Në informacionet që na vijnë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, pirja e duhanit është një ndër shkaktarët kryesore që do të ndikojë në rritjen e vdekshmërisë botërore. Popullsia riprodhuese e gjinisë mashkullore kërcënohet më shumë se ajo femërore. Pirja e duhanit i ul jetëgjatësinë me gati 20-25 vjet një duahanpirësi të rregullt.
Shqipëria një vend ballkanik i izoluar për gati 50 vjet, me një industri të përpunimit të duhanit e cila ishte kryesisht e destinuar të plotësonte nevojat e konsumit të brendshëm, nuk kishte kryer asnjë matje mbi prevalencen e duhanpirjes në vend. Informacioni i vetëm që mund të ndahej lidhej me sasinë e prodhimit dhe të përpunimit të duhanit, numrin e punëtorëve në industrinë përpunuese, xhiron e realizuar në pikat e shitjes nga shitja e paketave dhe sasia e eksportuar.
Informacioni i vetëm që mund të merret mbi prevalencen e duhanpirjes në ato vite, vjen nga tregimet dhe vlerësimet e individëve, si p.sh., që duhanpirja ishte më e larte ndër burrat se sa ndër gratë, që duhani me të dredhur, apo llulë ishte më shumë karakteristikë në zonat rurale se sa në ato urbane, etj.
Në Shqipëri në ato vite kompanitë ndërkombëtare të tregtimit të duhanit nuk njiheshin dhe vetëm mbas vitit 1991 ato filluan të hynin në ekonominë shqiptare. Prezenca e tyre ndryshoi mënyrën e të tregtuarit dhe te konsumimit të duhanit, por gjithashtu pati ndikim shumë të madh në bilancin tregtar të vendit, ku importi i duhanit u rrit ndjeshëm. Por ky ndryshim i të sjelluri mbeti i pamatshëm.
Në fund të viteve ’90-të për herë të parë janë bërë studime për matjen e prevalencs në të gjithë territorin e vendit, dhe në vitin 2002 vetëm në Tiranë është bërë një matje për prevalencën dhe karakteristikat e duhanpirësve kryeqytetas.
Një vrojtim mbarëkombëtar, që përfshiu 4000 individë, të moshës mbi 18 vjeç në të gjithë territorin e vendit, u krye gjatë periudhës Prill - Maj 2007, pak kohë më parë se të hynte në fuqi ligji “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”. Qëllimi i vrojtimit ishte të maste shkallën e prevalencës dhe karakteristikat e duhanpirësve, në nivel kombëtar. Grumbullimi i të dhënave u realizua nëpërmjet intervistave direkte.
Të 4000 individët e zgjedhur ishin femra dhe meshkuj banues në zonat urbane dhe rurale. Shkalla e përgjigjes ishte 100 %, niveli i sigurisë 95% dhe gabimi standard i matur ishte + 1.5 % .
Ky vrojtim është kryer në kuadër të profilit kombëtar të Kontrollit të Duhanit, që është një nismë e Konferencës së 12-të Botërore mbi Duhanin dhe Shëndetin e mbajtur në Helsinki, Finlandë gjatë Gushtit 2003. Shoqata Amerikane e Kancerit, Organizata Botërore e Shëndetësisë, dhe Bashkimi Ndërkombëtar kundër Kancerit janë organizatat botërore që udhëheqin këto studime në mbarë botën.
Dominimi i duhanpirjes
Në Shqipëri pinë rregullisht duhan 34.9% e popullsisë mbi 18 vjeç. Përvec duhanpirësve të rregullt, në Shqipëri pinë duhan jo rregullisht 6.5% e popullsisë mbi 18 vjec e lartë. Ata konsumojnë duhan jo në mënyrë të përditshme, por në mënyrë të përjavshme, e kanë lënë duhanin për më shumë se 6 muaj 6.8% e popullsisë së adulte. Në Shqipëri rreth 52% e popullsisë mbi 18 vjeç nuk pinë duhan. Duhanpirësit e rregullt janë më të shumtë në zonën urbane (36,6%) se sa në zonën rurale. Në qytete vihet re një tendencë më e lartë, se në fshat për të lënë duhanin. Por numri i atyre që nuk pine duhan në fshat është më i lartë se në qytet. Përsa i takon shpërndarjes së duhanpirjes sipas grupmoshave, për ata që janë pirës të rregullt të duhanit, grupmoshat mbi 55 vjeç janë konsumuesit më të mëdhenj, si për fshatin ashtu edhe për qytetin. Në qytet duhanpirësit e rregullt të grupmoshës së re, 18-19 vjeç janë më të shumtë se në fshat, por në qytet prevalenca femërore është zero.
Meshkujt shqiptarë pinë më shumë duhan se femrat shqiptare. Duhanpirësit e rregullt mashkullorë janë më të shumtë se sa ata femërore. Në fshat duhapirësit femra zënë vetëm 7,7% të totalit të duhanpirësve, ndërsa në qytet ato zënë 16,3 %. Në fshat femrat që pinë duhan në mënyrë jo të rregullt janë gati sa gjysma e atyre në qytet. Meshkujt e qytetit në grupmoshat mbi 55 vjeç, kanë bërë më shumë përpjekje se ata të fshatit për të lënë duhanin dhe ka 11 pikë përqindje më shumë meshkuj në qytet se në fshat që nuk pinë duhan. Prevalenca e matur në Maj 2007, tregoi se në Shqipëri sjellja duhanpirëse e shqiptarëve ruan gati te njëjtën mënyrë si në vitin 2002.
