Tieri Henri ka akuzuar hapur dy sulmuesit italianë Zaza dhe Pele për penalltitë e humbura ndaj Gjermanisë.
Ish-sulmuesi francez ka thënë se të gjithë do të mbajnë mend penalltinë e humbur nga Darmian sepse ajo ishte e fundit, por thotë që Pele dhe Zaza goditën në mënyrë amatoreske dhe shpërdoruan një rast të artë. I të njëjtit mendim ka qenë edhe Alan Shirer.
Të dy kanë analizuar presionin e madh dhe tregojnë çfarë ndien një futbollist kur godet penalltinë në të tilla nivele.
Henri- "Njerëzit me shumë mundësi do të mbajnë mend penalltinë e humbur nga Darmian sepse ishte i fundit që e gaboi, por nëse do të isha italian do të mendoja për penalltinë e Zazas dhe Pelesë.
Gabimet që ata bënë dje ishin të rënda dhe nuk kam parë kurrë penallti të tilla në historinë e futbollit. Të gjithë e dimë presionin me të cilin janë përballur futbollistët në ato momente dhe kjo është gjë normale. Sigurisht që duhet t'i japim merita edhe portierit Manuel Nojer, që tregoi edhe një herë se është më i miri në botë në rolin e tij".
Shirer- "Presioni në ato momente është shumë i lartë, por kemi parë edhe penallti më të rënda. Nuk e di çfarë mund të bënin të dy futbollistët, por të paktën nuk duhet të kërcenin dhe 'kërcënonin' portierin.
Zaza filloi të kërcente përpara se të godiste, ndërsa Pele sfidoi portierin gjerman. Nuk di çfarë të them më shumë".