“Një lidhje që ekziston mes Hënës dhe lëvizjes së ajsbergëve shpjegon se pse një numër i pazakontë i copave të akullit u gjend në rrugën e Titanikut natën e 15 prillit 1912”, thotë Donald Olson, fizikan në Universitetin e Teksasit.
Që nga koha kur ndodhi tragjedia e Titanikut, në të cilën vdiqën 1517 persona, studiuesit janë munduar të kuptojnë se pse kapiteni Eduard Smith i injoroi paralajmërimet për ajsbergë në zonën ku do të kalonte anija. Ai ishte kapiteni më me përvojë i White Star Line dhe i kishte rënë kryq e tërthor disa herë Atlantikut të Veriut e njihej si lundërtar i kujdesshëm.
“Ajsbergët e Groenlandës si ai që goditi Titanikun zakonisht ngecin në ujërat e cekëta të Labradorit dhe Njufajndlendit dhe nuk mund të lëvizin drejt jugut pa u shkrirë mjaftueshëm që dallgët të munden t’i lëvizin”, thotë Olson. Pra si ka mundësi që një numër i madh ajsbergësh gjendeshin në “rrugën” e anijeve, në ujërat e jugut. Ekipi i shkencëtarëve u mbështet në spekulimin e oqeanografit Fergus Ud, i cili thoshte se një afrim i pazakontë i Hënës në janar të 1912-s mund të ketë shkaktuar dallgë aq të larta saqë shumë ajsbergë janë shkëputur nga Groenlanda dhe kanë lëvizur pa e ndryshuar madhësinë drejt ujërave ku kalonin anijet.
Olson thotë se një herë në shumë kohë, Hëna dhe Dielli vendosen në një linjë të tillë që forcat e tyre gravitacionale forcojnë njëra-tjetrën. Në atë kohë, Hëna kishte largësinë më të vogël nga Toka në 1400 vjet dhe afrimi maksimal ndodhi në 6 minuta të hënës së plotë.
Për më tepër, afërsia më e madhe e Tokës me Diellin ishte shënuar pikërisht një ditë më parë. Një konfigurim i tillë rriti efektin e Hënës në oqeane.
Sipas studimit të Olson, ajsbergu që u fut në ujërat ku lundronte Titaniku mund të jetë shkëputur nga Groenlanda në janar të 1912-s. Dallgët e larta të baticës, të shkaktuar nga kombinimi i fenomeneve astronomike, u kanë mundësuar ajsbergëve mbërritjen në ujërat ku lundronte Titaniku. Shkencëtarët që kryen studimin shfajësojnë kapitenin Smith (edhe pse një shekull me vonesë) për vendosmërinë e tij për të lundruar natën e 15 prillit. Si një njohës i mirë i detit, ai nuk kishte arsye të besonte se ajsbergët që do t’i shfaqeshin përpara ishin aq të mëdhenj dhe të shumtë në numër. “Në terma astronomikë, mundësitë që të krijohej një kombinim i tillë ishin 1 mbi….le të themi një shifër astronomike”, përfundon drejtuesi i ekipit që kreu studimin, i cili do të publikohet në prill në revistën “Sky & Telescope”. / Gazmira Ndoja