Po, sepse aftësia për ta konsideruar një ngjarje negative si pjesë të jetës, apo duke pranuar pamundësinë për të realizuar diçka, a një humbje në dashuri, tregon se shqisat tona funksionojnë për mrekulli, pavarësisht vuajtjes. Ndonjëherë, kur nuk pajtoheni me një ngjarje (për shembull me moshën e madhe, me një pushim nga puna, apo braktisje nga partneri) jo vetëm që ndiheni keq, por fiksoheni në një gjendje që përkeqësohet dita-ditës. Por nëse arrini deri te dorëheqja, duke zmbrapsur për t’iu kundërvënë diçkaje apo për të luftuar kundër një ngjarjeje, mund të filloni të bashkëpunoni, madje shkoni më tej. Në këtë mënyrë do të keni mundësi të zbuloni, aty ku natyrisht nuk bëhet fjalë për ngjarje traumatike, se ndoshta “JO”-ja që ju ka thënë jeta po ju shtyn drejt diçkaje akoma më të mirë.
Kur bëhet një barrë
Dorëheqja shndërrohet në një funksion negativ kur është parandaluese: pra kur është e pranishme para se të përballohet një problem, ose e menjëhershme para një projekti a diçkaje tjetër, vështirësi që sipas ligjit të natyrës nuk ka sesi të mos shfaqen. Kjo ndodh kur një subjekt nis një histori dashurie, fluturon me avion, kur vendos një skedinë, apo kur një mik e zhgënjen paksa. Në këto raste frazat tipike janë: “Fundja, e di që do të shkojë keq”, apo “E dija që do të ndodhte kështu”. Ky është një paragjykim për veten dhe realitetin që mbështjell të tjerët ose të gjitha fushat e jetës.
Si mund të largohet energjia
Kjo lloj dorëheqje të largon entuziazmin e fillimit që është shumë i rëndësishëm për të kryer ndonjë veprim. Madje jo vetëm kaq: të privon nga qëllimet, nuk lejon të shohësh mundësitë e vërteta që të jepen gjatë momenteve të vështira. Pra praktikisht nuk të lejon kurrë të shfrytëzosh krizën dhe kjo ndikon në zhvillimin, rritjen dhe ndryshimin e personit. Gjithashtu edhe për shkak të dorëheqjes, duke qenë se subjekti nuk ka besim te asgjë, nuk e përfshin kurrë veten 100% në një situatë: jeton “përgjysmë” duke u përpjekur të shpëtojë veten nga gabimet dhe ndonjë zhgënjim i radhës.
Dorëheqja kronike: simptomat fizike…
- Gjysmë depresion, por që zgjat në kohë
- Kriza të vazhdueshme depresioni
- Mendime fiksuese
- Dhimbje koke në pjesën ballore
- Vështirësi në tretje
- Pagjumësi
- Infeksione të përsëritura
…dhe psikologjike
- Paaftësi për të arritur qëllimet
- Smirë ndaj personave që ia dalin mbanë
- Mungesë njohurie për burimet e brendshme
- Krizë në çift
- Izolim dhe vetmi
- Frikë se mos ndjell fatkeqësi
Mësoni të dëgjoni
Në vend që të kërkoni këshilla dhe të ankoheni vazhdimisht pa ndryshuar kurrë asgjë, dëgjojini mirë personat që ju flasin. Përpiquni të dilni nga dialogu i brendshëm monoton që përbëhet nga të njëjtat mendime.
Kursejini frazat e zakonshme
“Ja zhgënjimi i radhës!”; “Nuk do t’ia dal kurrë!”; “Duhej ta prisja”; “E kush beson tek unë?”; “Mirë, mirë…”; “Fundja, nuk kishte shumë rëndësi për mua”. Lëreni viktimizmin dhe jini vetvetja edhe në sy të të tjerëve.
Kërkoni shpresën
Të gjithë ne kemi një qëllim, që sado i vogël, besojmë verbërisht se do ta arrijmë dhe luftojmë me mish e shpirt për të. Edhe ju duhet të bëni të njëjtën gjë, por pa e humbur besimin, sepse aty fshihet edhe energjia që ju duhet për të arritur ku dëshironi.
Kujtoni herën e parë
Kur ju ka filluar kjo gjendje? Duke e ditur me saktësi pikënisjen mund t’ju ndihmojë të zgjidhni problemet në vazhdim, pa qenë nevoja t’i nënshtroheni ndonjë terapie të veçantë. Nuk duhet të harroni se vullneti, dashuria për jetën dhe vizioni i largët ju ndihmojnë të kapërceni çdo pengesë. Fundja “JO”-të dhe krizat janë pjesë e jetës, gjithmonë.
Bëni një shëtitje në librari
Për t’i dhënë një dorë vetes shkoni në librari dhe kërkoni ndonjë roman në sektorin e studimeve shpirtërore, për të kapur fillin me përmasat e një shpirti më të ndjeshëm dhe konkret. Të gjithë kemi nevojë për t’u karikuar dhe për të marrë energji.