Sa shumë tymoset?
Duhanpirësit shqiptarë tymosin mesatarisht 21,9 cigare në ditë. Grupmosha 45-54 vjeç si në qytet dhe në fshat konsumon më shume cigare se grupmoshat e tjera. Grupmosha 18-19 vjeç femërore që jeton në fshat konsumon 22,5 cigare në ditë. Konsumi ditor i duhanit tek gjinia femërore banuese në fshat paraqitet me fluktuacine të ndryshme nga ai i qytetit. Siç pritej ka një diferencë në konsumin e duhanit midis femrave dhe meshkujve. Gratë e të gjitha moshave, me përjashtim të grupmoshës 18-19 vjeç, konsumojnë me pak duhan se meshkujt. Gratë në moshën mbi 65 vjeç tregojnë se janë me konsitentë në duhanpirje në krahasim me meshkuj. Duhanpirësit jo të rregullt konsumojnë mesatarisht 16,7 cigare në javë. Në këtë grup duhanpirësish, meshkujt në zonat rurale pinë rreth 19,8 cigare në javë, ndërsa në zonat urbane meshkujt konsumojnë rreth 17,2 cigare në javë.
A kanë tentuar ta lënë?
Gjatë vrojtimit janë vënë re shenja optimiste, përsa i takon përpjekjes së duhapirësve për të lënë duhanin. Në qytet përpjekjet janë më të shumta se në fshat dhe kjo mund t’i dedikohet deri diku mjeteve më të shumta të informimit dhe efektit të tyre. Efekti i lënies së duhanit që vjen si rezultat i këshillimit me strukturat shëndetësore të specializuara, është i njëjte si në qytet ashtu edhe në fshat. Por duhanpirësit këshillohen pak me mjekët për lënien e duhanit.
Sa kushton të pish duhan?
Gjatë anketimit, që u krye në Maj, rezultoi që një paketë cigare e konsumuar nga shqiptarët kushtonte mesatarisht 129,8 lek, ndërsa në Shtator të 2002 ky çmim ishte 89,3 lek. Po në muaj maj çmimet mesatare të disa artikujve, llogaritur nga INSTAT, rezultojnë të jenë 1 kg bukë (64,1 lek), 1 kg vaj (137,5 lek), 1 kg miell ( 63,9 lek), 1 kg patate (60,2 lek), 1 kg sheqer (71,3 lek). Pra çmimi mesatar i një paketë rezulton të jetë në treg më i lartë se ai i disa artikujve të rëndësishëm të konsumit të përditshëm familjar.
Sot Shqipëria nuk i plotëson nevojat ditore për cigare dhe ky produkt kryesisht është produkt importi. Që nga viti 2002 deri në 2006, sasia e cigareve të importuara është luhatur nga 3900 ton deri në 4200 ton në vit. Kjo shifër e thënë ndryshe tregon se në Shqipëri ka hyrë një sasi prej 195 milion paketash deri në 210 milion, çdo vit. Por shkalla e informalitetit në këtë mall vlerësohet të ketë qenë i lartë ndër vite, edhe pse janë bërë përpjekje që kjo shkallë të ulet. Nisur nga prevalenca dhe nga konsumi ditor i duhanit, si dhe nga importi vjetor i duhanit vlerësohet që informaliteti në këtë mall të jetë rreth 45% për vitin 2006. Të dhënat e vrojtimit vlerësojnë se konsumi vjetor i duhanit për duhanpirësit e rregullt dhe ato jo të rregullt të jetë rreth 6307 ton në vit. Ndërsa masa e duhanit të importuar për vitin 2006 është 4118 ton. Duhani i prodhuar në vend është gati i papërfillshëm në vlerësimin e kësaj shifre.
Pak për ligjin
Që nga data 1 korrik i këtij viti, nuk lejohet prodhimi dhe tregtimi i cigares që përmban më shumë se 10 mg katran, mbi 1 mg nikotinë dhe mbi 10 mg monoksid karboni. Testet e katranit dhe nikotinës bëhen duke u bazuar në standardet e ISO-s. Sipas ligjit, ndalohet përdorimi i termave “me përmbajtje të ulët katrani, e lehtë, ultra e lehtë, e butë”, apo terma të tjera analoge dhe mbi të gjitha etiketat e vendosura në çdo markë pakete cigaresh duhet të shkruhen në gjuhën Shqipe. Ligji nuk parashikon krijimin e ambienteve të caktuara për pirje duhani. Pronari, ose administruesi i ambienteve duhet të vendosë shenja të dukshme për kufizimin e pirjes së duhanit si dhe mos te lejoje vensodjen e tavullave në ambientin publik. Pronari është përgjegjës për zbatimin e të gjitha kufizimeve. Ligji gjithashtu ndalon përdorim e duhanit për grupmoshat më të reja se 18 vjeç.
Milva Ikonomi : Revista Mapo