50 vjet më parë, në orët e para të së dielës së korrikut të vitit 1951, Ernest Heminguej, një nga shkrimtarët më të famshëm të Amerikës së shekullit të kaluar u zgjua, u ngrit nga shtrati në shtëpinë e tij në Idaho. Ndërkaq, u kujdes që të mos e zgjonte bashkëshorten e tij, Mary. Më pas zbriti në hangarin ku mbante armët e zjarrit me të cilat dilte për gjah, e mbylli derën nga brenda, vuri në ballë pistoletën, shkeli këmbëzën dhe hodhi trutë në erë. Mjekët që erdhën më pas vendosën se ora e saktë e vetëvrasjes ishte ora 7 e mëngjesit. Ata që e panë thonë se Heminguej kishte zgjedhur disa nga veshjet më të mira të garderobës së tij për “rastin solemn”. Gruaja e tij, Mary i tha menjëherë medias se bëhej fjalë për një aksident dhe fatkeqësi dhe se nuk mund të thuhej se bashkëshorti i saj kishte vrarë veten, dhe ky rrëfim doli në faqet e para të medias amerikane. Por Mary Welsh Heminguej do të duhet që të kalonte disa muaj për të kuptuar se në fakt i shoqi, ndryshe nga sa kishte besuar ajo, kishte vrarë veten dhe do të duheshin edhe 50 vjet të tjera për të bërë bashkë të gjitha pjesët e historisë së kësaj vetëvrasjeje, që fillimisht ishte e pakuptimtë. Si ishte e mundur që një njeri kaq energjik, kaq i mbushur me jetë dhe me fuqi të pashtershme, krejt papritur vendos që t’i japë fund vetes në një mënyrë kaq misterioze? Përse vallë?
Biografitë e jetës së tij, që janë të shumta në numër, kanë bërë hamendësime në lidhje me probleme që ai mund të kishte pasur me karrierën, me ndonjë problem që mund t’i kishte dalë gjatë udhëtimeve të shpeshta jashtë vendit, por askush nuk kishte mundur që të arrinte në një konkluzion. Vetëm një psikiatër nga Hustoni i Teksasit arriti që të bënte bashkë disa fakte dhe prova, që më në fund të mund të jepnin një shpjegim. Pas një studimi të gjatë ai i nxori në dritë përfundimet e tij. Jeta e idealizuar e Heminguejit, ajo që vetë shkrimtari donte që të tjerët të dinin si të vërtetë, është e thjeshtë: ai ishte njeriu perfekt, sinteza perfekte e trurit dhe shpirtit. Ishte gjithmonë një njeri i tërhequr nga misteri i aventurave dhe ndërkaq pinte shumë, ishte shumë energjik dhe pëlqente jetën intensive.
Ai ndërkohë ishte edhe shkrimtari më i mirë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sa kohë që ishte gjallë, shkrimtari që i dha jo vetëm vendit të tij, por të gjithë botës një prozë të mrekullueshme, pa ato lajlelulet e shkrimtarëve viktorianë, një prozë të mprehtë, pa ujëra e me shumë përmbajtje dhe finesë. Ai u plagos në frontin italian gjatë Luftës së Parë Botërore, ra në dashuri me një infermiere të bukur, të cilës i kushtoi edhe librin “Lamtumirë armë”. Në vitin 1920 ishte në krye të listës së shkrimtarëve amerikanë dhe artistëve që përqafuan Parisin. Mes tyre ishte edhe i famshmi Fizxherald. Në vitin 1930 ai shkoi në Spanjë për të luftuar për republikën, kundër Frankos dhe shkroi librin “Për kë bien kambanat?”, në të cilin një amerikan trim dhe hero bie në dashuri me një fshatare guerile me emrin Maria. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai mori pjesë në zbarkimin në Normandi dhe më pas ishte aty edhe ditën kur u çlirua Parisi. Pas lufte ai shkoi të jetonte i qetë me bashkëshorten e tij të katërt në Kubë. Aty peshkonte dhe ndërkohë shkruante kryeveprën e tij “Plaku dhe deti”, me të cilën mori edhe çmimin “Nobel”.
Ngado që shkonte pritej si hero, e megjithatë i dha fund ditëve të jetës së tij në një hangar nga një aksident banal. Kjo të paktën është historia zyrtare. Në vitet që pasuan vdekjen e rij, megjithatë, nisën që të dilnin në dritë copëza të jetës së tij të panjohur. Për shembull, disa nga kujtimet e luftës. Hemingueji ishte vetëm 18 vjeç kur shkoi në Luftën e Parë Botërore, por jo si ushtar në betejë. Ai kishte një problem me syrin e majtë, e megjithatë u plagos në këmbën e majtë dhe u shtrua në spital në Milano me tre pacientë të tjerë ku ndodheshin edhe 18 infermiere. Edhe pse romanca e tij me infermieren me të cilën ra në dashuri nuk u konsumua, Hemingueji ra në dashuri me artin dhe kulturën e Italisë, dhe pinte verë e shpesh kalonte një kohë shumë të bukur.
