Krem kundër rrudhave apo hidratues pas dushit. Pastaj rimel, buzëkuq, deodorant, parfum dhe ton për sytë. Gratë çdo ditë vendosin në fytyrë, trup dhe flokë rreth 515 agjentë kimikë, sipas një llogaritjeje të bërë nga një kërkuese e shtëpisë kozmetike “Bonsen”. Për kujdesin e trupit, një grua moderne “konsumon” përditë mesatarisht 13 produkte, ku secili prej tyre është i përbërë nga më shumë se 20 përbërës dhe shumë kimikate. “Më ‘i keqi’ është parfumi, që përmban nga 250 deri në 400 agjentë kimikë të dëmshëm për trupin”, - shpjegon autorja e studimit, Charlotte Smith. Gratë dhe produktet kozmetike është një histori dashurie që vazhdon prej shekujsh dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim.
Nuk ka asgjë më tepër se sa një buzëkuq i mirë apo parfumi ynë i preferuar, që të na bëjë të dukemi dhe ndihemi më mirë. Ose të paktën kështu mendojmë ne. Në fakt, sipas një raporti të ri, pjesa më e madhe e produkteve tona të preferuara kozmetike janë një koktej i vërtetë i lëndëve industriale dhe kimikateve të rrezikshme, që në shumicën e rasteve mund të dëmtojnë shëndetin dhe në vend që “të ushtrojnë” fuqinë e tyre për të na mbrojtur nga plakja, na bëjnë që të plakemi më shpejt. Një kërkim i bërë nga shtëpia kozmetike “Bionsen” ka treguar se, rutina e përditshme e një femre në trukim dhe përdorimi i produkteve të tjera kozmetike do të thotë se ajo “fton” në trup 515 lloje të ndryshme kimikatesh sintetike brenda një dite të vetme.
Shumë prej tyre përdoren gjithashtu edhe në produkte të tilla si ato për pastrimin e shtëpisë dhe lidhen me një numër të madh problemesh me shëndetin, që nga alergjitë, sëmundjet e lëkurës, për të shkuar më tej te shqetësimet hormonale, probleme me pjellorinë, madje edhe kancer. Parabens, që janë disa prej konservantëve më të përdorur te produktet kozmetike, gjenden me shumicë te shampot, xhelërat e flokëve, shkumat e rrojës dhe locionet për trupin. Por, përdorimi i tyre po ngjall gjithmonë e më shumë diskutime. Një numër i madh studimesh të ndryshme ka treguar se ato lidhen me probleme serioze me shëndetin, përfshi kancerin e gjirit dhe fertilitetin te meshkujt.
Kërkimet në Universitetin e Mjekësisë së Kyotos sugjerojnë se disa konservantë, si për shembull, methylparaben, mund të ndryshojnë strukturën e tyre dhe të bëhen helmues kur ekspozohen ndaj dritës së diellit, duke shkaktuar plakjen para kohe të lëkurës dhe rritur rrezikun për kancer. Methylparabens është gjendur në më shumë se 16 000 produkte, përfshi kremrat hidratantë dhe pastat e dhëmbëve. Shtëpitë kozmetike e kanë mbrojtur gjithmonë përdorimin e këtyre konservantëve nëpër produkte, me faktin se ato nuk përthitheshin nga trupi. Por, shumë studime të mëdha nuk përputhen fare me atë që shtëpitë e produkteve kozmetike tregojnë. Barabra Olioso, një kimiste shumë e zonja, tregon: “Kërkimet kanë treguar se nga 20-60 për qind e këtyre konservantëve mund të përthithen nga trupi”. Në të vërtetë, ekziston një numër i madh ligjesh për të na mbrojtur nga kimikatet e rrezikshme që gjenden te produktet kozmetike, por studiuesit shqetësohen se ato nuk zbatohen aq sa duhet.
Për shembull, industrive të kozmetikës u është kërkuar të listojnë përbërësit në një produkt, por ata nuk na tregojnë asgjë rreth papastërtive të gjetura në materialet fillestare apo të përdorura gjatë procesit të prodhimit, që shpesh përfundojnë në produktin përfundimtar. Industritë e kësaj fushe këmbëngulin se produktet e tyre janë të sigurta. “The Cosmetic Toiletries” dhe “Perfumery Association” u shprehën disa ditë më parë: “Ligjet e rrepta kërkojnë që të gjitha produktet kozmetike të jenë të sigurta dhe secila prej tyre të kalojë kontrollin e sigurisë dhe cilësisë. Numri i përbërësve në një produkt, vetëm nëse është natyral ose i prodhuar nga njeriu, nuk ka lidhje me sigurinë e tij”.
Ata thanë gjithashtu se, çdo kimikat është i pranishëm në një dozë të vogël që ne nuk mund të na dëmtojë. Sado e vërtetë të jetë kjo, ka diskutime të shumta rreth atij që quhet niveli i sigurisë, sepse për fëmijët e vegjël, të rinjtë apo të rriturit me lëkurë shumë të ndjeshme, ato nivele nuk mund të garantojnë siguri. Por edhe pse thuhet që sasia e vogël e tyre nuk mund të na dëmtojë, po rritet gjithmonë e më shumë shqetësimi rreth numrit të produkteve që femrat përdorin çdo ditë dhe efektet e grumbulluara si pasojë e kimikateve që ne vëmë në trup çdo ditë prej shumë vitesh. Charlotte Smith, zëdhënësja e “Bionsen”, tregon: “Produktet kozmetike ditore që gratë përdorin kanë ndryshuar shumë në rrjedhën e viteve: nga zakoni për ujë dhe sapun dikur, te kremrat kundër moshës, ata vetënxirës, manikyret e vazhdueshme, qerpikët false dhe zgjatimi i flokëve. Shumë prej këtyre produkteve ‘high-tech’, të teknologjisë së fundit apo magjike për sa i përket bukurisë, përmbajnë më shumë kimikate për të arritur rezultate më të mira, që detyrimisht do të thotë se gratë aplikojnë në trupin e tyre më shumë substanca kimike se kurrë më parë”.
Në fund, një këshillë: Nëse doni ta mbroni veten nga këto rreziqe, reduktoni përdorimin e tepërt të produkteve kozmetike. Është më mirë t’i zëvendësoni me produkte natyrale dhe të lexoni me kujdes etiketat dhe paralajmërimet nëpër kutitë e produkteve. Shembujt nuk mungojnë. Në disa raste, për t’u bërë të bukura dhe tërheqëse na duhet ta paguajmë shtrenjtë. I tillë është rasti i Abigail Colbourne, një vajzë londineze 15-vjeçare, që i donte flokët më të errët dhe i leu në shtëpi. Ditën tjetër u zgjua me fytyrën të ënjtur dhe thuajse nuk njihej, sipas asaj që tregon britanikja “The Sun”. Vajza nuk kishte bërë testin anti-alergjik që këshillohej në përdorim. Një tjetër vajzë, duke dashur të imitonte një këngëtare të njohur, imazhi i një boje floku, përdori produktin dhe u gjend pa flokë. Këto janë vetëm dy prej rasteve të panumërta që numërohen sot në botë.