Me çlirimin e Parisit, ai kaloi një kohë të mirë duke zbavitur të dashurën e tij të re, Mary Welsh. Është e lehtë që të hedhësh baltë ndaj Heminguejit, sepse nuk do të ishte e vërtetë që t’i mohohej ajo që ka bërë. Ai pëlqente shumë që të ishte i pranishëm në mesin e luftës, në betejën e Bugit, përmes Ardenesë, teksa shihte plumbat që merrnin jetë njerëzish dhe binin përreth tij. Por gjithsesi, mund të thuhet se ajo çka ai bënte nuk mund të quhet trimëri, por një psikozë vetëdramatike që ai kishte. Dhe më pas kur merr në shqyrtim imazhin e Heminguejit si hero arrin që të zbulosh një nënshtresë shumë të hollë vetëshkatërrimi. Zbulon se përgjatë gjysmës së jetës së tij ai është përpjekur që të vetëshkatërrohet.
Pikërisht në momentin kur ishte duke përfunduar veprën e tij “Lamtumirë armë” në vitin 1928, i ati i tij, Clarence, u vetëvra me një plumb në kokë. Dhe ky ishte fillimi i turbullirave të mëdha për shkrimtarin, ishte momenti kur bota nisi që t’i shembej pak nga pak. Një nga provat më të dukshme të kësaj ishin një sërë aksidentesh fizike të çuditshme që ndodhën njëri pas tjetrit, një pjesë e madhe e të cilëve kishte të bënte me përplasje të kokës së tij dhe madje edhe me dëmtime në vende të ndryshme të saj. Njëri prej këtyre incidenteve e la me një të çarë të madhe në kokë të cilën iu desh që ta qepte. Ai tha se ishte një incident që i kishte ndodhur në banjë ndërsa po përpiqej që të dilte nga vaska. Ishte rrëzuar dhe kishte shkaktuar të çarën e madhe. Por ishte një aksident që u pasua edhe nga shumë të tjerë të këtij lloji që nga jashtë të linin përshtypjen se diçka po ndodhte me të. Një tjetër aksident që i shkaktoi gjithashtu dëmtime ishte një përplasje që pësoi me makinë, pasi kishte pasur një zënkë me të dashurën e tij. Ajo gjithashtu i shkaktoi një të çarë të madhe në kokë, e cila kërkoi shumë kohë që të shërohej.
Tre muaj pas këtij aksidenti hipi në një motobarkë dhe bëri një rrugëtim shumë të rrezikshëm për t’iu shmangur zjarrit gjerman ndërsa ishte në Normandi, para zbarkimit historik. Ai si pasojë vuante shumë nga dhimbjet e kokës, nga pagjumësia, kishte shpesh të vjella, shfaqte probleme të mëdha të kujtesës ndërsa fliste, madje kishte raste kur kishte edhe probleme me të folurin. Kur u kthye në Kubë pas luftës u përplas sërish me makinë dhe shkaktoi prapë të çara në kokë. Pesë vjet më pas, ndërsa kishte pirë sërish pësoi aksident, por këtë herë me varkë dhe sigurisht si çdo herë dëmtonte veten. Në njëfarë mënyre ishte duke u përpjekur që të rivalizonte të atin.
Por plagosjen më të rëndë e pati në janar të viti 1954. Ai dhe Mary u nisën nga Nairobi i Kenias me një avion të vogël drejt Kongos belge. Në afërsi të ujëvarës Viktoria, ai tentoi që ta ulte avionin dhe pati një ulje shumëproblematike në një copë tokë shkëmbore. Për disa kohë askush nuk arriti që të kuptonte nëse ai ishte gjallë, apo kishte vdekur, madje u përhap edhe fjala se ai ishte vrarë për vdekje. Në fakt kishte, pësuar një frakturë në kafkë dhe bëhej fjalë për diçka të rëndë këtë herë. Por në fakt edhe këtë herë Hemingueji kishte qenë me fat. Edhe këtë herë përdori kokën për të dalë nga avioni i shkatërruar duke e goditur derën me kokë dhe duke dalë jashtë së bashku me Mary-n. Vetëm pak minuta pas kësaj, avioni u përfshi nga flakët dhe u shkatërrua. Këtë rast ai më pas e tregonte gjithmonë si një pragmatizëm prej supermeni, por në fakt ishte rasti që mund t’i kishte marrë me të vërtetë jetën dhe ishte mrekullia e Zotit që e mbajti gjallë. Por dëmet që pati vazhduan që t’i krijonin probleme deri në fund të jetës. Në spital konstatuan se përplasja ia kishte dëmtuar skalpin e kokës në mënyrë të pariparueshme dhe i kishte prekur edhe njërin vesh. Madje, pak nga i ashtuquajturi lëngu cerebral i ishte derdhur në vesh duke e lënë shurdh.
