Hena Coctail

Hëna Coctail
"Hëna Coctail" që nis më 18-19 mars në sallën Black Box të Akademisë së Arteve, hap konkurrimin për Teatrin e Varietesë Shqiptare, sipas konceptit të aktorit të humorit, Koço Devole.

Tre janë fushat ku do të konkurrojnë të rinjtë: trajnim artisti, teatër variete dhe prodhim televiziv. Organizatorët thonë se qëllimi që i kanë vënë vetes me "Hëna Coctail", është ngritja profesionale dhe trajnimi i talenteve te reja në gjininë e humorit, aktrimit, këngës dhe baletit me destinacion interpretimin skenik.

Ata thonë se "në përgjithësi, talenti shqiptar është përballur deri më sot, vetëm me performanca televizive ku asnjëherë nuk është punuar seriozisht por janë përdorur thjesht për mbarëvajtjen dhe qëllimin e programit në fjalë. Gjithashtu, aktualisht mungon një strukturë e trajnimit dhe e përgatitjes skenike në gjinitë e mësipërme.

" Prandaj kanë marrë përsipër krijimin e një strukture që bazohet në përvojën e shkollave të spektaklit (si p.sh. D.A.M.S. i Bolonjës).
Struktura e trajnimit dhe prodhimit artistik është ngritur në një ambient në afërsi të sheshit "Zogu i Zi" në Tiranë.

Aty janë krijuar klasa e aktrimit skenik, salla e baletit, studio e regjistrimit audio, klasa e kantos moderne, gardëroba skenike, dhoma e montazhit televiziv, salla e orkestrës etj..

Stafi drejtues përbëhet nga Koço Devole, Bujar Kapexhiu, Gazmend Gjoka, Gjergj Leka, Flamur Shehu, Joli Gjovreku, Pëllumb Kulla, etj..

Kështu më 18-19 mars zhvillohen audicionet mbarëkombëtare të talentit në Akademinë e Arteve.

Ata që do të përzgjidhen do të jenë bërthama e kompanisë së varietesë shqiptare e përbërë nga pesë aktorë të rinj, katër balerina, katër këngëtarë, tetë instrumentistë të cilët do të përgatisin shfaqjen e parë variete, përkrah artistëve të ftuar profesionistë. Mendohet që gjatë muajve të verës që vjen, të organizohet një Festival i Varietesë Shqiptare.

Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama