aq shumë. Ai më kujton një dasmë me shumë harxhime dhe ku, nusja dhe dhëndri, nuk kanë më fuqi dhe, në ditën me të shenjtë të tyre, ata ndihen veçse të lodhur e të këputur.

"Kolonitë...", duket si një emër i ashpër për artin. Ku konsiston ideja...?

Një emër që ka filluar të përdoret ngaqë vërtet artistët piktorë u ngjajnë kolonëve me shpërnguljen nga një qytet, krahinë, rreth, mjedis tjetër për t’u ngulitur 4-5 ditë në një mjedis të ri frymëzues, gjithnjë në shpërngulje, gjithnjë në kërkim të një diçkaje të re, ndryshe, në gjetje të një frymëzimi, vokacioni të ri. Duket diçka absurde, por fjala koloni është e qëlluar, e gjetur, sinjifikative. Por po vë re se kjo fjalë e re, po zëvendëson fjalën tashmë të konsumuar, komunitet, bashkësi artistësh, po e rëndësishme është që së bashku me ardhjen e fjalës së re, vijnë dhe të rejat në krijimtarinë artistike.

Pjesëmarrja në Vlorë nuk ka qenë e vetmja e këtij viti. Pak kohë më parë keni qenë në një konkurs në Kosovë, ku edhe jeni vleresuar me çmimin e parë...

Para aktivitetit të Vlorës, unë kam qenë edhe në dy aktivitete të tjera; në Durrës, ku pjesëmarrja ishte tejet e madhe dhe organizimi tepër i suksesshëm, shoqëruar me një pritje, joshëse e dashamirëse. Këtu aktiviteti u përmbyll, u kurorëzua me një ekspozitë, në një galeri cilësore në plazhin e Durrësit dhe me emra të pikturës shqiptare, po aq të rëndësishëm. Madje, më kujtohet që, ky grupim quhet, “adoleshentët e përjetshëm”. Oreksi për artin dhe jetën ndihet shumë në këto aktivitete. Edhe më parë kam marrë pjesë në një grupim tjetër, që për mua ishte shumë i rëndësishëm, pasi ishte ndërkombëtar dhe bëhej në Kosovë Suharekë. Këtu, përveç pikturimit ‘live’ jetësues artistik, kishte edhe diçka tjetër plus, pasi me këtë rast, me hapjen e ekspozitës, u inaugurua edhe Muzeu i Zonës.

Ndër të tjera u ndanë edhe çmime dhe një plus i madh që Shqipëria mori Çmimin e Parë. Serioziteti dhe eksperienca në ketë ”koloni” ishte mbresëlënëse dhe një eksperiencë shumë pozitive, ekspozimi tepër profesional, estetik dhe i kuruar me shumë korrektësi në respektimin e spaciove midis tablove, gjë që bënte mrekullisht të mundur shikimin me qartësi dhe leximin e plotë të çdo pikture. Piktorët që përbënin koloninë ishin ardhës nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Turqia, Bullgaria, Malta, Irani, Mali i Zi dhe Bosnja. Kjo veprimtari artistike realizohej brenda një tematike të parapërcaktuar; (Heroi dhe Liria në kohën e absurdit). Unë pata një paraqitje përkushtuese dhe kjo u ndie, u pa, u vu re njëherësh nga kolegët artistë dhe nga komisioni vlerësues, i cili përbëhej nga dy pedagogë të Akademisë së Arteve të Bukura, ardhur enkas nga Nju Jorku i SHBA. U gëzova pa masë që mora çmimin e parë, pasi kishte një çmim që e merrja në një koloni me artistë cilësorë dhe nga një komision kompetent, i paanshëm, i drejtë, pa mëdyshje, të cilit i entuziazmuar, i shpreha mirënjohjen time prej krijuesi pretendues, të vetëdijshëm…

Helidon, për vite me radhë keni punuar në Greqi. Prej disa vitesh jeni rikthyer për të zhvilluar karrierën në vendin tuaj... Është e vështirë?

Shpesh, mendoj se e vërteta e madhe neve shqiptarëve, na vjen nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe kudo që ka shqiptarë dhe anasjelltas… Koniunkturat në vendin tënd e mbysin të vërtetën, e sfidojnë, tregohen mospërfillës, indiferentë të trashë, tendenciozë duke plagosur përherë një shpirt të ndjeshëm krijuesi… Kam punuar 14 vite rresht në Greqi. Ishte vështirë atje, por edhe më vështirë këtu, sepse përgjegjësia dhe marrëdhënia me elitën e vendit tënd është më e madhe dhe vëmendja po kaq e madhe, gjithashtu. Në një vend të huaj edhe mund t’i shkasësh vëmendjes së “mbrojtjes” kundërshtare dhe mund të shënosh gol, kurse në vendin tënd je gjithë kohës i markuar, i mbuluar nga një duzinë “mbrojtësish”, të cilët luajnë shumë keq dhe, përveçse bëjnë faulle dhe lojë brutale ose e thënë ndryshe, bëjnë një lojë të rëndë gjatë ‘fino in fondo’ nuk e kanë për gajle që, ta nisin lojën si futboll dhe ta mbarojnë si lojë volejbolli…