Në Paris, ku ai shijoi idilin e parë me bashkëshorten e tij të parë, Hadley me të cilën solli në jetë djalin John, ai nisi që të bënte emër si shkrimtar, por nga ana tjetër demonstronte edhe ndryshime të mëdha të humorit dhe të temperamentit, duke i lënë shpesh njerëzit që e rrethonin të habitur. Kishte edhe një tendencë, që të kthehej kundër atyre që e ndihmonin më shumë. Në atë kohë braktis Hadlein me të birin dhe lidhet me Pauline Pfeiffer, një vendim për të cilin u pendua dhe u zhyt në një det faji. Me të shkuan në Florida. Aty u fiksua pas lojës me dema, sepse në vetvete i pëlqente gjaku dhe arti i të vrarit. Në librat e tij, si për shembull në librin “Vdekja pasdite”, Hemingueji shkruan edhe për një lloj filozofie personale në lidhje me vdekjen, por ishte diçka e ngatërruar dhe e vështirë për t’u ndjekur. Kishte, ndërkohë pasion edhe peshkimin, madje peshkimin e rrezikshëm, atë në të cilin vihet koka në rrezik.
Pikërisht në këtë periudhë, pra nga viti 1928 deri në vitin 1936, ai i dha vetes imazhin e njeriut muskuloz e të veprimit, të nxirë nga dielli, që pinte pa fund me peshkatarët. Në Spanjë, gjatë Luftës Civile nuk shkoi për të luftuar, siç bëri Xhorxh Oruell, por sepse e kishin dërguar që të raportonte për luftën. Ishte i dërguar i gazetës së Aleancës së Veriut. Një shkak tjetër ishte edhe se e dashura e tij e re, Martha Gellhorn do të shkonte gjithashtu aty. Për shumë kohë ka deklaruar se ai nuk kishte mbajtur anë në lidhje me palët gjatë raportimeve që bënte nga lufta, se kishte qenë i paanshëm dhe tërësisht i drejtë nga këndvështrimi dhe se nuk donte që të shihte Shtetet e Bashkuara të përfshira në një luftë përtej oqeanit. Por kur ishte në Madrid, pavarësisht bombardimeve, ai kaloi kohën më të mirë të jetës së tij duke shijuar net të gjata me vodka dhe haviar në ‘Gaylord Hotel’, zyrat qendrore ruse. Hemingueji kërkonte që të shfaqej si një njeri luftarak, si një pjesëmarrës aktiv në luftë, ndërkohë që ishte thjesht një diletant me fat, që mund të largohej nga Spanja në çdo kohë që do ta dëshironte. Në lidhje me Madridin e vitit 1936, ai shkroi një dramë me titullin “Kolona e pestë”, në të cilën flitet për Dorotinë, një gazetare femër e cila dashurohet pas Filipit, një spiun të fortë, shumë pijanec, që ishte maskuar si korrespondent lufte.
Në këtë pjesë rrëfen shumë pjesë të jetës që ai në të vërtetë i jetoi në atë kohë në Spanjë. Kur Amerika hyri në luftë gjatë Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1944, Hemingueji shkoi në Britaninë e Madhe me një mision të ashtuquajtur “biznes prioritar”, dhe ndërkohë shkruante edhe artikuj për revistën e forcave ajrore britanike ‘RAF’. Ishte një detyrë e vështirë. Ai prenotoi një dhomë në Dorçester, ku hiqej si një shkrimtar i madh amerikan, fama e të cilit ende nuk kishte mbërritur në Europë, por shumë shpejt do të ndodhte. Gjatë kësaj kohe merrte pjesë në mënyrë të vazhdueshme në të gjitha mbrëmjet dhe darkat e organizuara në hotel, duke marrë lart e poshtë komplimente për maçizmin e tij, trupin dhe mjekrën e famshme madje. Kur pësoi një aksident automobilistik, pasi kishte dalë i bërë tapë nga një mbrëmje me pije, Marta Gellhorn do të shkonte menjëherë në Britaninë e Madhe për të parë heroin e saj dhe do të qeshte me të madhe me bëmat e tij aspak heroike. Por Hemingueji, i etur për veprim dhe për një jetë intensive, u nis për në Normandi, në divizionin e gjeneralit Paton. Ai ishte në këtë mision një lloj korrespondenti lufte, që njëherazi pëlqente që të shfaqej edhe si një lloj ushtari apo njeriu luftarak.
Vijon në numrin e ardhshëm...