Fytyra i kishte pësuar djegie të shkallës së parë për të mos folur për ndrydhjet e gjymtyrëve, apo shembjet e brinjëve, çarjen e mëlçisë dhe shtypjen e veshkave. Si për çudi një rast thuajse i ngjashëm iu përsërit jo fort larg në kohë, por një muaj më pas. Këtë herë tentoi që të shuante një zjarr të vogël dhe në vend që ta shuante ra në flakë dhe vuajti një djegie të gradës së dytë në këmbë, në shpinë, në buzë dhe në krahun e djathtë. Shija e vazhdueshme dhe kronike që kishte Hemingueji për vetëdëmtim mund të krahasohej vetëm me zellin e tij të madh për të pirë sasi të mëdha alkooli. Janë të shumta dëshmitë dhe dëshmitarët, të cilët e kanë parë të zbrazë shishe të tëra vere dhe konjaku gjatë mbrëmjeve të ndryshme që organizonte me miqtë, apo gjatë eventeve të ndryshme në të cilat merrte pjesë. Kishte raste kur përziente shumë pije njëherazi dhe zelli me të cilin pinte nuk ngjante me një varësi ndaj alkoolit, por me zellin për të dëmtuar dhe goditur veten. Ishte një tjetër dënim fizik që i bënte vetes. Kishte edhe dënime të tjera që i bënte vetes si dalje për peshk në temperatura shumë të ulëta çka i jepte një dhimbje shumë të madhe në veshka. Por problemi i tij me pijen vazhdoi që të përkeqësohej me vdekjen e të atit.
Ernest shkoi te një mjek në vitin 1937 duke iu ankuar për dhimbje të forta stomaku. Por ai u diagnostikua në fakt me dëmtim shumë të rëndë të mëlçisë dhe mjeku i tha se nëse do të donte që të jetonte edhe disa vjet duhet që të hiqte dorë menjëherë nga alkooli. Sigurisht që ai e bëri veshin të shurdhër. Shtatë vjet më vonë, në vitin 1944, kur Martha Gellhorn i bëri një vizitë në spital ajo nën shtratin e tij gjeti shishe të tëra likeri të zbrazura nën krevat. Në vitin 1957, doktori i tij Aj Monnier i shkruante: “I dashur Ernest duhet menjëherë që të ndalosh së piri alkool.
Kjo është me rëndësi shumë të madhe”. Por Ernesti si edhe në rastet e tjera nuk e vuri ujin në zjarr. Çfarë ndodhte në të vërtetë me Heminguejin. Përse vallë gjithë ajo sasi alkooli e konsumuar, gjithë ajo dëshirë për të shkuar në vende betejash dhe luftërash, gjithë ato aksidente dhe përplasje të vazhdueshme të kokës? Kë po dëmtonte ai në mënyrë të vazhdueshme dhe shpesh të dëshpëruar? Çfarë donte që të provonte? Disa përgjigje dolën në vitin 2006 përmes një artikulli të gjatë në revistën “Psikiatria Amerikane”. Artikulli titullohej: “Ernest Hemingueji: një autopsi psikologjike e një vetëvrasjeje”. Ishte psikiatri Kristofer Martin ai që kishte lexuar me shumë kujdes të 15 biografitë që ishin bërë për Heminguejin dhe të gjitha shkrimet e tij dhe në përfundim dha një vlerësim për karakterin e vërtetë të shkrimtarit të madh. Edhe pse bëhet fjalë për një ekzaminim dytësor, gjithsesi është i vlefshëm.
Mjeku nuk e pati aspak të vështirë që të konstatonte se shkrimtari i madh kishte vuajtur nga çrregullimi bipolar, varësia ndaj alkoolit, plagosja traumatike e trurit dhe me shumë gjasa edhe narcizizmi. Ai pa edhe se në familjen e Heminguejit prindërit e tij, fëmijët e tyre, vetë djali i tij dhe mbesa ishin të gjithë me diagnoza maniako-depresive. Madje, mbesa e Heminguejit ishte e pesta në familje që kishte tentuar vetëvrasjen. Ishin pikërisht krizat e tij që e bënin Heminguejin shumë prodhimtar dhe gjenial në të shkruar. Megjithatë, sipas mjekut, traumat që kishte pësuar Hemingueji kishin ndodhur në dy episode të fëmijërisë. E ëma e tij shpesh e vishte të birin si një çupë e vogël dhe i thërriste kukull. Ai vazhdimisht e urrente të ëmën dhe mënyrat e saj të kontrollit mbi të dhe shpesh kur u rrit e përmendte në biseda të ndryshme duke iu referuar “kurva”. Por edhe me të atin nuk është se kishte ndonjë marrëdhënie të mirë.
Ai e rrihte shumë shpesh të birin pa mëshirë me rripin e mesit. Nga inati që i ziente për brenda ai shkonte në oborr dhe bënte sikur i qëllonte të atit me armë zjarri në kokë. Kur ai vrau veten dhe Hemingueji ishte në moshën 29-vjeçare janë të shumtë ata që besojnë se Hemingueji u ndie fajtor, ngaqë kishte ëndërruar aq shumë që ta vriste. Për të qetësuar veten, ai fajësoi të ëmën për vrasjen e të atit dhe nisi që ta urrente edhe më shumë. Të gjitha këto situata duket se janë shtuar dhe rënduar në fund të jetës dhe ka shumë mundësi që ishin ato që e çuan në përsëritjen e aktit të të atit, në vetëvrasjen fatale që i mbylli jetën.