Por për hir të së vërtetës unë, këtu në vendin tim, në Shqipëri kam arritur të realizoj shumë synime të miat, falë punës sime, mbështetjes së medieve dhe veçanërisht mbështetjes së madhe të Muzeut Mezuraj, shumë koleksionistëve që ndjekin dhe besojnë punën time krijuese… Secili nga ne artistët ka vendin e tij në diellin zemërgjerë të caktuar nga onnipotenza dhe perëndia talent. Dhe nëse ti i rri në largësinë e duhur këtij dielli zemërgjerë, ai të ngroh, nuk të djeg. Secili nga polifem, por ka dhe Athinanë e vet që e mbron…

Dikur artistët ishin të favorizuar nga shteti, në sensin e një studioje, e kohës favorizuese për të krijuar. Sot ata janë jashtë kësaj vëmendje nga shteti. Kanë nevojë realisht, konkretisht piktorët, të kenë mbështetjen e shtetit, apo fakti që çdo gjë ecën privatisht duhet të funksionojë po në mënyrë private?

Unë kam lindur në një vend ku arti dikur administrohej, kontrollohej, investohej nga shteti… Kjo nuk ndodh më, madje shteti demokratik, aktual, i ka larguar artistët për t’u ngrohur ose djegur në një diell tjetër dhe i afron ata, kur politika ka nevojë që të ngrohet prej tyre dhe, ndonjëherë disa i afron kaq shumë sa ata digjen ose duke marrë shumë zjarr nga shteti, djegin kolegët e tyre, për të ruajtur ngrohtësinë rigjeneruese.

Po njerëzit, Helidon, kanë mundësi të blejnë piktura...? Na tregoni, a kanë interes ata? Cili është target grupi që përfaqëson blerësin e pikturës?

Kritika sot te ne, pothuajse mungon fare. Të vjen për të qaroqeshur, kur dëgjon politikanë që marrin rolin e kritikut, estetit dhe klithin me të madhe se zbuluan një artist të madh, gjeni, pothuaj, e bla, bla, bla... E thotë qartë Oruelli: "Nuk ka gje më të thellë sesa sipërfaqja"! Gjithsesi është për t’u përgëzuar që disa galeri nëpër rrethe drejtohen nga artistë seriozë e të përkushtuar. Është e gëzueshme dhe alternative edhe hapja e një salle të re në Kuvendin e Shqipërisë dhe në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, për ekspozimin e veprave të artistëve të ndryshëm: të rinj e me eksperiencë. Deri këtu mirë, por pa synimin që politika për hir të krijimit të kushteve të penetrojë në territorin e artit me konsiderata diletanteske, për ta drejtuar atë dhe vetë artistët si dikur në monizëm, kur, meqë shteti u paguante artistëve gjithçka që u nevojitej, drejtonte artin, kurse artistin e quante ndihmës të tij shërbyes, kur dihet se arti nuk shërben por mbretëron. Edhe në një vështirësi të tillë pati arritje individuale në artet pamore.

 Ndryshe nga shteti në monizëm, artit dhe artistëve, ndihma sot u vjen nga disa biznesmenë patriotë e artdashës të cilët investojnë dhe për Kolonitë në fjalë, ku artisti, njëherësh, largon ankthin ekonomik dhe pikturon me materialet që i afrohen nga këta investitorë që ndihmojnë, pa ndërhyrë në mënyrën e krijimit artistik, pa e komanduar artistin me mbroçkulla. Ata besojnë te artisti, prandaj dhe e sponsorizojnë atë pa mëdyshje… Njerëzit gjithmonë kanë mundësinë të blejnë art, thjesht ndryshimi mes tyre është se sa prioritet i japin atij, pra, kur hyjnë në një shtëpi të re; blejnë më parë pikuarat, apo kolltukët?! Një gjë është e sigurt, se kur ndërrojnë shtëpi, me vete marrin vetëm veprat e artit dhe jo…

Piktura eshte art i luksit, sipas jush?

Piktura është art luksi, por mënyra për ta përvetësuar është po ashtu art më vete.

Keni pasur fatin të keni ekspozita brenda Shqipërisë dhe jashte. Mund të na thoni me sinqeritet, ku jeni vlerësuar më shumë?

Që fare i ri, unë kam marrë pjesë në ekspozita jashtë Shqipërisë dhe jam laureuar me shumë çmime, pra kam rënë në sy jashtë, ndërsa në Shqipëri kam arritur të krijoj shumë, por duhet shumë dashamirësi që t’i pranosh, ose të paktën të mos i pengosh artistët që punojnë me përkushtim… Sipas meje, kjo lloj lufte është shpesh një sharlatanizëm administratorësh kolltukofagësh që të paaftë, për të bërë përjetësisht art, ngelen përjetësisht në tentativë të tij duke u kënaqur me çmimet, titujt, postet… Arti është ëngjëllor, djallëzor, shpesh, mund të jetë pseudoartisti.

Së fundi, po merreni edhe me fotografi. Është thjesht një hobi?

Unë jam gozhda e Krishtit, jo vera e tij…Kam mbi 20 vite që merrem me fotografi dhe gjithmonë e kam pasur si shërbyesen e artit piktorik, ende po ashtu e kam, por nga një art në tentativë, mendoj që një ditë fotografinë ta kthej në një art të mirëfilltë, megjithëse shpesh e krahasoj me seksin virtual, jo atë esencial…pra veprat e mia, (fëmijët e mi) kanë dalë nga një kontakt konkret…!

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama